Drejtori i Kryeministrisë, Gjovalin Prenga, pretendon se është cenuar nga përdorimi i fjalës “spiun”
Gazetarja e gazetës “Shekulli”, Lindita Çela, u padit penalisht në Gjykatën e Tiranës nga Gjovalin Prenga, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri, një ngjarje kjo që konsiderohet nga gazetarët si një akt presioni ndaj medias në tërësi, ushtruar drejtpërsëdrejti nga qeveria.
Prenga e ka ngritur padinë e tij për shpifje në bazë të nenit 102 të Kodit Penal në shkurt të këtij viti, duke pretenduar se gazetarja Çela i ka cenuar personalitetin në një shkrim të publikuar tetorin e kaluar. Neni 102 e dënon shpifjen me gjobë deri në dy vjet burg.
“Padia mbart elemente qesharake”, tha Çela dje për gazetën “Shqip”.
“Shkrimi është bërë tetorin e kaluar, por vetëm në shkurt të këtij viti, zyrtari Prenga e ka parë të arsyeshme të ngrejë padi. Kjo distancë kohore nga ngjarja te padia, më bën të mendoj se padia nuk lidhet thjesht me shkrimin”, thotë Çela.
Prengës iu dha e drejta e replikës ndaj shkrimit në fjalë menjëherë pas publikimit të lajmit, ku tha se fakti që pati punuar në Ministrinë e Brendshme, nuk mund të shërbente për klasifikimin e tij si spiun i Sigurimit të Shtetit. Sipas Prengës, në kohën kur ai është emëruar në Ministrinë e Brendshme, dega e Sigurimit të Shtetit qe ndarë nga Ministria për të krijuar Shërbimin Informativ Kombëtar.
Spiuni në thonjëza
Në tetor 2011, Shaban Memija, në atë kohë kreu i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, akuzoi njërin prej drejtorëve të agjencisë së tij për të shkuar të dyshimtë të lidhur me Ministrinë e Punëve të Brendshme në vitet e fundit të komunizmit. Memija shpërndau në shumë media një dokument të nxjerrë nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku tregohej se drejtori Ferdinand Shehu, pati fshehur nga CV-ja e tij një periudhë 4-vjeçare, gjatë së cilës pati punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Deklarata e Memisë shoqërohej me një dokument në vitit 1992, të Ministrisë së Brendshme, me vulën “sekret” ku urdhërohej marrja në punë e 13 vetëve, mes të cilëve, edhe z. Shehu.
Gazetarja Lindita Çela e analizoi më tej këtë shkresë dhe i rezultoi se edhe dy ish-deputetë të Partisë Demokratike, sot zyrtarë të qeverisë, Gjovalin Prenga dhe Safet Sula, qenë gjithashtu emëruar për të punuar në Ministrinë e Brendshme.
Lajmi me titullin “Memia zbulon dhe “spiunët” pranë Kryeministrit Berisha”, u publikua më 7 tetor 2011.
Sipas aktpadisë të dorëzuar në gjykatë nga Prenga, ky i fundit nuk hedh poshtë vërtetësinë e dokumentit dhe as të shkuarën e tij si punonjës i Ministrisë së Brendshme, por pretendon se përdorimi i fjalës “spiun” është i pavend dhe dëmtues për të.
Prenga kërkon që në rast se gjykata i jep të drejtë, vendimi i gjykatës të publikohet në mënyrë të përsëritur nga gazeta “Shekulli” dhe që kjo e fundit të paguajë ripublikimin e vendimit në pesë gazeta të tjera.
“Gazetarja ka qenë korrekte në raportimin e lajmit, pasi edhe fjalën spiun e ka përdorur në thonjëza”, komentoi dje Andi Kananaj, avokat i qendrës “Respublica”, i cili ka marrë përsipër të ndihmojë mbrojtjen ligjore të gazetares Çela në Gjykatë.
“Ky proces gjyqësor, nga organizata jonë konsiderohet si një dëshmi e agresivitetit që zyrtarë të tillë të lartë manifestojnë ndaj gazetarëve për shkrimet e tyre të cilat bazohen mbi referenca dhe dokumente të afishuara publike”, tha Unioni i Gazetarëve në një njoftim për shtyp, duke ofruar mbështetje të plotë morale dhe materiale për gazetaren Çela.