* Per te pasur akses ne dokumentat ilustruese per veprimet e përmendura më poshtë klikoni ketu.
Shoqëria civile shqiptare reagon me forcë ndaj shkeljes sistematike të të drejtave të familjarëve të viktimave për të pasur një proces të rregullt ligjor. Reagimi vjen për dy ngjarjet e konsideruara si më të rëndat e këtyre 2 dekadave të fundit, ku autoritetet shtetërore kanë dështuar në kryerjen e funksioneve të tyre në mbrojtje të së drejtës së jetës, dhe investigimit të kësaj humbjeje, si e drejta më thelbësore e parashikuar në çdo sistem demokratik.
Është fakt se në shpërthimin e 15 marsit 2008 dhe në demostratën e 21 janarit 2011 kanë humbur jetën 30 viktima dhe janë plagosur qindra të tjerë. Pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve ishin dhe humbjet e jetëve të tre personave të tjerë më vonë, familjarë të viktimave të këtyre ngjarjeve tragjike, të cilët dukshëm nuk e përballuan dot hapin e ngadalshëm e të pasigurt të drejtësisë. Pse procesi ligjor ishte i parregullt në iterin e tij?
1. Autoritetet shtetërore kanë dështuar në marrjen e masave për mbrojtjen e jetës.
- Në rastin e shpërthimit të Gërdecit, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe ndërmarrja shtetërore MEICO, nuk respektuan asnjë nga rregullat specifikë me karakter ushtarak në procesin e demontimit të armëve, duke sjellë si pasojë rrezik të lartë për jetën e punonjësve dhe banorëve të fshatrave përreth. Mungesa e respektimit të një sërë rregullash çoi në shpërthimin tragjik me pasojat që të gjithë i njohin.
- Në rastin e protestave të 21 janarit 2011, Garda e Republikës nuk mori masat e duhura ligjore që të garantonte të drejtën e jetës të demonstruesve, duke marrë jetën e 4 prej tyre.
2. Procesi hetimor për zbardhjen e ngjarjeve ka lënë shumë për të dëshiruar.
- Nuk është mundësuar aksesi i duhur në dosjen hetimore për familjarët e viktimave. Këta të fundit janë detyruar që në dy rastet t’i drejtohen gjykatës pas kërkesash të njëpasnjëshme ndaj prokurorisë. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë gjithsej 8 kërkesa[1], për ta detyruar këtë organ të përmbushë detyrimin ligjor për të informuar mbi procesin hetimor si dhe për të lejuar aksesin në dosjen hetimore. Familjarët e viktimave të 21 janarit 2011 kanë dërguar gjithsej 2 kërkesa Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të rrethit Tiranë[2].
- Nëse në rastin e shpërthimit të Gërdecit, prokuroria reflektoi pjesërisht në seancë gjyqësore duke vënë në dispozicion një DVD që gjithsesi nuk përbën provë të vlefshme, kurse në rastin e 21 janarit prokuroria e shpërfilli kërkesën duke mos qenë e pranishme në gjykim për 9 seanca rresht, pa dhënë asnjë justifikim për mungesën[3]. Në momentin kur prokurori u paraqit në seancë objekti i kërkesës nuk mund të përmbushej më, pasi dosja e hetimit ishte dorëzuar tashmë për gjykim.
- Në rastin e Gërdecit, prokuroria ende nuk ka çuar përpara drejtësisë të gjithë të pandehurit e dalë nga hetimi i saj. Familjarët e viktimave kanë kërkuar me insistim nisjen e këtyre proceseve. Në një rast, Gjykatës Kushtetuese me vendimin nr. 27, datë 09.05.2012 i kërkoi Gjykatës së Lartë rigjykimin e çështjes penale të dy të plagosurve R.Durdaj dhe A. Hazizaj kundër ish ministrit të Mbrojtjes F. Mediu[4]. Kjo kërkesë e familjarëve vjen në të njëjtën linjë dhe me kërkesat e faktorit ndërkombëtar. Kërkesa e fundit e paraqitur përpara organit të Prokurorisë, pas ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, nuk ka marrë ende një përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme, duke u prerë rrugën qëllimisht familjarëve të viktimave që të ankohen në gjykatë ndaj këtij mosveprimi. Megjithë përpjekjen e familjarëve të viktimave për të përdorur analogjinë me ligje të tjerë, Gjykata e Lartë konkludoi me mospranimin e kërkesës për të gjykuar mbi mosveprimin e Prokurorisë së Përgjithme, duke e lënë këtë organ të veprojë sipas dëshirës, pa u vënë në asnjë rast nën kontrollin e gjykatës[5].
