Zhvendosja e banorëve të prekur nga skema e rindërtimit është bërë në shkelje flagrante të ligjit. Nuk jemi në dijeni të qoftë edhe një dokumenti të vetëm që të vërtetojë se ndaj banorëve që u detyruan të shpërngulen pas tërmetit, të jenë zbatuar të drejtat që u garantohen nga ligji për strehimin social apo dhe nga VKM që përcakton procedurat e zhvendosjes, i miratuar në Maj 2019.
Megjithëse në ligj flitet qartësisht për detyrimin që njësia vendore ka ndaj personave të cilët janë të detyruar të shpërngulen, Res Publica konstaton se ky ligj është injoruar nga Bashkia në të gjitha veprimet që janë ndërmarrë në procesin e rindërtimit. Shkeljet kanë qenë flagrante kryesisht në Kombinat, Lagjen 5 Maji, apo edhe së fundmi në rrugën Myslym Keta në zonën e Kinostudios.
Për shkak të planeve zhvillimore të Bashkisë së Tiranës vetëm në Kombinat janë shpërngulur mbi 3 mijë persona, pasi më herët banesat e tyre u klasifikuan me dëmtim të masës DS4 dhe DS5. Sipas shifrave zyrtare, nga tërmeti janë prekur indirekt mbi 202 mijë shtetas, ku 17 mijë persona janë detyruar të shpërngulen. Res Publika ka konstatuar se të gjitha rastet e shpërnguljes janë bërë në kundërshtim me ligjin, jo vetëm në ato raste kur shembja u vendos në mënyrë abuzive dhe pallatet nuk ishin realisht të dëmtuar, por edhe në ato raste kur banesat ishin vërtet të dëmtuara.
Abuzimet e kryerja ndaj qytetarëve në rastet e shpërnguljes janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit i cili në një raport të publikuar me 3 Qershor 2022 dilte në përfundimin se prishja e ndërtesave dhe shpërngulja e banorëve u bë në kundërshtim me ligjin.
Ligji mbi Strehimin Social
Të gjithë personat, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, por edhe ata të cilët humbën shtëpinë e tyre për shkak të vendimeve të kontestueshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, konsiderohen si të pastrehë dhe trajtohen nga institucionet në bazë të ligjit për strehimin social, i miratuar në vitin 2018.
Ligji përcakton kategoritë që përfitojnë statusin e të pastrehut, programet sociale që kjo kategori përfiton si dhe detyrimet e njësive vendore për të garantuar një strehim të përshtatshëm për të gjithë individët që janë subjekt i këtij ligji.
Neni 13 thotë se statusin e përfituesit nga programet sociale e gëzon çdo individ që ka mbetur i pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore. Bashkia e Tiranës refuzoi të japë informacion të saktë se sa familje kanë përfituar këtë status si rezultat i procesit të ndërtimit. Dokumentet e grumbulluara nga Res Publica tregojnë se vetëm në Tiranë janë planifikuar për të shembur 95 objekte. Për periudhën 2020-2022, nga monitorimi në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë, rezulton se janë miratuar në total 67 vendime për shembjen e detyruar të objekteve.
Vendimet bashkiake bazohen në Aktin Normativ nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” ku dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti vlerësohen ndërmjet shkallëve nga DS1 në DS5, ku DS1 është shkalla më e lehtë e dëmtimit dhe DS5 shkalla më e rëndë e dëmtimit. Nëse shkalla është e lehtë dhe mesatare, pra nga DS1-DS3 banorët marrin një fond financiar në varësi të dëmtimit. Për shkallën e dëmtimit DS4, sipas nenit 34 të aktit normativ, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruar të këtij objekti. Ndërsa në rastin kur shkalla e dëmtimit është DS5 ajo shembet sepse përbën rrezik iminent.
Menjëherë pas nxjerrjes së këtyre akteve, të gjithë banorët e prekur përfitojnë statusin e të pastrehut dhe Bashkia e Tiranës është e detyruar që t’i trajtojë ata në bazë të ligjit për strehimin social. Grupimi për Kombinatin thotë se vetëm në Kombinat janë shpërngulur mbi 3000 persona ndërkohë në planet e Bashkisë së Tiranës janë për t’u shembur, të paktën edhe 27 pallate të tjera.
