Në shkurt të këtij viti, Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit, me një udhëzim të përbashkët vendosën që të “zgjidhin” problemin e ujërave të ndotura që derdhen në det, lumenj e liqene, duke detyruar sipërmarrësit e vegjël dhe të mëdhenj të blejnë në treg impiante të trajtimit të ujërave. Në të kundërt, ata do të përballen me gjoba të rënda deri në mbyllje të aktivitetit.
Kjo zgjidhje, përveçse është tërësisht abuzive dhe e kundraligjshme, nuk e zgjidh situatën e derdhjes së ujërave të ndotura nga ujësjellës kanalizimet në det, lumenj e liqene.
Udhëzimi është mbështetur në një Akt Normativ të mëhershëm (janar 2024), në relacionin e të cilin pranohet se në vendin tonë nuk bëhet trajtimi i ujërave të ndotura në nivelin e duhur. Përgjegjësia për këtë është e bashkive dhe ujësjellës kanalizimeve përkatëse, të cilat, çdo muaj arkëtojnë paratë për trajtimin e ujërave të ndotura nga të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, por shpenzimi i këtyre fondeve nuk shkon për këtë shërbim. Raportet mjedisore pranojnë se ndotja e ujërave të deteve, lumenjve dhe liqeneve vjen kryesisht nga derdhja e shkarkimeve të Ujësjellës Kanalizimeve në këto ujëra.
Mirëpo, Udhëzimi i dy ministrive shkon edhe më tej, sepse Akti Normativ ngarkon me detyrime ato subjekte që nuk janë të lidhur me rrjetin e Ujësjellës Kanalizimeve, ndërsa Udhëzimi i përfshin edhe subjektet e rregullt që të bëjnë investime, ndërkohë që këta të fundit kanë investuar prej kohësh që të derdhin ujërat aty ku duhet dhe paguajnë rregullisht shërbimin.
Ky dështim i qeverisë lokale nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë, aq më keq duke ju kërkuar sipërmarrësve të rregullt që të investojnë individualisht, njësoj si atyre që nuk janë të lidhur me rrjetin e ujësjellës kanalizimeve dhe i derdhin ujërat direkt në det ose lumë.
Udhëzimi maskohet pas interesit për mbrojtjen e mjedisit, por vetëm këtë efekt nuk do ta shohim, sepse nuk po korrigjohet shkaku, përkundrazi, efektet negative bien mbi sipërmarrësit e përgjegjshëm, ndërsa legjitimohet dështimi i përgjegjësve të vërtetë që janë bashkitë dhe shoqëritë e ujësjellës kanalizimeve (të cilat duhet të trajtojnë të gjithë ujërat e ndotur përfshirë edhe banesat që prodhojnë shumicën dërrmuese të ujërave të ndotura), si dhe sipërmarrësit e parregullt që janë lejuar të ndërtojnë pa kushte e kritere.
Udhëzimi është i pastudiuar deri në nivel dilentatizmi, dhe zgjidhja që jep së bashku me efektet nuk ka marrë parasysh disa pyetje elementare, si përshembull: Si u evidentuan se sipërmarrësit e hotelerisë të lidhur me ujësjellës kanalizimet janë shkaktarët e ndotjes së ujërave, kur këta ujërat i derdhin në rrjetin e kanalizimeve? Si mundet që një bujtinë me kapacitet 5 dhoma prodhon më shumë ujëra të ndotura se një pallat me kapacitet mbi 50 familje, të dy të lidhur me rrjetin e kanalizimeve? Si mund të trajtohen me gjobë njësoj si një sipërmarrës i rregullt dhe i ndershëm, që paguan për shërbimin dhe është i lidhur me rrjetin e kanalizimeve dhe një biznes i cili i derdh direkt në det a lumë ujërat e ndotura?
Situata e trajtimit të ujërave të ndotura duhet të rregullohet, por për këtë duhet të vihen në fokus bashkitë të cilat kanë në funksion të tyre këtë shërbim, ujësjellës kanalizimet, të cilat paguhen për çdo muaj për këtë shërbim dhe jo një grup subjektesh të përgjegjshëm, të veçuar vetëm për shkak se kanë aftësi paguese për të blerë në treg impiante dhe për të cilët qeveria e ka të mundur t’i kërcënojë me sanksione deri në mbyllje aktiviteti.
Vendimmarrje të tilla, të tipit “s’ke ç’ti bësh gomarit e i bie samarit” krijojnë precedentë të gabuar që cenojnë shtetin e së drejtës, duke sjellë pandëshkueshmëri për përgjegjësit e vërtetë nga njëra anë dhe cenim të sigurisë juridike e ngarkesë të padrejtë për pjesën tjetër të ndershme të shoqërisë.
Argumente teknike dhe parimore për kundraligjshmërinë e këtij Udhëzimi ka shumë dhe të gjitha do të diskutohen në një proces gjyqësor të ngritur përpara Gjykatës Administrative të Apelit, nga qendra “Res Publica” dhe shoqata “Impetus”.