Me vendimin e sotëm për mbrojtjen e lumit Shushicë, Gjykata konfirmohet si pushteti i vetëm aleat i qytetarëve në mbrojtje të mjedisit. Pasi i gjeti të plota pretendimet dhe analizën e paditësve, gykata anulloi jo vetëm vendimin e ndikimit në mjedis, akt i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, por edhe kontratën koncensionare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ne 2017 e destinoi përdorimin e ujërave të lumit Shushica për prodhim energjie për 35 vjet.
Gjykata, me Kryetar Z. Bezart Kackini dhe anëtarë Znj. Selvie Gjocaj dhe Z. Ramiz Lala, njohu se interesat për të mbrojtur Parkun Kombëtar shtrihen përtej interesave të banorëve të një zone. Gjithashtu, Gjykata njohu organizatën “Eco Albania” dhe shoqatën “Impetus” si palë që provon se ka interesa për çështjen dhe si rrjedhojë pranoi të shqyrtojë kërkesat e saj.
Gjykatat shqiptare po prezantohen gjithmonë e më shumë me argumenta që janë risi për jurisprudencen shqiptare mbi të drejtat e publikut mbi mjedisin. Jo shumë kohë më parë ishte e pakonceptueshme që një grup banorësh të arrinte të anullonte një kontratë koncensionare. Pas fitores kundër kontratës koncensionare të HEC Poçem, rasti i sotëm konsolidon jurisprudencën dhe fuqizon komunitetet.
Aktualisht, me gjyqtarë mendjehapur e të arsyeshem dhe me argumentat e duhura ligjore, qytetarët mund të gjejnë drejtësi.