- Në rastin e 21 janarit, hetimi nuk ka qenë gjithëpërfshirës, duke mos përfshirë në mënyrë konkluzive edhe veprat penale të pengimit të drejtësisë, si fshirja e pamjeve filmime nga serveri i kryeministrisë, ndërrimi i tytave të pistoletave, manipulimi i pretenduar nga prokuroria për ekspertimin e teshave të të ndjerit Ziver Veizi, mosvënia përpara drejtësisë të të gjithë personave që penguan ekzekutimin e urdhër-arresteve dhe sekuestrimin e armëve në kohën e duhur, mos hetimi i plotë i organizimit të protestës dhe të planit të masave operacionale të mara nga Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit për të menaxhuar protestën duke minimizuar pasojat e dëmshme. Një mangësi thelbësore u vu re kur dukshëm gjykatës iu vunë përpara ekspertizave kontradiktore në lidhje me mundësinë e rikoshetës. Përgjigja në këtë rast do të vinte nga përcaktimi me baza shkencore i këndit të mundshëm maksimal të kthimit të predhave 9 mm të trupa të drunjtë, ekspertim deri tani i pakryer.
3. Në të dyja rastet padia civile brenda procesit penal e ngritur nga familjarët e viktimave, nuk është pranuar nga gjykata[6], duke i lënë pa asnjë shteg ligjor për t’u animuar[7]. Kjo u ka mohuar atyre të drejtën që të jenë pjesë aktive e procesit, për të pyetur dëshmitarët dhe ekspertët, për të kërkuar prova, etj.
- Në rastin e Gërdecit, mospranimi i familjarëve të viktimave si palë në proces solli si pasojë mos marrjen parasysh dhe të kërkesës së tyre të parë për përjashtim të gjyqtarëve që kishin konflikt interesi. Kjo ngriti shqetësimin për kompromentimin e mundshëm të procesit të rregullt gjyqësor.
- Në rastin e 21 janarit, padia e familjarëve të viktimave nuk u pranua për shkak të pengesës së padrejtë të krijuar nga taksa e lartë e padisë, prej 510.000 lekë (të reja). Mohimi i mundësisë së familjarëve të viktimave që me anë të avokatëve të tyre të pyesnin ekspertët dhe dëshmitarët, erdhi si pasojë e një orientimi jo të mirë të procesit, duke e lënë atë vetëm në dorën e prokurorisë, e cila jo në pak raste ka deklaruar se është nën trysninë e politikës duke mos garantuar një hetim të plotë e të saktë.
4. Gjykimi në të dy rastet nuk ishte në standardet e kërkuara nga ligji
- Të dy proceset penale nuk u zhvilluan çdo ditë pune siç kërkon neni 342 i K.Pr.P. duke krijuar tejzgjatje të pajustifikuara. Në rastin e Gërdecit familjarët e viktimave kërkuan që kjo dispozitë të zbatohej nga gjykata[8], e cila e menaxhoi çështjen sipas kërkesave të avokatëve mbrojtës dhe jo sipas nevojës për zbardhje sa më të shpejtë të ngjarjes. Tejzgjatja solli si pasojë konsumimin kohor të ngjarjeve dhe ndryshimin e masës nga arrest me burg në atë me arrest shtëpie për një pjesë të të akuzuarve kryesorë (në rastin e Gërdecit).
- Vonesat çuan në disa raste, në përfitim të amnistisë nga të akuzuarit[9]. Rasti R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër F. Mediu si dhe rasti i të plagosurit rëndë kundër të akuzuarve kryesorë, nuk morën asnjëherë përgjigje, me gjithë përpjekjet e tyre që vunë në lëvizje Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit konstatoi shkelje serioze të procesit të rregullt ligjor, kur të plagosurit rëndë R. Durdaj dhe A. Hazizaj kërkuan shfuqizimin e vendimit nr. 5 dt. 01.03.2010 të Gjykatës së Lartë, e cila pa të drejtë vendosi mosfillimin e procedimit penal ndaj të akuzuarit F. Mediu4.