Res Publica e pati të pamundur të për zbuluar numrin e saktë të familjeve që kanë humbur banesën e tyre për shkak të procesit të rindërtimit, por zyrtarë të Bashkisë së Tiranës kanë deklaruar në media se janë rreth 2274 familje që trajtohen me bonus qiraje sipas ligjit për strehimin social.
Dokumentet dhe intervistat tregojnë së në të gjitha rastet e trajtuara nga Bashkia janë në kundërshtim të plotë me ligjin e strehimit social dhe aktet e qeverisë që përcaktojnë kriteret e qarta të shpërnguljes së banorëve kur ata kthehen në përfitues të programeve të qeverisë për strehimin.
Res Publica nuk gjeti asnjë rast të vetëm që banorët të jenë njoftuar mbi arsyet e zhvendosjes 30 ditë përpara nxjerrjes së aktit administrativ të Bashkisë, si dhe të jenë informuar për mundësitë alternative të strehimit të tyre, siç ligji e parashikon.
“Çdo subjekt që zbaton një program social strehimi përfshin në proces konsultimi komunitetin që preket dhe e njofton atë për ato që përfiton nga programi”- thuhet në nenin 8 të ligjit.
Banorët e prekur nga procesi i rindërtimit i thanë qendrës Res Publica se ata kurrë nuk kanë qenë të përfshirë në një proces konsultimi me autoritetet vendore, jo vetëm për planet zhvillimore por edhe për mënyrën e trajtimit të tyre pas rrënimit të banesave. Sot pas 3 vitesh nga tërmeti mijëra banorë janë ende të paqartë mbi mënyrën se si do të trajtohen nga Bashkia për strehimin e tyre.
Sipas ligjit, organet e njësive të vetëqeverisjes vendore duhet të sigurojnë, “informacion të plotë, të lehtë për t’u gjetur, të kuptueshëm dhe të lexueshëm për çdo familje. Informacioni duhet të përmbajë: i) llojin e programit social të strehimit që zbatohet në atë njësi të vetëqeverisjes vendore; ii) kushtet që duhet të plotësojnë subjektet e interesuara për t’u përfshirë në programin specifik të strehimit; iii) dokumentacionin që kërkohet për verifikimin e të dhënave që deklaron subjekti i interesuar; iv) procedurën që do të ndiqet nga njësia e vetëqeverisjes vendore për miratimin e përfituesve; v) organin ankimor, të cilit duhet t’i drejtohet subjekti që nuk është përzgjedhur si fitues, afatet kohore dhe formatin e ankimit”.
Por në vend të informacioneve të plota, siç parashikon ligji, Res Publica ka zbuluar se në të gjitha rastet e shembjes së objekteve banorëve u kanë mbërritur njoftime verbale dhe në ndonjë rast ndonjë fletushkë pa firmë e vule, që lajmëronte prishjen e detyruar të godinës dhe urdhëronte braktisjen e apartamenteve, vetëm pak ditë ose orë para shembjes.
E vetmja ndihmë e ofruar familjeve të prekura është një shumë parash e quajtur “Bonusi i strehimit për tërmetin”
Për shembull, një familje me 4 pjesëtarë përfiton një shumë prej 18 mijë lekësh të reja, ndërkohë që shuma më e lartë e akorduar është ajo e 24 mijë lekëve të reja.
Forma që Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të kompensojë familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore nuk përcaktohet në asnjë prej neneve të ligjit për strehimin.
Madje sipas VKM për zhvendosjen e familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, njësia e vetëqeverisjes vendore ofron strehimin përmes subvencionimit të qirasë, vetëm pasi ka siguruar kontrata me pronarin social.
Sipas deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës kanë qenë familjet ato të cilat kanë përcaktuar vendstrehimin e tyre ndërkohë që shumica prej tyre kanë zgjedhur periferinë për shkak të tarifave të larta të qirasë në zonat urbane.
