Prej më shumë se një viti Res Publica ka kërkuar informacion zyrtar mbi disa aspekte të vecanta të punës së Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike, i cili si rregull duhet të ofrojë ndihmë juridike për njerëzit në nevojë. Pas refuzimit të dhënies së një pjese të informacionit, Res Publica iu drejtua Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili vendosi të detyrojë KSHNJ që të bëjë plotësisht transparencën e kërkuar.
Por, pas vazhdimit të heshtjes dhe mosekzekutimit të vendimit të Komisionerit, Res Publica iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila pas disa seancash vendosi njëlloj si Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Gjykata nuk gjeti asnjë arsye të vlefshme pse KSHNJ të mos bënte transparencën, dhe se asnjë argument bindës nuk u dha. Madje në gjykim KSHNJ u shpreh se nuk kishte kundërshtuar asnjëherë vendimin e Komisionerit.
Por KSHNJ nuk heq dorë nga zvarritja e bërjes së transparencës dhe tashmë ka paraqitur një ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Kjo taktikë nuk sjell gjë tjetër veçse zgjat sa më shumë kohën e dhënies së informacionit deri sa ai të kalbet.
Në nëntor 2014 hyri në fuqi ligji i ri për të drejtën e informimit, por mesa duket ligji ende lë tolerancë për autoritetet publike që vendosin të bëjnë “kokëfortin”. Res Publica së fundi ia ka shprehur këtë shqetësim edhe Komisionit për Ligjet, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvend, me synimin që ligji të përmirësohet duke u pajisur me “dhëmbë” më të fortë e jo të mbetet ai dekoracioni i zakonshëm i kolanës së ligjeve që bëhen thjesht për t’ia treguar Evropës si arritje të industrisë legjislative vendase.
Res Publica