Pas shpërthimit të fontanave të gazit në zonën e Marinzës, në datë 01.04.2014, në përgjegjësi të koncensionarit Bankers Petrolium, me pasoja të rënda mjedisore dhe shëndetësore për banorët e zonës, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi hetimet lidhur me këtë ngjarje. Kjo çështje u pushua më pas nga organi i akuzës (kliko për të parë dokumentin).
Ndërkohë, Res Publica, në kuadër të sfidimit të kulturës së pandëshkueshmërisë, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, kërkoi informacion të hollësishëm nga institucionet shtetërore që kanë funksion mbikqyrjen e ndotjes mjedisore dhe siguroi raporte të këtyre institucioneve. Sipas tyre, nga kjo ngjarje ishin krijuar pasoja në mjedis me pasojat fundore në shëndetin e banorëve të zonës. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë dalë në konkluzione se si pasojë e shpërthimit ka ndotje të ujit të pijshëm i cili nuk mund të përdoret për furnizim publik (pirje, përgatitje ushqimesh, higjienë personale); ka ndotje të ajrit që shpie në ekspozimin dhe dëmtimin e shëndetit të popullatës në zonën e banuar; ka ndotje të tokës me nikel përtej normave të lejuara, etj (kliko këtu për të parë dokumentin).
Në fakt, më kot janë lodhur këto institucione për të bërë studime dhe shkruar raporte lidhur me pasojat mjedisore (këto raporte janë në dosjen penale të Prokurorisë) sepse Prokuroria e Fierit nuk i ka marrë në konsideratë ato kur ka vendosur pushimin e hetimit me arsyetimin se “fakti nuk përbën vepër penale”.
E përkthyer nga gjuha juridike në një gjuhë më popullore, kjo do të thotë se hetimet në ngarkim të Bankers Petrolium nuk mund të nisin sepse ndotja në mjedis nuk ka kaluar normat e lejuara dhe se dëmi i shkaktuar pronave të shkatërruara nuk është i rëndë.
Ndotja në mjedis është vepër penale e parashikuar nga neni 201 (ndotja e ajrit) dhe 203 (ndotja e ujërave) të Kodit Penal, nëse ndotja është përtej niveleve të lejuara. Ndërkohë që ndotja mjedisore përtej normave është konstatuar nga organet e specializuara të administratës, arsyeja e dhënë nga Prokuroria për pushimin e çështjes penale është e paarsyeshme.
Përvec ndotjes mjedisore, shkatërrimi i pronës nga pakujdesia nuk është marrë në konsideratë, megjithëse ekzistojnë dokumenta që provojnë se Bankers Petroleum, nën kujdesin e pushtetit vendor, ka dëmshërblyer banorët afërsisht në vlerën 2.2 milionë Euro (kliko këtu për të parë dokumentin). Dëmi në këtë vlerë është i mjaftueshëm për t’u konsideruar i rëndë sipas nenit 161 të Kodit Penal.
Mbetet të supozojmë se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë dalë në konkluzione të gabuara kur thonë se kemi ndotje nga ngjarja në fjalë, e në këtë rast duhet edhe të aludojmë se banorët e zonës, të cilët janë trajtuar me mjekime dhe janë pritur nga spitali i Fierit, kanë stimuluar simptoma të cilat në të vërtetë nuk i kanë vuajtur… ose Prokuroria ka mbyllur një apo të dy sytë kur ka dalë në përfundimin që shpëton Bankers Petroleum nga përgjegjësia penale.
Sa më sipër, mund të riparohet vetëm në një mënyrë: përmes kontrollit të hetimit nga Drejtoria e Kontrollit të Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilës i bëjmë thirrje të urdhërojë riçeljen e hetimeve sepse, të paktën sipas institucioneve përgjegjëse, normat e lejuara janë shkelur dhe se dëmi i shkaktuar është tepër i rëndë.
Res Publica