Res Publica është një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse që synon të promovojë dhe të mbrojë respektimin e të drejtave themelore të njeriut përmes litigimit strategjik, advokimit, edukimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të politikave të ndryshme.
Vizioni i Res Publica është ndërtimi i një shoqërie ndryshe, më tolerante, e bazuar në sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, një shoqëri ku qeveria është plotësisht llogaridhënëse ndaj popullit.
Përgjatë jetës së organizatës janë ekzekutuar mbi 40 projekte me fokus mirëqeverisjen dhe shtetin e së drejtës; janë trajnuar qindra gazetarë, avokatë dhe studentë të drejtësisë në çështje me rëndësi në fushën e lirisë së shtypit, sistemit gjyqësor, të drejtës së strehimit, të drejtave të të pandehurve në procesin penal, etj.; janë botuar mbi 30 publikime/monitorime; janë ndjekur mbi 500 çështje gjyqësore, nga të cilat mbi 50 litigime strategjike; është dhënë kontribut kyç në miratimin e mbi 15 akteve ligjore/nënligjore; është krijuar 1 shërbim online dhe 1 linjë e dedikuar Whatsapp për mbështetje ligjore të gazetarëve; janë ndjekur mbi 25 çështje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Disa prej çështjeve më të spikatura të inicuara ose përfaqësuara nga organizata janë:
- Ndjekja me sukses e çështjeve të familjarëve të viktimave të Gërdecit;
- Ndjekja me sukses e çështjeve të familjarëve të viktimave të 21 Janarit 2011;
- Mundësia për përjashtim nga taksat gjyqesore të individëve pa mundësi financiare, e debatuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila pasoi me ndryshimin e legjislacionit për ndihmën juridike falas;
- Fitorja në Gjykatën Kushtetuese të referendumit të parë dhe të vetëm të nisur nga publiku;
- Avancimi i pozicionit procedural të viktimës në procesin penal, shndërrimi i tyre në palë aktive në proces;
- Përfshirja për herë të parë në legjislacionin për strehimin (2018) e ndalimit të dëbimit me forcë, që erdhi pas suksesit të ndalimit të dëbimit të familjeve rome nga UN, siç u trajtua më sipër;
- Mbrojtja në procese gjyqësore të mbi 70 gazetareve, të gjitha çështjet të fituara;
- Certifikimi me vendim gjykate i cilësisë së munguar të ujit të pijshëm nga UKT Bashkia Tiranë;
- Ndalimi i sekuestrimit të serverave të portalit “Lapsi.al” përmes një vendimi pezullimi të paprecedent nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke vendosur një precedent të ri të pasuar me një Vendim Unfikues të Gjykatës së Lartë;
- Ndalimi i shembjes së pallateve të padëmtuara nga tërmeti përmes masave të sigurisë të kërkuara në Gjykatën Administrative dhe pranimit të themelit të këtyre padive në vijim;
- Ofrimi i mbrojtjes aktivisteve në rastet kur ndaj tyre janë ngritur akuza penale për organizime dhe pjesëmarrje në tubime;
- Fitorja e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë kundër Bashkisë Tiranë për ta detyruar atë të ndërtojë dhe ta bëjë të aksesueshme një qendër për ofrimin e shërbimeve për komunitetin e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.
Leave a Reply