Gjykata Administrative e Shkallës së Parë pranoi dy paditë e ngritura nga Qendra Res Publica kundër Bashkisë Tiranë dhe OSHEE me objekt dhënien e informacionit dhe vënien në dispozicion të dokumentave të kërkuara për reklamat televizive të paguara me fondet publike. Pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit të ri për të drejtën e informimit në shtator të vitit 2014, disa autorite shtetërore vazhdojnë të refuzojnë të bëjnë transparencë. Pas ankimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Qendra Res Publica iu drejtua gjykatës, e cila pranoi paditë e ngritura dhe vendosi detyrimin e Bashkisë Tiranë dhe OSHEE për të na vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e kërkuar.
Sipas gjykatës, institucionet publike dhe cdo administrator tjetër i pasurisë publike, qoftë kjo edhe kompani shtetërore, duhet ta pranojë që një nga parimet bazë të një shoqërie demokratike është transparenca në kryerjen e detyrave dhe shpenzimet publike dhe e drejta për t’u informuar është një e drejtë e mbrojtur në nivel kushtetues.
Res Publica