Gjyqtarët Hado, Hajdari e Demiraj më në fund shpallën shkurtimisht kush u dënua dhe sa u dënua për shpërthimin e Gërdecit më 15 mars 2008. Para një publiku të lodhur nga pritja dhe gati gati të bezdisur nga emri Gërdec, gjyqtarët i prenë fjalitë e shkurtra përmes një solemniteti të sforcuar. Ndonëse mori gjithë kohën e nevojshme, gjykata nuk publikoi asnjë arsye dhe argumentim për vendimin. Kështu në këtë 10 ditësh reflektimi, palët e paqarta do të enden qorrazi nëpër sportele gjykatash për të bërë ankesa formale dhe pa sens kundër një arsyetimi që askush nuk di se kur do publikohet. Ndonëse gjykata mori kohën më komode të mundshme duke tjerrë procesin për mbi 1000 ditë dhe ndonëse gjykatësit nuk kishin asnjë gjyq tjetër në planin ditor të punës, përsëri ata nuk e gjetën dot kohën që t’i japin publikut vendimin e plotë. Pa u zbardhur vendimi është e vështirë të bësh një analizë të pjekur, por edhe me kaq sa lexoi gjyqtari në sallë, na është dhënë mundësia të kuptojmë mjaftueshëm për të bërë një analizë paraprake. Është njëlloj sikur të jetë hapur një dritare e vogël dhe ne mund të shohim nga brenda këtë tezë provimi të drejtësisë shqiptare.
Gjëja e parë që u perceptua nga të gjithë që në fillim ishte rënia e akuzës së vrasjes në rrethana të cilësuara. Kështu, sipas gjykatës nuk ka vrasje siç pretendonte prokuroria. Sigurisht që kjo nuk mohon faktin që në Gërdec humbën jetën 26 persona. Thjesht këto humbje jete u riklasifikuan si pasoja anësore të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Njohësit e ligjit e dinë mirë se gjykatës i lejohet të bëjë një riklasifikim të tillë, ndaj deri këtu duket si një triblim brenda rregullave të lojës.
Diferenca kryesore mes klasifikimit të bërë nga gjykata në krahasim me atë që pretendoi prokuroria është më shumë tek masa e dënimit. Gjykata ka gjetur një nen më të butë duke hedhur idenë se burgimi i përjetshëm bëhet i papërshtatshëm. Por këtu nis problemi më i madh. Neni 289 i Kodit Penal, në paragrafin e dytë parashikon një dënim jo më pak se pesë vjet. Kjo do të thotë që gjykata teorikisht në aplikim të këtij neni mundet edhe të arrijë të japë dënim me burgim të përjetshëm. Këtë mund ta mbështesë edhe në nenin 31 të Kodit Penal, i cili lejon dhënien e burgimit të përjetshëm në rastet e një krimi të rëndë. Gjykatës në rastin konkret krimi i Gërdecit iu duk i nivelit mesatar, as i lehtë e as i rëndë. Kjo është dhe pjesa që gjykatësit zakonisht tentojnë të justifikojnë më pak në dhënien e vendimit, por, me apo pa justifikimin e gjyqtarëve, mund të themi me plot gojë se vendimi ishte një përkëdhelje. Miklimi i zemëratës së familjarëve të viktimave me 18 vitet impresionuese të dënimit për dy të pandehur ishte një tentativë e dështuar. Shifrat 18 apo 10 janë shumë joproporcionale me ngjarjen. Le të shohim disa rrethana për ta kuptuar më mirë këtë:
Së pari, në përcaktimin e masës së dënimit merren parasysh rrethanat rënduese. Në rastin e shpërthimit të Gërdecit janë plot të tilla si p.sh.: krimi është kryer në bashkëpunim, është kryer me motivin e përfitimit ekonomik, është kryer duke përdorur lëndë plasëse, është kryer kundër fëmijëve e grave, është kryer duke shpërdoruar funksionet publike, etj. Sikur një nga këto rrethana të ekzistojë gjykata e ngre stekën më lart. Kur këto rrethana janë kaq shumë sa rendita më lart, masa e dënimit duhej të kishte kapur vlera të skajshme.
