Betejat ligjore të gazetarëve për të siguruar informacionin publik për rindërtimin
Gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile po përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar informacion në lidhje me procesin e rindërtimit. Shumica prej tyre janë detyruar ti drejtohen gjykatës për të siguruar akses në dokumente zyrtare për të publikuar më pas informacione apo analiza të pavarura nga qeveria.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, sipas të dhënave zyrtare, solli dëmtin në mbi 95 mijë banesa, prej të cilave 11 mijë u deklaruan të pabanueshme.
Për të menaxhuar situatën qeveria krijoi një strukturë të posaçme që e quajti Ministria e Shtetit për Rindërtimin, nën drejtimin e të cilit u emërua Arben Ahmetaj. Përvec fondeve nga buxheti i shtetit, qeveria deklaroi se siguroi nga Konferencën e Donatorëve në Bruksel më 17 shkurt 2020 një shumë prej 1.15 miliardë euro.
Por gazetarët e kanë thuajse të pamundur të kontrollojnë mënyrën se si qeveria shqiptare po përdor këto fonde teksa ka pasur raportime se përfitues këtyre projekteve janë kompani të lidhura me qeverinë.
Në Gjykatën Administrative të Tiranës janë hapur shumë procese gjyqësore nga organizata apo edhe gazetar të pavarur në përpjekje për të bërë transparencën e programeve të rindërtimit.
Qendra “Res Publica” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës për të detyruar organet publike të bëjnë publik informacionin për aspekte të ndryshme rreth procesit të rindërtimit.
Bashkia e Tiranës, apo edhe Instituti i Ndërtimit, kanë refuzuar të bëjnë publike dokumentet mbi akt ekspertizat e thelluara apo ekspertët e kontraktuar për realizimin e tyre. Në disa procese gjyqësore tashmë është vërtetuar se këto akt ekspertiza kanë qenë të pa bazuara në fakte.
Institucionet kanë refuzuar të publikojnë emrat apo edhe subjektet e donatorëve.
Nuk janë bërë publike kontratat e lidhura me subjektet përfitues, qoftë kur bëhet fjalë për demolimin ashtu edhe me kontratat e nënshkruara për ndërtimin e objekteve të dëmtuara. Qendra “Res Publica” ka hapur disa procese gjyqësore, por nuk është organizata e vetme në vend e cila për të siguruar informacion i është drejtuar gjykatës.
Gazetarët e Faktoje.al që ka nisur verifikimin e fakteve me pasojat e tërmetit menjëherë pas ngjarjes tragjike, përfunduan në gjykatë pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit refuzoi të jepte përgjigje për pyetjet në lidhje me zbatimin e projekteve të rindërtimit. Kryeredaktorja, Viola Keta thotë se procesi i rindërtimit shoqërohet në mungesë të plotë transparence nga qeveria.
“Ka pasur mungesë të theksuar transparence në procesin e rindërtimit dhe kjo mund të provohet nga dhjetëra kërkesa për informacion të nisura paralelisht në disa institucione, që nga Ministria e Rindërtimit, Kryeministria, Ministria e Financave, FSHZH menaxhuesja më e madhe e fondeve të rindërtimit. Vetëm pak prej tyre morëm përgjigje, përgjithësisht të paplota, ose nuk morëm fare përgjigje, edhe pas ankimit të Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Vitin e kaluar madje Faktoje ishte palë e tretë në çështjen e gjykuar nga Gjykata Administrative, pasi FSHZH refuzoi të jepte përgjigje për pyetjet e detajuara në lidhje me zbatimin e projekteve të rindërtimit” – tregon kryeredaktorja e Faktoje.al.
Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për Ministrinë e Rindërtimit është shembulli i mirë për të treguar transparencën e qeverisë të thotë Valmora Gogo, gazetare, themeluese e “Gogo.al”, media online e fokusuar në gazetarinë investigative dhe ka publikuar disa shkrime lidhur me procesin e rindërtimit.
Sipas Gogos shkeljet më të mëdha të gjetura qendrojnë te fakti se ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk e ka të dokumentuar përgatitjen dhe propozimin e projekteve të përgjithshme e të veçanta, që të ishin pjesë e programeve të procesit të rindërtimit. Ky institucion nuk i ka të dokumentuara informacionet për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit.