Këto nuk janë shkeljet e vetme që Res Publica ka konstatuar në procesin e rindërtimit. Dhjetëra procese gjyqësore dhe intervista tregojnë se shpërngulja e banorëve, banesat e të cilëve janë rrënuara nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë kryer në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të familjeve që zhvendosen” – thuhet në ligj sipas të cilit familjet që preken përfitojnë ndihmë juridike të garantuar nga shteti.
Forca e Maliqit
Mëngjesin e 18 Qershorit 2021 disa fadroma të IMT rrethuan pallatin 153 në rrugën “Sokrat Mosko” në Kombinat, duke nisur në këtë mënyrë ekzekutimin e vendimit të Këshilli Bashkiak i Tiranës. Për një vit, asnjë prej zyrtarëve të bashkisë së Tiranës nuk kishte gjetur kohë të njoftonte banorët për vendimet e ndërmarra nga ky institucion për prishjes banesave të tyre. Fadromat thjesht nisën punë e tyre të rrënimit të gjithçkaje aty.
Një vit e 7 muaj më pas, qindra forca policie rrethuan rreth orës 04:00 të mëngjesit pallatin nr. 4 në rrugën “Myslym Keta”.
Në kundërshtim të plotë më ligjin i cili “ndalon dëbimin e individëve/familjeve nga vendbanimi i tyre”, burra e gra u nxorën forcërisht nga shtëpitë e tyre, pasi Bashkisë së Tiranës i duhej me urgjencë shembja e pallatit ende pa zbardhur dita e hënë.
Në orën 09:00 të datës 19 Dhjetor 2022, në gjykatën Administrative ishte planifikuar për t’u zhvilluar seanca ku do të shqyrtohej kërkesa për të pezulluar shembjen e objektit nga fadromat e IMT, deri sa të kishte një vendimmarrje mbi ligjshmërinë e akteve të prodhuara nga Bashkia e Tiranës dhe Institutit i Ndërtimit.
Fadromat e IMT prishën shkallët hyrëse në katet e para të pallatit dhe pse ligji parashikon ankimin e vendimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Në kundërshtim të plotë me ligjin, për t’i nxjerrë me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre, shteti u angazhua me të gjithë forcën e tij.
“Vijnë dy vetë civilë në 04:00 të mëngjesit, na presin ujin dhe policia i mbështet. Nuk kanë as letra, as vendim, asgjë nuk kanë me vete” – tregoi një prej banorëve sipas të cilit punonjësit e UKT sharronin tubat e ujit nën mbrojtjen e policisë.
Të tjerë thanë se nuk kishin asnjë informacion se ku do të strehoheshin.
Pallati në rrugën “Myslim Keta” u prish nga fadromat e IMT dhe qindra forca police pa pritur se çdo vendoste Gjykata. Ky aksion policor është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe aktet e qeverisë.
Sipas VKM-së, që qeveria ka miratuar në maj të 2019, procedurat e zhvendosjes të banorëve realizohen në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe të të drejtave e lirive të njeriut të garantuara në Republikën e Shqipërisë e sipas standardeve ndërkombëtare të zbatueshme në vend, përfshirë të drejtën për kushte të përshtatshme strehimi.
Sipas vendimit të qeverisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, gjatë procedurës së zhvendosjes, respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin të gjitha të drejtat e liritë themelore të njeriut, duke garantuar familjeve strehim të përshtatshëm dhe mjetin ligjor mbrojtës ndaj vendimmarrjes për zhvendosje të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Sipas vendimit të qeverisë, informimi është një pikë e rëndësishme, pa të cilin nuk duhet të kryhet asnjë zhvendosje e personave që preken nga planet e zhvillimit.
“Individët që u nënshtrohen procedurave të zhvendosjes, informohen, pa kërkesë, në përputhje me legjislacion në fuqi për të drejtën e informimit, përmes mjeteve të ndryshme të informimit e duke garantuar aksesin në informacion edhe për grupe vunerabël apo pakica, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar” – thuhet në VKM.
“Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve dhe se njësia e vetëqeverisjes vendore informon me shkrim individin për mundësitë alternative të strehimit” – sanksionon VKM-ja
Vendimi i qeverisë përcakton se individi jep mendimin e tij me shkrim mbi alternativat e strehimit dhe mendimi i tij duhet të merret në konsideratë nga njësinë e vetëqeverisjes vendore në nxjerrjen e vendimit përfundimtar për strehimin.
Banorë të cilët kanë qenë viktima të shpërnguljes i thanë qendrës Res Publica se atyre kurrë nuk u është kërkuar një mendim i tillë. Madje ata nuk kanë qenë në dijeni të të drejtave të tyre edhe pse VKM-ja përcakton se njësia e vetëqeverisjes vendore, në aktin e njoftimit individit për fillimin e procedurave administrative të zhvendosjes, i njofton ata edhe për mundësinë e përfitimit nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, duke i informuar edhe për organin publik të krijuar për administrimin e kësaj ndihme, si dhe kontaktin e këtij organi.
Vendimi qeverisë përcakton që në çdo rast zhvendosje mbahet një procesverbal i identifikimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Asnjë prej banorëve të kontaktuar nga Res Publica nuk rezulton të ketë firmosur, apo edhe parë të hartohet ndonjë procesverbal të tillë.
Megjithëse ligji për strehimin social dhe vendimi i qeverisë përcakton rregulla dhe kritere të qarta të zhvendosjes së banorëve, Res Publica konstatoi se asnjë prej neneve nuk është zbatuar sa i përket procedurave që Bashkia e Tiranës ka ndjekur në procesin e rindërtimit.
Res Publica i kërkoi Bashkisë Tiranë koment në lidhje me gjetjet dhe shkeljet ligjore të konstatuara në rastet e zhvendosjes së qytetarëve që janë prekur nga skema e rindërtimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.
Veprimet antiligjore të Bashkisë së Tiranës në shpërnguljen e qytetarëve janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit. Në fillim të këtij viti Bashkia ishte nën hetim për shkak të ndërhyrjeve të fadromave të IMT dhe shpërnguljes së banorëve në zonën e 5 Maj-it në kryeqytet.
Aksioni policor i rrënimit ngjalli protestat e banorëve të cilët ngritën pretendime se nuk ishin njoftuar, jo vetëm për rrënimet e pronës tyre nga IMT, por mbi të gjitha nuk kishin asnjë garanci mbi procedurat që do të ndiqte Bashkia për strehimin e tyre pas prishjes së shtëpive.
Ankesat e banorëve u bënë objekt hetimi i Avokatit të Popullimit i cili në një raport të publikuar me 3 Qershor 2022 dilte në përfundimin se prishja e ndërtesave në lagjen 5 Maji u bë në kundërshtim me ligjin.
“Prishja e godinave në këtë zonë është kryer pa një leje prishje të autoriteteve vendore dhe asnjë leje ndërtimi ku të përcaktoheshin kushtet e lejes së prishjes së objektit apo të dhëna të tjera që do të ligjëronin ndërhyrjet e Inspektorati ka cenuar të drejtat e pronës së banorëve të zonës nga zbatimi i planit të Bashkisë” – citohet në raport, për hartimin e të cilit Avokati i Popullit thekson se nuk ka pasur akses informacioni dhe bashkëpunimi nga Bashkia Tiranë dhe Inspektoratit Mbrojtjes së Territorit
Sipas Avokatit të Popullit, për aksionin e prishjes së objekteve nuk është gjendur asnjë provë e dokumentuar apo fakt tjetër që të provojë se njoftimet e IMT janë dërguar banorëve.
“Shtetasve nuk ju është lënë një afat i arsyeshëm për marrjen e masave për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm, marrjen e sendeve nga objektet e tyre dhe se banorët nuk kanë pasur afat për të ushtruar të drejtën e ankimit si një e drejtë e rëndësishme në respektimin e çdo procedure ligjore administrative” – thuhet në raport.
Nisur nga shkeljet e konstatuara, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Bashkisë Tiranë marrjen e masave për nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e personave që kanë çuar në shkeljen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve të prekur nga prishja pa një proces të rregullt ligjor të objekteve në zonën 5 Maji, po ashtu dhe fillimin e procedurave të dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.