Së dyti, në përcaktimin e masës së dënimit merret parasysh edhe dëmi i shkaktuar. Shpërthimi i Gërdecit nuk ishte një plasje e vogël ordinere, nga e cila dikush dogji krahun apo dikush theu këmbën. Nga ky shpërthim kataklizmik, u vranë e u coptuan në sekondë mbi 20 vetë, gra shtatzana e fëmijë foshnje. Edhe ata që i mbijetuan sekondit të parë, u përpërlitën mes dhimbjeve të pakurueshme, dhe në ndonjë rast edhe për ditë e javë të tëra para se të ndërronin jetë. Shpërthimi plagosi me qindra të pafajshëm, gjymtoi fëmijë, ndërpreu shtatzani duke kontribuar në shtimin e jetëve të humbura apo të pafilluara fare. Shpërthimi la pa shtëpi dy fshatra të tërë dhe tronditi gjithë kryeqytetin. Pa dyshim që ky dëm ishte i mjaftueshëm që gjykata të rrihte fort çekiçin pasi të jepte me bindje të patundur dënimin me burgim të përjetshëm për shkaktarët.
Së treti, sikur të mos mjaftojnë këto, gjykata edhe në vlerësimin e shkallës së fajit do të dilte në konkluzionin që burgimi i përjetshëm do të ishte i pashmangshëm. Në Gërdec nuk është se u zbatuan 99 rregulla në mënyrën më rigoroze të mundshme dhe humbja e përkohshme e vëmendjes ndaj rregullit 100 shkaktoi tragjedinë. Përkundrazi, në Gërdec nuk u zbatua asnjë rregull. Gjatë leximit të raportit të ekspertëve ushtarakë ishte një mundim i madh të qëndroje pa vënë duart në kokë në çdo paragraf. Asnjë masë mbrojtëse, asnjë kontroll, asnjë vegël e specializuar. E gjithë kjo ndodhi për të kursyer një grusht para më shumë. Nëse ishte planifikuar të fitoheshin 1 milionë dollarë, atëherë duke mos përdorur mjetet e duhura do të mund të kurseheshin edhe ca mijëra dollarë më shumë. Duke punësuar fshatarë dhe fëmijë të mitur e jo specialistë të mirëfilltë demontimi, do të mund të kurseheshin edhe ca paga më shumë. Duke futur në punë gratë për të bërë transport hekurishtesh, do të mund të kursehej blerja e një makinerie pirun. Duke shpërfillur edhe telat që duheshin lidhur për të shkarkuar elektricitetin statik të tavolinave, u kursyen edhe ca qindarka. Madje aq e rëndë ishte gjendja sa që të ndjerit Qemal Deliu iu desh të saldonte vetë karrocën e tij sepse pronarët nuk shpenzonin as për karrocë e as për saldim. Kjo qasje ndaj rregullave dhe motivi tërësisht i përfitimit ekonomik i nivelit makut, ishte tregues i një shkallë të lartë faji, që gjykata duhej ta kishte vlerësuar drejt në momentin e përcaktimit të ashpërsisë së vendimit.
Por vendimi ishte i butë dhe gati gati i pambuktë. Ndryshe nga krimet ordinere të vjedhjes së bicikletave ku gjyqtarët janë të ashpër, në rastin e krimit të Gërdecit gjykata u tregua e mëshirshme dhe e moderuar, me një muzikalitet gati në mi minor…
…Gjykata aplikoi paragrafin e fundit të nenit 55, njëlloj sikur të kishte të bënte me ndonjë vjedhje ushqimesh me qëllim ushqyerjen e fëmijëve të mitur nga një prind i papunë. Ky paragraf lejon gjykatën që të verë dorën në zemër dhe me humanizëm të bëjë një skonto të madhe për ndonjë burrë të mirë që halli e ka katandisur të bëjë kriminelin. Ky paragraf aplikohet vetëm kur personat nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Kështu, p.sh. të pandehurit Y. Pinari iu mblodhën vitet e burgut duke i skontuar aty për aty 10 vjet burgim. E njëjta gjë ndodhi pothuaj për të gjithë. Sipas gjykatës, ata të gjithë janë persona të parrezikshëm dhe burra të mirë, megjithëse personalisht nuk arrij dot të përfytyroj askënd që njoh që të ndodhë të punësojë fëmijë të mitur për të demontuar predha 152 mm me rrezikun që t’i plasë në fytyrë. Ndoshta kjo sjellje nuk e bën njeriun aspak të rrezikshëm sipas botëkuptimit të gjyqtarëve. Ndoshta gjyqtarët kanë qenë aq shumë të zënë me studimin e kësaj dosjeje sa që janë shkëputur nga realitetit dhe nuk e perceptojnë atë si ne të tjerët.
