Gazetarja Lindita Çela nga Rrjeti Investigativ i Gazetarëve Globalë OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project) fiton betejën ligjore ndaj Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të drejtën e informimit, me mbrojtje nga avokatët e qendrës “Res Publica”.
Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë më 27 qershor 2024, Gjykata e Posaçme detyrohet të vërë në dispozicion informacionet dhe dokumentet e kërkuara nga kjo organizatë që në janar të vitit 2023.
Më 23 janar të vitit të kaluar, gazetarja Lindita Çela nga OCCRP dërgoi pranë GJKKO-së kërkesën për informacion ku i kërkonte vendosjen në dispozicion të akteve dhe dokumenteve gjyqësore të dosjes hetimore lidhur me operacionin policor të quajtur “Lugina e Vilunit”, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2014 që kishte të bënte me trafikimin e narkotikëve.
Gjykata e Posaçme refuzoi dhënien e dokumenteve me argumentin se publikimi i akteve të dosjes ishte i ndaluar pasi janë “sekret shtetëror”. Pavarësisht se seancat gjyqësore ndaj të pandehurve u bënë me dyer të hapura dhe procesi gjyqësor kishte përfunduar në maj të vitit 2016, GJKKO nuk pranoi të vendoste në dispozicion informacionet e kërkuara me argumentin se aktet ishin të ndaluara për publikun.
Ky vendim e detyroi gazetaren Çela të depozitonte më 6 mars 2023 pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit ankesën për informacionin e mohuar nga GJKKO-ja. Gati një muaj më pas, Komisioneri për të Drejtën e Informimit doli me vendimin që Gjykata e Posaçme duhet t’i jepte gazetares aktet e kërkuara duke anonimizuar të dhënat personale të personave të përfshirë në procesin gjyqësor. Ky vendim nuk u mirëprit nga GJKKO-ja, e cila e ankimoi vendimin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Në procesin gjyqësor të nisur në prill 2024, gazetarja Lindita Çela u përfaqësua nga avokatët e qendrës “Res Publica”, të cilët së bashku me juristët e Komisionierit për të Drejtën e Informimit, Andi Meçi dhe Eneida Bardhoshi, kërkuan rrëzimin e kërkesë-padisë të ngritur nga GJKKO. Sipas tyre, padia ishte e pabazuar në ligj dhe në prova, pasi Gjykata e Posaçme nuk kishte përcaktuar se cila pjesë e akteve gjyqësore ishte sekrete. Gjithashtu, avokatët argumentuan se të dhënat e kërkuara nga gazetarja Çela i përkisnin një rasti të gjykuar me dyer të hapura dhe se pretendimi për refuzimin e informacioneve se të dhënat që përbënin “sekret shtetëror” ishte i pabazuar në ligj.
Sipas ligjit shqiptar, cilësohet “sekret shtetëror” çdo dokument ose material që, pavarësisht formës dhe natyrës së tij, i është vendosur një nivel i caktuar klasifikimi dhe një periudhë e caktuar sipas ligjit për t’u cilësuar si “sekret shtetëror”. Megjithatë, informacioni i kërkuar nuk i përkiste kategorisë “sekret shtetëror”. Edhe nëse do të cilësohej si i tillë, sipas legjislacionit shqiptar, e drejta e informimit nuk mund të kufizohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumentet e klasifikuara “sekret shtetëror”.
“Në këtë rast autoriteti publik të cilit i është dërguar kërkesa për informacion fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin,” – parashtroi avokatja Brunilda Qershori, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me informacione “sekrete shtetërore”.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, Selvie Gjoçaj, mori vendimin që do t’i jepte të drejtë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe palës së tretë, gazetares Lindita Çela, duke e cilësuar padinë e GJKKO-së si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Vendimi i dhënë nga Gjykata Administrative shënon rastin e parë ku një gazetar ka fituar një çështje gjyqësore ndaj një institucioni të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, siç është GJKKO-ja.
“Vendimi i Gjykatës i jep të drejtën gazetarëve për të aksesuar një informacion publik nga njëra anë dhe duke “edukuar” institucionet në detyrimin për të dhënë informacionin nga ana tjetër. Duhet thënë se ky vendim sjell një precedent të mirë për çdo individ dhe sidomos me gazetarët të cilët hasen çdo ditë me pengesa për të pasur akses në informacionin publik në aktet gjyqësore, një e drejtë kjo që parashikohet nga ligji “Për të drejtën e informimit” si dhe nga neni 23 i Kushtetutës”, – u shpreh avokatja e qendrës “Res Publica”, Brunilda Qershori.