5. Vendimet e gjykatave nuk përmbushën funksionet kryesore të tyre, atë të drejtësivënies dhe të dekurajimit të përgjegjësve për krime kaq të rënda. Vendimet e gjykatës hapën rrugë për përsëritje të ngjarjeve kaq tragjike edhe në të ardhmen, duke u dhënë garanci funksionarëve shtetërorë për pandëshkueshmëri edhe në rastet e humbjes së jetëve njerëzore. Vendimet gjyqësore të dhëna nuk iu përgjigjën shkallës së tragjedisë së Gërdecit dhe ngjarjes së 21 janarit dhe përgjegjësive përkatëse për to, duke lënë pa autorë, ose duke dënuar relativisht lehtë shkaktarët e vdekjes së 30 viktimave të pafajshme.
- Vendimi i Gërdecit në të dyja shkallët e gjyqësorit nuk ishte në ashpërsinë e duhur, krahasimisht me vendime të tjera të gjykatave respektive kur dëmi ka qenë i kufizuar në një ose dy plagosje pa humbje jete.
- Vendimi i 21 janarit nuk nxorri asnjë fajtor, duke kapërcyer çdo pritshmëri të ligjshme të mundshme. Edhe sikur akuza të ishte ngritur në mënyrë të gabuar nga prokuroria, gjykata i kishte mundësitë dhe mjetet ligjore, për të bërë ricilësim të faktit[10]. Ricilësimi juridik i faktit u bë në rastin e Gërdecit dhe, ashtu siç ndodh shpesh në praktikën gjyqësore, duhej të ishte bërë edhe në rastin e 21 janarit. Në këtë kuptim ngrihet dyshimi i arsyeshëm se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me rastin konkret, nuk ka respektuar atë ç’ka Gjykata Kushtetuese ka sanksionuar prej vitesh tashmë.
- Gjykatat nuk vlerësuan drejt raportet e ekspertëve, duke krijuar situatë të paqartë lidhur me ekspertizën pavarësisht se në të dy rastet është ofruar ndihmë e specializuar nga ekspertët amerikanë, me kërkesë të autoriteteve shqiptare për çështjen.
6. Familjarët e viktimave kanë hasur pengesa të pakapërcyeshme dhe në kërkimin e dëmshpërblimit për humbjen e jetës të afërmve të tyre.
- Pagesa e taksës së padisë në rastin e Gërdecit varion nga 600 mijë deri në 4.8 milion lekë të reja për një familje, duke e bërë praktikisht të pamundur nisjen e gjyqeve për dëmin e pësuar[11]. Të njëjtin problem kanë dhe familjarët e viktimave të 21 janarit[12]. Kjo pengesë është e padrejtë dhe në kundërshtim me nenet 17 dhe 42 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë shkak në të gjitha rastet familjarët e viktimave kanë kërkuar përjashtimin nga taksa e padisë. Ky problem është ngritur dhe në Progres Raportin e fundit të Komisionit Europian[13] ndaj Shqipërisë si dhe nga Komisioneri i të Drejtave të Njeriut, Nils Muižnieks i cili i ka nisur një letër të posaçme Ministrit të Drejtësisë Z. Eduard Halimi për të zgjidhur përfundimisht këtë problem[14]. Me gjithë presionin ndërkombëtar situata e padrejtë ka mbetur ende pa zgjidhje.
- Zgjatja e procesit penal përtej afateve të arsyeshme ka sjellë në shumë raste pezullimin e proceseve civile, duke vonuar marrjen e dëmshpërblimeve nga ato familje që e kanë tejet të nevojshme.
7. Për 4 vjet rresht, familjarët e viktimave kërkuan vazhdimisht kopje të provave shkresore nga gjykatat dhe institucione të tjera.
- Provat e disponuara nga vetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nga Gjykata e Lartë, nuk u vunë në dispozicion të familjarëve të viktimave të Gërdecit për të mbështetur pretendimet e tyre para gjykatës. Asnjë prej kërkesave nuk mori qoftë dhe një përgjigje zyrtare[15].
- Të njëjtin fat patën edhe 10 kërkesat e tjera për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës, Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT Nënë Tereza, Bashkisë Vorë, Uzinës së Poliçanit, Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri, etj. Në ato 5 raste kur është dhënë përgjigje, këto kanë qenë gjysmake dhe të pashoqëruara me dokumentacionin autentik siç e kërkon ligji[16].