“Këto shkelje faktojnë terrenin konkret se si ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe strukturat e posaçme kanë punuar nga 10 janari i vitit 2020 deri më 30 prill të vitit 2021, qartësisht në mungesë të dokumentacioneve dhe në tejkalime kompetencash. Mendoni tani se si ka qenë puna për një gazetar që ka shkruar mbi rindërtimin në Shqipëri” – thotë Gogo.
Por për gazetarët lokalë, si Geri Emiri, situata duket se është më e pashpresë.
Sipas tij, procesi që pasoi menaxhimin e krizës natyrore krijoi shuma barriera dhe vështirësi për gazetarët por edhe për qytetarët lidhur me informacionet publike.
“Pas përfshirjes së disa autoriteteve publike në menaxhimin e procesit të rindërtimit institucionet ishin të paqarta për përgjegjësitë e tyre dhe informacionet që duhej të dispononin apo të bënin publike” – shprehet editori i Amfora.al
“Për pyetje që kërkonin të dhëna specifike, si për numrin e godinave të dëmtuara, akt-ekspertizat e realizuara, fondet e parashikuara, ecurinë e tyre dhe çështje të ngjashme, më është dashur t’i drejtohem disa herë autoriteteve publike që të jepnin një informacion pothuajse të plotë nga sa kërkohej” – shpjegoi gazetari që punon në qarkun e Durrësit.
Refuzimi i informacionit ku bëhet fjalë për transparencë të fondeve apo edhe zbatimin e projekteve duket se është kthyer në normë për qeverinë. Kryeredaktorja Keta thotë se kërkesat për informim të Faktoje për këto çështje janë refuzuar.
“Faktoje, e cila ka në praktikën e punës së vet përdorimin e kërkesave zyrtare për informacion, ka hasur në pengesa të vazhdueshme për marrjen e përgjigjeve ezauruese kur vjen fjala tek transparenca e fondeve të destinuara për rindërtimin dhe zbatueshmërinë e projekteve, jo vetëm për banesat individuale apo ato kolektive, por edhe per objektet publike fjala vjen si ato të arsimit apo shëndetësisë. Kjo nuk lidhet vetëm me mungesën e transparencës kundrejt gazetareve apo mediave, edhe pse në fjalime të zyrtarëve dëgjojmë shpesh të përdoren terma si transparenca është jetike” – thotë Keta.
Kundër propagandës
Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli në mbledhjen e tij të parë të punës si kryetar i qeverisë në mandatin e tretë, krijimin e një agjencie të centralizuar, nën kontrollin e zëdhënësit të tij.
“Është një mekanizëm për të garantuar transparencën maksimale në raport me ju. Për të garantuar që nëse ju hasni një problem në një institucion dhe pengoheni që të merrni informacionin zyrtar në dispozicion t’i drejtoheni këtij mekanizmi,” – shpjegoi Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp me ish ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.
Por transparenca nuk garantohet aspak nga qeveria shqiptare sipas kryeredaktores së Faktoje.al.
“Mungesa e transparencës nisi me mungesën e përgjigjeve zyrtare apo zvarritjen e tyre, për heqjen e rrënojave të pas-tërmetit, shembjen objekteve të pabanueshme në afatet e përcaktuara nga qeveria. Sot jemi dëshmitarë të mos mbajtjes së premtimit se në pranverën e këtij viti nuk do kishim asnjë gjurmë nga tërmeti i 2019-s. Kjo shkelje premtimesh lidhet drejtpërdrejte edhe me fondet dhe menaxhimin e tyre, duke krijuar një efekt zinxhir, me rezultat zvarritjen e gjithë procesit të rindërtimit.” – shpjego Keta, sipas së cilës dhe institucionet audituese, si KLSH, raportuan mungesë informacioni në lidhje me fondet apo projektet e rindërtimit.
Për Geri Emirin, zinxhiri i institucioneve, qeverisje vendore dhe qendrore, së bashku me autoritetet publike në varësi të tyre, krijuan një kakofoni për qytetarët që nuk arrinin të merrnin një përgjigje të saktë për fatin e banesave të tyre.
Përballë qeverisë, betejën e transparencës e ka humbur edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit, institucion ky i krijuar për të garantuar aksesin në dokumentet publike.
Gogo thotë se procedurat për të kërkuar informacion janë shndërruar në formalitetet që duhen ndjekur por gazetarët rrallë ia dalin të sigurojnë informacionin e duhur në raportimet e tyre.
