Sot gjykata shpalli të pafajshëm 8 nga protestuesit, mes të cilëve B.Sh., të akuzuar për pjesëmarrje në një nga protestat që pasuan vrasjen e Klodian Rashës. B.Sh., student i Universitetit Bujqësor, u akuzua për tre vepra penale: pjesëmarrje në protesta, kundërshtim të forcave të policisë dhe pengim të qarkullimit dhe mjeteve gjatë protestës.
Më 8 dhjetor 2020, 25-vjeçari Klodian Rasha mbeti i vrarë nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Kjo ngjarje u pasua nga një valë disa ditore protestash në Tiranë, ku pati akte vandalizmi ndaj objekteve të Bashkisë Tiranë, si tabela rrugore, semaforë, etj.
Policia iu përgjigj këtyre protestave me përdorimin e gazit lotsjellës dhe me ndalimin e dhjetra këmbësorëve, pjesëmarrës ose jo në protesta, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit, të cilët marshonin në mënyrë të paorganizuar në rrugët kryesore të Tiranës. B.Sh. pasi kishte dalë nga lokal “Taivani”, u ndalua dhe arrestua nga policia e shtetit pranë Ministrisë së Mbrojtjes në dt. 8 dhjetor 2020.
Me të vetmen provë, deklaratat identike të firmosura nga pesë policët që e ndaluan, të parapërgatitura nga i njejti shkrues ku vetëm firma ishte e deklaruesve, në të cilat ngjarja dhe faktet penale u treguan në mënyrë prozaike dhe me shumë probleme të tjera besueshmërie, B.Sh. përfundoi në rajonin e policisë nën masën e arrestit me burg.
Gjatë qëndrimit në rajonin e policisë në pritje të vlerësimit të masës së arrestit, ai u godit dhe u dhunua nga punonjës të paidentifikuar të Komisariatit nr. 1, së bashku me shumë protestues të tjerë të cilët u mbajtën në kushte çnjerëzore në dhoma të mbushura me “protestues”, pa ajër, pa kushte higjenike, etj. (një pjesë e problematikave për kushtet e arrestit gjenden në raportin e Avokatit të Popullit).
Masa e arrestit edhe pse e pabazuar në prova u konfirmua nga Gjykata, dhe B.Sh. kaloi ditët e fundvitit dhe fillimvitit në paraburgim. Vetëm Gjykata e Apelit rrëzoi masën dhe B.Sh. u lirua bashkë me disa protestues të tjerë.
B.Sh. u përfaqësua pro bono në Gjykatë nga avokatët e qendrës “Res Publica”, Irena Dule dhe Dorian Matlija. I këshilluar nga këta të fundit dhe i vetëdijshëm për akuzat e pabazuara, B.Sh. zgjodhi të kërkojë gjykimin e zakonshëm, i cili zgjati plot 3 vjet e gjysëm.
Pas gjykimit maratonë me rreth 30 seanca gjyqësore, prokuroria kërkoi sot pushimin e gjykimit për shkak se veprat penale të të akuzuarve i ka kapur amnistia. Megjithatë, mbrojtësit ligjorë të B.Sh. dhe një pjesë e mirë e të pandehurve të të njëtit proces, të bindur në pafajësinë e tyre dhe në rëndësinë parësore të zbardhjes të së vërtetës, kërkuan vijimin e gjykimit dhe shpalljen e pafajësisë së tyre, pavarësisht se pushimi i gjykimit do të kishte të njëjtin efekt praktik për ta.
Gjatë këtij gjykimi u pa qartë abuzimi me detyrën i punonjësve të policisë, të cilët të thirrur nga gjykata në cilësinë e dëshmitarit treguan se nuk i kishin përgatitur vetë deklaratat mbi të cilat u bazua i gjithë procedimi penal. Situata shkoi deri në absurd, ku nuk u sqarua dot se si i njëjti grup punonjësish policie arritën të arrestonin në të njëjtën kohë tre protestues në pika të ndryshme të Tiranës.
Ky procedim penal, i nisur në mënyrë të stisur dhe me orientim politik në atë kohë, nuk arriti të shërohej nga prokuroria, e cila me një këmbëngulje shembullore, edhe pse e ndërgjegjshme për mungesën e provave, nuk e pushoi hetimin por e zvarriti atë për mbi tre vjet, me mungesa dhe me kërkesa për shtyrje.
Vetëm Gjykata, me një nga gjyqtarët më me integritet në sistemin gjyqësor, Z. Gert Hoxha, i dha fund këtij gjykimi duke shpallur pafajësinë e të pandehurit B.Sh. dhe të pandehurve të tjerë për shkak të mungesës së provave. U theksua se prova e vetme e sjellë nga ana e prokurorisë, pra deklarata e punonjësve të policisë e hartuar në mënyrë identike, është e pamjaftueshme dhe provueshmëria e saj në të tilla kushte vihet në pikëpyetje, qëndrim i konsoliduar tashmë edhe sipas jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
Ky është një shembull tjetër se si një gjykatë e pavarur dhe profesionale na jep shpresë dhe motivim për të vazhduar dhe besuar te sistemi gjyqësor si i vetmi aleat i qytetarit.
Res Publica