- Familjarët e viktimave i kanë kërkuar Ministrit të Drejtësisë të marrë masat që i kërkon ligji për të përjashtuar të interesuarit nga taksat e larta e të papërballueshme të vlerës së padisë[17]. Deri më sot nuk është marrë asnjë përgjigje.
- Me kërkesë të familjarëve të viktimave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shmangë pengesën për pagimin e taksës së padisë. Së shpejti pritet që kjo çështje serioze e shkeljes së të drejtës së njeriut për akses në drejtësi dhe për të pasur një proces të rregullt ligjor, të zgjidhet përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese.
Padrejtësia e hasur në çdo hap nga familjarët e viktimave është padrejtësi në kurriz të çdo qytetari shqiptar. Shoqëria civile shpreh solidaritetin me familjarët e viktimave të dy tragjedive, shpreh revoltimin qytetar ndaj maratonës së padrejtësive, dhe u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të realizojnë detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi dhe një sërë aktesh normative ndërkombëtare.
Duket qartë që kemi të bëjmë me probleme strukturore të sistemit ligjor në Shqipëri, por jo vetëm. Situata kërkon ndërhyrjen energjike të të gjithë aktorëve për sa më poshtë:
1. Të merren masa për ndreqjen e hapësirave ligjore, të cilat janë duke sjellë efekte të dëmshme për familjarët e viktimave, sic janë:
- mungesa e një detyrimi ligjor për dhënien e një përgjigjeje, qoftë edhe negative nga prokuroria, për t’i hapur rrugë më pas kontrollit gjyqësor të kësaj vendimmarrjeje;
- paqartësia e pozicionit të të afërmve të viktimave në raport me të drejtën e tyre për të kërkuar kryerjen e veprimeve të ndryshme nga ana prokurorisë gjatë procesit penal;
- pamundësia e përjashtimit nga detyrimi për të parapaguar tarifat gjyqësore, duke u shndërruar në një pengesë serioze për të kërkuar shpërblimin e dëmit.
2. Brenda kuadrit ligjor ekzistues, të merren masat që:
- të niset procedimi penal edhe për personat e tjerë të akuzuar në rastin e Gërdecit, pasi nuk kanë më imunitet, si dhe ngritjen e akuzave të reja të paartikuluar ende nga organi i prokurorisë, në të dy rastet;
- familjarët e viktimave të Gërdecit dhe 21 janarit të përjashtohen nga detyrimi për parapagimin e taksës së padisë, me anë të një vendimi apo urdhri të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, brenda kompetencave që ata kanë. Aktualisht, pas dhënies së vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Tiranë, është pranuar zyrtarisht që zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmarrjes MEICO kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke ngarkuar direkt shtetin me përgjegjësi për shpërblimin e dëmit të shkaktuar. Një veprim i tillë duhej të ishte në përputhje edhe me parashikimin e nenit 44 të Kushtetutës[18], duke e bërë detyrimin e shtetit të mundshëm për t’u përmbushur jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht në mënyrë efektive;
- autoritetet shtetërore të tregohen më të përgjegjshëm ndaj kërkesave të familjarëve të viktimave, duke u përgjigjur në një kohë të arsyeshme, brenda afateve ligjore, pa qenë nevoja që në çdo rast kërkuesit t’i drejtohen gjykatave për të realizuar një të drejtë kaq elementare sic është informimi mbi dokumentat zyrtare.
3. Gjykata Kushtetuese të pranojë kërkesën ende në gjykim, të nisur me kërkesë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për të shfuqizuar dispozitën për tarifat gjyqësore të papërballueshme, e cila pengon aksesin në gjykatë për familjarët e viktimave. Kjo vendimmarrje duhet të vijë në përputhje edhe me jurisprudencën e konsoliduar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut[19], si dhe në vijim të logjikës së përdorur edhe në Vendimin nr. 18/2010 të vetë Gjykatës Kushtetuese[20] në një rast të ngjashëm.
Shoqëria civile shqiptare e ndjen si detyrim të sajin të kërkojë vendosjen në vend të drejtësisë. Tragjeditë e Gërdecit dhe 21 janarit janë testi më i rëndësishëm i funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Nëse këto procese dështojnë, besimi tek drejtësia dhe demokracia do të jetë i pamundur për t’u rikuperuar.
[1] Shih Kerkese Prokurorise se Pergjithshme, date 02.05.2008; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 28.05.2008; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 16.06.2008; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 14.01.2010; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 18.10.2010 (prot. nr 1276/3 dt 21.10.2010); kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme me nr prot. 189 dt 03.03.2011; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 10.07.2012; kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 26.10.2012.