“Pritja e përgjigjeve nga qeveria, bashkitë apo institucione të tjera që janë marrë me rindërtimin është kthyer thjesht në një formalitet, sepse ose gjuha e përgjigjeve ka qenë e drunjtë, pa informacionin e kërkuar nga gazetarët, ose ka pasur vonesa të cilat as Komisioneri nuk i ka zgjidhur dot.”- tregon Gogo.
Ndërsa për gazetarin investigativ Artan Rama, Komisionari për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është shndërruar në shkelësin më të madh të kësaj të drejte. Arbitrarisht, ai po zëvendëson praktikën e vendimmarrjes me dhënien e rekomandimeve.
“Zyra e Komisionerit ka dalë haptas kundër aksesit, duke keqinterpretuar kufizimet e nenit
17 ligjit për të drejtën e informimit, si gjoja standarde të padiskutueshme. Nëpunësit e së drejtës për informim pranë zyrës së Komisionerit i lexojnë klauzolat e ligjit përciptazi dhe në dëm të
aksesit për informacion, duke favorizuar qendrimet jotransparente të autoriteteve publike.” – thotë Rama.
Viktimat dhe banorët e prekur nga tërmeti
Bashkia e Durrësit ka shpenzuar mbi 12 milionë Euro për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të qindra pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Geri Emiri thotë se banorët dhe ekspertët ankohen se riparimet janë fokusuar tek fasada dhe nuk po i shërbejnë rritjes së sigurisë së godinave.
“Një pjesë e madhe e banorëve të godinave të dëmtuara nga tërmeti në Durrës i kanë kundërshtuar akt-ekspertimet e realizuara nga Instituti i Ndërtimit, si kontradiktore dhe të pasakta” – tregon gazetari nga Durrësi.
Kryeredaktorja e Faktoje.al tregon se në hulumtimet e tyre kanë mësuar se edhe qytetarëve iu refuzohet informimi nga qeveria për proceset që kanë të bëjnë më rindërtimin.
“Pa dashur të mohojmë përpjekjet e institucioneve për dhënien zgjidhje të rindërtimit, sot ka ende komunitete që nuk e dinë se ku do ta kenë banesën e re, kur kanë kaluar thuajse 3 vjet nga tërmeti i 2019” – shpjegon Keta.
Qytetarët janë detyruar të zhvendosen sipas planeve të qeverisë, pa u njoftuar dhe u përfillur në konstultime, sipas kryeredaktores Gogo.al.
“Mjafton t’ju kujtoj banorët e zonës së Tiranës, që janë programuar të jetojnë kilometra larg në fshatin Bubq, teksa këta banorë kanë pasur sytë nga gazetarët për informacione, sinjalizime për konsultime reale nga qeveria apo zgjidhje pa kaluar në dimrin e tretë në çadra” – thotë Gogo.
Gazetarët ngrënë shqetësimin se më së shumti përballen me propagandën e qeverisë se “po punohet mirë me rindërtimin”, se sa me informacione të cilat i ndihmojnë ato për të raportuar në mënyrë të pavarur. Megjithatë Gogo thotë se propaganda është sfiduar pasi gazetarët jo rrallë herë kanë zbuluar aferat që kanë shoqëruar procesin e rindërtimit.
“Gazetarët kanë zbuluar emra kompanish në konflikt interesi, vendime të njëanshme me zhvendosjet dhe përfitimin apo vonesa prej tre dimrash në ndërtim, ndërsa fondet kanë qenë aty” – thotë Valmora Gogo.
Për gazetarin Artan Rama çështja e transparencës së qeverisë duhet të ishte në qendër të një debati publik në vend.
“Mungesa e një debati lidhur me çështjet e transparencës në qeverisje, e favorizuar edhe nga
heshtja e një pjese të rëndësishme e shoqërisë civile në Tiranë, është dështimi më i madh në
përpjekjen për ndërtimin e një Shqipërie demokratike post tranzicion” – thotë Rama.
Qendra “Res Publica” i kërkoi koment qeverisë shqiptare lidhur me vështirësitë që gazëtarët dhe organizatat e shoqërisë civile hasin për të siguruar informacione dhe dokumente publike, duke i drejtuar pyetje konkrete Endri Fugës, drejtori i “Agjencia për Media dhe Informim”. Por deri në publikimin e këtij shkrimi “Res Publica” nuk mori asnjë koment nga qeveria shqiptare.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
L.C.