Në fillim të javës, Koalicioni Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore, zhvilluan takimin e dytë këshillues me aktorët lokal në Shkodër. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Shkodër, përfaqësues nga Departamenti i Mjedisit dhe Planifikimit Strategjik pranë Bashkisë Shkodër, Fakulteti i Shkencave të Natyrës pranë Universitetit te Shkodrës dhe organizatave të shoqërisë civile lokale.
Diskutimi me aktorët lokal u përqëndrua në problematikat e vendimarrjes për rishikimin dhe rizonimin e Zonave të Mbrojtura. Konkretisht në drejtim të:
1. Impaktit të pritshëm në integritetin biologjik dhe social-ekonomik lokal në ZM-të, vecanërisht në Rezervatin Natyror të Menaxhuar (RNM) “Liqeni i Shkodrës”;
2. Trendeve dhe hartëzimit të eksponentëve zhvillimor jo të qëndrueshëm në zonë;
3. Diskutime rreth procesit konsultativ të ndërmarrë nga autoritetet publike.
Në Janar 2022 janë miratuar dy Vendime të Këshillit të Ministrave, VKM Nr. 59 dhe VKM Nr. 60, të cilat ndryshojnë kufijtë dhe zonimin e ZM-ve, kategoria e II dhe IV, në të gjithë territorin e vendit. Në rajonin e Shkodrës, ky ndryshim ka sjellë heqjen e rreth 2920 ha nga ZM Liqeni i Shkodrës dhe janë bashkuar Zonat e Mbrojtura në rajonin e Alpeve të Shqipërisë, ku rizonimi ka sjellë jo pak ndryshime në drejtim të ekspozimit te tyre ndaj zhvillimeve jo të qëndrueshme.