Viti 2015 ka qenë një vit aktiv sa i takon cështjeve të drejtësisë në vend. Reforma në Drejtësi në qendër të diskursit politik dhe të veprimtarisë parlamentare i ka dhënë një vëmendje të posaçme edhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si organi i nivelit më të lartë dhe më i rëndësishëm i sistemit të Drejtësisë.
Qendra Res Publica ka ndjekur nga afër punimet dhe diskutimet për Reformën në Drejtësi, ku një vend të rëndësishëm ka zënë edhe diskutimi për riorganizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të cilin Res Publica ka vënë në dispozicion të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi rekomandimet dhe opininonin e saj, në lidhje me disa aspekte të reformimit të këtij organi. Rekomandimet janë mbështetur në studimin e mëparshëm “Pandëshkueshmëria në procedimet disiplinore të gjyqtarëve: Analizë e disa prej shkaqeve që stimulojnë pandëshkueshmërinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë,” të publikuar nga Res Publica në Maj 2015, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Një pjesë e këtyre rekomandimeve gjetën pasqyrim edhe në “Analizën e Sistemit të Drejtësisë”, përgatitur nga Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe komisioni ad-hoc, Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, i ngritur në Qershor 2015.
Në vazhdimësi, dhe nën dritën e studimit të sipërpërmendur, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Res Publica ka vazhduar monitorimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë edhe për vitin 2015, në lidhje me transparencën, procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve, përballjen e këtij institucioni me fenomenet korruptive në gjyqësor, etj.
Një kopje elektronike të raportit mund ta shkarkoni duke klikuar këtu.