[2] Kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme dt 24.02.2011; kërkesë Prokurorisë Tiranë me nr prot. 191, dt 18.03.2011.
[3] Shih kronologjinë e seancave tek www.respublica.org.al
[4] Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 27, dt 09.05.2012
[5] Shih shkresën e Gjykatës së Lartë nr protokolli F-13/1 dt 12.02.2013.
[6] Shih vendimin nr 6 dt 14.09.2009 të Gjykatës së lartë; vendimin nr 100, dt 07.02.2013, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
[7] Shih aktin nr 66 dt 17.07.2009, të Gjykatës Kushtetuese.
[8] Shih http://www.balkanweb.com/kryesore/1/gerdecifamiljar-t-n–protest–gjyqi-t–zhvillohet-cdo-dit–57031.html
[9] Vendimi nr 1739 dt 03.12.2012 Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; Vendimi i Gjykatës së Lartë dt. 10.12.2012.
[10] Shih vendimin nr. 50, dt 30.07.1999
[11] Shih kërkesën tip dorëzuar në seancat e zhvilluara për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave nga shpërthimi i Gërdecit, për përjashtim nga taksa e padisë.
[12] Shih kërkesën e dorëzuar në seancë për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave të 21 janarit, për përjashtim nga taksa e padisë
[13] Shih Progres Raportin 2012, faqe 18.
[14] Shih letrën Ref: CommHR/EB/sf 107-2012, dt 15.10.2012.
[15] Shih shkresat e dërguara, të cilat janë publikuar në faqenwww.respublica.org.al
[16] Neni 7 i ligjit nr. 8503. dt. 30.06.1999 “Për informimin mbi dokumentat zyrtare”.
[17] Shih shkresën dt. 18.03.2010 drejtuar Ministrit të Drejtësisë Z. Bujar Nishani.
[18] Neni 44 i Kushtetutës: “Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.”
[19] Kreuz kundër Polonisë, aplikimi nr. 28249/95, gjykim i datës 19-06-2001; Marina v. Lituanisë, Kërkesa nr. 46040/07, vendimi i datës 26 tetor 2010; Podbielski dhe PPU Polpure kundër Polonisë, Kërkesa nr. 39199/98, 26 korrik 2005, paragrafi 66; Urbanek kundër Austrisë, Kërkesa nr. 35123/05, të 9 dhjetorit 2010; Pedro Ramos c. Suisse, Kërkesa nr. 10111/06, 14 tetor 2010; Paykar Yev Haghtanak Ltd v. Armenia, Kërkesa nr. 21638 / 03, vendim të datës 20 dhjetor 2007.
[20] Shih Vendimin nr. 18 dt. 23.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese
Nëshkruesit deri më 25.02.2013
Levizja Mjaft!
Kozara Kati Qendra Shqiptare per te drejtat e njerit
Gjergji Vurmo
Blendi Kajsiu
Lavdosh Feruni
Pink lGBT Armando Felcanji
Pro LGBT Kristi Pinderi
CRCA, Altin Hazizaj
Pellumb Karameta ACAE – Albania Center of Assistance in Education
Irena Dono, Shoqata “Shpresë për të Ardhmen”
Axhenda, Arbër Mazniku
Partners, Juli Hoxha
ALTRI (Instituti shqiptar per studime ligjore dhe territoriale), Eda Nocka
Komiteti i Helsinkit, Vjollca Mece
QENDRA PER NISMA LIGJORE QYTETARE, Aurela Anastasi
Civil Rights Defenders, Vasilika Laci
Shoqata Gruaja Rome e se Neswrmes, Meleqe Rrenja
Instituti per Ruajtjen e Natyres Zamir Dedej
Ilir Yzeiri
Andrea Stefani
Shoqata e familjarwve tw viktimave Gwrdec. Feruzan Durdaj
Fondacioni OSFA
Linja e Keshillimit per Gra dhe Vajza
Qendra Aleanca Gjinore per Zhvillim
Andi Tepelena
Qendra Res Publica
National Center for Community NCCS. Liliana Dango
Levizja Europiane ne Shqiperi (EMA)
Blendi Salaj
Adela Halo
Plejada Gugashi
Center for EU Studies, Viola Musliu
House of Europe, Alba Cela
Qendra e Studimeve Parlamentare
Elira Zaka