Nga dritarja e vogël, shoh edhe një problem tjetër. Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë nuk përthith të gjitha vrasjet, siç mund të mendohet në momentin e parë. Ky nen vlen në rastet e humbjes së jetës të punonjësve të fabrikës. Por kush u përgjigj për vrasjet jashtë fabrikës? Ku është përgjegjësi për vrasjen e atyre fëmijëve që luanin me biçikletë në oborrin e shtëpisë? Këtu duhet gjetur një nen tjetër dhe gjykata duket se e ka vrarë mendjen edhe për këtë aspekt. Gjyqtarët nxorrën nga kapelja e magjistarit nenin 282, që bën fjalë për shkeljen e rregullave për lëndët plasëse. Me këtë nen u dënua vetëm Mihal Delijorgji. Pra sido që do ta rrotullojë gjykata arsyetimin në vendimin e zbardhur, një gjë është e qartë: Pinari, Ngjeci dhe Minxoli janë përgjegjës për vrasjet brenda fabrikës, ndërsa Delijorgji për vrasjet jashtë fabrikës. Por, si ka mundësi që personi i vetëm për vrasjet jashtë fabrikës të dënohet vetëm me 10 vjet burg? Përgjigja është tek vetë neni 282, i cili parashikon një dënim maksimal prej 10 vjetësh. Kësisoj gjykatës nuk i ka mbetur shumë zgjedhje dhe ka dhënë maksimumin e dënimit. Nëse ndalemi pak këtu, vëmë re se ndonëse shkeljet e rregullave janë bërë kolektivisht nga të gjithë, dënimet janë dhënë ose për njërën shkelje, ose për tjetrën. Kështu askush nuk përgjigjet edhe për shkelje të rregullave në punë, edhe për shkelje të rregullave me lëndët plasëse. Nëse do të ndodhte të mendohej kështu, gjykatës do t’i duhej të jepte dënime shumë më të rënda, por për rrethana ende të paqarta kjo gjë nuk ndodhi.
Po ta mendojmë pak më thellë një gjë është e qartë, që përgjegjësia për humbjen e jetës ka edhe pasoja në padinë civile që kanë ngritur familjarët. Kështu familjarët e fëmijëve të vrarë në oborrin e shtëpisë do të duhet t’i kenë hesapet vetëm me Delijorgjin dhe Albdemil sh.p.k., ndërkohë shteti, Ministria e Mbrojtjes apo MEICO, do të tentojnë të dalin me duar të lara.
Dritarja e vogël ofron edhe një pamje mjaft interesante në lidhje me krimin e shpërdorimit të detyrës. Për këtë krim, gjykata aplikoi disa skonto, të cilat e bëjnë dënimin për këtë krim të pakonsiderueshëm për të dënuarit kryesorë, ndërkohë që për të tjerët është në nivel të ulët. Por ama një gjë bie në sy, që Prokuroria e Përgjithshme në përgjithësi nuk paska gabuar në faktimin e këtij krimi në të gjitha instancat. Duke u pranuar pa ndryshime akuzat e pretenduara nga prokurorët për krimin e shpërdorimit të detyrës, krijohen premisat të besohet më fort se kurrë se i njëjti fat pret edhe akuzën e mbetur pezull ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes. Gjasat që prokuroria të ketë gabuar vetëm tek dosja e ish Ministrit janë të vogla. Ky është tregues se gjyqi i mbetur pezull ka sot një arsye më të fortë për t’u vënë në lëvizje, arsye që shihen qartë nga dritarja e vogël e vendimit të Gërdecit.
Megjithatë vendimi i arsyetuar është ende i fshehur atje brenda mendjes së gjyqtarëve. Ndërkohë që ditët ikin, të dënuarit shkarkojnë nga kalendari ditët e burgimit eventual, në komoditetin e shtëpisë dhe të ndonjë shëtitjeje në natyrë sipas rastit. Sigurisht që gjykata mund të kujdesej dhe për këtë aspekt, por njëlloj si për uljen e dënimit, ashtu duhet të ketë funksionuar e njëjta bindje për parrezikshmërinë shoqërore të të pandehurve edhe në lidhje me riaktivizimin e masave të sigurisë.
Pas një pritjeje 4 vjeçare natyrisht që do të presim edhe disa ditë. Fundja zbutja e pafalshme e gjykatës para krimit më të rëndë të këtyre 20 viteve është shumë më e rëndë se kostoja kohore e këtij gjyqi tragji-komik. Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të përballet me një mision të vështirë nëse do t’i duhet të justifikojë gjyqtarët dhe t’u japë atyre notën kaluese në këtë performancë kaq mediokre. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por nëse drejtësia është e vonuar dhe mohuese njëkohësisht, atëherë ajo humbet nocionin e saj njerëzor të ekzistencës.