Si po shpërfaqet përdorimi i këtij mjeti të ri juridik dhe si mund të balancohet roli i palëve për një marrëveshje (më) të ndershme?
Ky studim u krye në kuadër të projektit: “Promovimi i skemës së ndihmës juridike në fushën penale në Shqipëri”, i mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, Hungari. Ky studim vjen në vazhdimësinë e një studimi tjetër të mëhershëm të kryer nga Qendra “Res Publica”, “Mbi efektivitetin e ndihmës juridike në Shqipëri”. Qëllimi kryesor i këtij studimi është vlerësimi i efiktivitetit të ndihmës juridike në Shqipëri, në praktikat e gjykimeve me marrëveshje fajësie.
Kjo procedurë është një lloj i veçantë gjykimi në procesin penal, e prezantuar për herë të parë në legjislacionin shqiptar në vitin 2017, në kuadër të reformës në drejtësi. Kjo praktikë ka në thelb pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, në këmbim të një dënimi më të butë. Në këtë lloj gjykimi, i pandehuri heq dorë nga disa të drejta procedurale, më e rëndësishmja e të cilave është heqja dorë nga prezumimi i pafajësisë, gjë e cila e vë të pandehurin në pozitë cenimi e që për pasojë e bën të dosmosdoshme mbrojtjen e tij në mënyrë sa më efektive. Është për këtë arsye që roli i avokatit në këtë lloj gjykimi është tepër i rëndësishëm dhe avokatët e caktuar kryesisht, sipas skemës së ofrimit të ndihmës juridike falas, duhet të kenë një nivel të lartë përgatitje dhe përgjegjshmërie.
Për të vëzhguar nga afër si funksionon skema e ndihmës juridike në rastet e gjykimit me marrëveshje, vlerësuam legjislacionin dhe praktikën ligjore në gjykimet me marrëveshje në raport me standardet ndërkombëtare, me fokus të veçantë garancitë për ndihmën që ofrohet nga avokatët e caktuar nga shteti për ata individë që nuk kanë mjete për ta siguruar vetë
ndihmën juridike, në gjykimet me marrëveshje.
Studimi është i ndarë në 4 pjesë kryesore:
• Në pjesën e parë, janë analizuar gjykimet me marrëveshje në vende të zhvilluara, ku përdorimi i tij është shumë i përhapur, si SHBA, etj., dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka vendosur disa standarde lidhur me këto gjykime.
• Në pjesën e dytë, është analizuar legjislacioni vendas, lidhur me institutin e gjykimeve me marrëveshje, me qëllim vlerësimin e rolit të aktorëve kryesorë në këtë procedurë të posaçme gjykimi; prokurorit, gjykatës dhe mbrojtësit të të pandehurit.
• Në pjesën e tretë, janë analizuar të dhënat e mbledhura nga studimi i dosjeve penale, me qëllim prezantimin e situatës së gjykimeve me marrëveshje në përgjithësi dhe shërbimit të ofruar nga avokatët e caktuar kryesisht në këto lloj gjykimesh, në veçanti.
• Në pjesën e fundit jepen përfundimet dhe rekomandimet që rezultojnë nga studimi, të cilat kanë në fokus realizimin e të drejtës së individëve për të pasur një mbrojtje më efektive në gjykimin me marrëveshje, si gjykim i posaçëm në procesin penal, si element i rëndësishëm i procesit të rregullt ligjor.