Komenete në lidhje me Projekt ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”
Në vijim të komunikimeve të mëparshme dhe takimeve të organizuara, më lejoni që në emër të Qendrës Res Publica t’Ju shpreh mirënjohjen për nismën Tuaj dhe mundësinë e dhënë shoqërisë civile të shprehin opinionet e tyre në lidhje me këtë projekt ligj.
Pasi u njohëm me projekt ligjin, jemi të mendimit se ky dokument ka përmbledhur gjerësisht adresimin e shumë aspekteve që duhen riparë nën një dritë të re.
Me qëllim përmirësimin e tij, me fokus të veçantë te të drejtat e njeriut, Ju lutem gjeni në vijim komentet tona, të cilat jepen në mënyrë të përmbledhur. Në çdo rast, nëse nga ana Juaj kërkohet shtjellim i mëtejshëm, Ju lutemi na kontaktoni në çdo kohë.
- Në lidhje me pikën c, paragrafi 1 i nenit 10/b
Në nenin 10/b të ligjit parashikohen masat disiplinore që merren ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetues. Një nga masat që parashikohet është pezullimi nga detyra për një periudhë nga 3 muaj deri në 1 vit, me të drejtë përfitimin e pagës minimale sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.
Shprehim mendimin që kjo periudhë është shume e gjatë, e cila ndikon dhe në veprimtarinë e Gjyktaës Kushtetuese, për këtë arsye pezullimi nga detyra ose mund të jetë për një periudhë më të shkurtër, (psh. deri në 3 muaj), ose të mos parashikohet si një lloj mase disiplinore, pasi një gjyqtar që ka kryer një shkelje të tillë, që çon deri në pezullimin nga detyra për një periudhë të gjatë, nëse marrim rastin maksimal deri në 1 vit, nuk mund “të rehabilitohet” dhe të vazhdojë detyrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, aq më tepër kur kjo situatë pasjell dhe një degradim të figurës së gjyqtarit, pasi parashikon sigurimin e jetesës minimale.
- Në lidhje me pikën ë të nenit 13
Në nenin 13, parashikohen kompetencat e Mbledhjes së Gjyqtarëve. Një nga kompetencat që ka Mbledhja e Gjyqtarëve është shqyrtimi në shkallë të fundit të ankimeve të punonjësve të Gjykatës Kushtetuese për masat disiplinore ndaj tyre, përfshirë dhe largimin nga detyra.
Kjo dispozitë, nënkupton, të paktën në mënyrën që është shkruar, që masat disiplinore të punonjësve dhe largimi i tyre nga detyra shqyrtohet nga Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila është dhe shkalla e fundit e shqyrtimit. Ky parashikim “kufizon” të drejtën e ankimit për t’iu drejtuar gjykatave, si organe të pavarura dhe të paanshme për shqyrtimin e çështjes.
- Në lidhje me nenin 24
Në nenin 24, parashikohet se pjesëmarrësit në gjykimin kushtetues mbrohen vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Kur çështja kalon për gjykim dhe objekt kërkese është një ligj ose akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar. Mbledhja e Gjyqtarëve përcakton kriteret dhe kushtet për përfaqësuesit ligjorë të subjekteve që marrin pjesë në gjykimin para Gjykatës Kushtetuese.
Sipas dizpozitës së mësipërme, pasi çështja kalon për gjykim, Mbledhja e Gjyqtarëve përcakton kriteret dhe kushtet për përfaqësuesit ligjorë të subjekteve që marrin pjesë në gjykimin para Gjykatës Kushtetuese. Jemi të mendimit që ky paragraf nuk duhet të parashikohet, pasi profesioni i avokatit është një profesion i vetë rregulluar dhe kompetente për të përcaktuar kriteret dhe kushtet për avokatët janë organet drejtuese të Dhomës së Kombëtare të Avokatisë, si psh (Këshilli Drejtues).
- Në lidhje me nenin 26
Në nenin 26 parashikohet publikimi dhe hyrja në fuqi e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Shprehim mendimin që në këtë nen duhet të parashikohen rastet kur vendimi duhet të ketë efekt prapaveprues, pasi në rastet kur një ligj ka krijuar pasoja,vendimi që e ka shfuqizuar si antikushtetues, duhet të rregullojë dhe pasojat që ky ligj ka krijuar deri në momentin e shfuqizimit. Shembulli që sjellim në lidhje me këtë pikë është Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.16, datë 09.03.2000, sipas të cilit u shpall antikushtetues kthimi i pronave, të cilat ishin të sekuestruar për mospagesë të tatimit të jashtzakonshëm të luftës. Ky vendim nuk rregulloi asnjë pasojë, pasi pronat ndërkohë ishin kthyer dhe sot vazhdojnë ti gëzojnë, pavarësisht se mënyra e fitimit ka qenë antikushtetuese.
- Në lidhje me nenin 27
Në nenin 27 parashikohen kriteret dhe elementet që duhet të përmbajë kërkesa që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në rastet kur mungon njëri nga elementet, kërkesa nuk rregjistrohet dhe i kthehet kërkuesit për tu plotësuar brenda një afati të caktuar. Mendojmë që zgjidhja më e mirë do ishte që kërkesa të rregjistrohej dhe kërkuesit ti lihej një afat për të plotësuar të metat, nëse kërkuesi nuk i plotëson atëherë aktet i kthehen pa veprim. Në mënyrën si është parashikuar në këtë dispozitë, nuk i jep zgjidhje në lidhje me afatin e dorëzimit të kërkesës, pasi kërkesa do të konsiderohet e rregjistruar nga momenti që është dërguar për herë të parë, apo pasi të jenë plotësuar të metat. Ky parashikim sjell si pasojë cënimin e aksesit në gjykatë.
- Në lidhje me pikën 1 të nenit 31
Në paragrafin 1 të nenit 31 parashikohet se ndarja e gjyqtarëve në Kolegje vendoset nga Kryetari, ndërkohë në nenin 13 pika e, parashikohet se Kolegjet caktohen në fillim të çdo viti nga Mbledhja e Gjyqtarëve. Mendojmë që duhet të bëhet një rakordim midis këtyre dy dizpozitave, në mënyrë që të shmanget mbivendosja e kompetencave.
- Në lidhje me shfuqizimin e nenit 47
Në nenin 47 është parashikuar mbajtja e procesverbalit të seancës. Kjo dispozitë është shfuqizuar me idenë për ta përfshirë në rregullore.
Mendojmë që kjo dispozitë nuk duhet të shfuqizohet, pasi procesverbali i seancës është një dokument thelbësor i një procesi gjyqësor, dhe si i tillë parashikimi i rregullave të mbajtjes së tij duhet të jenë të parashikuara në ligj.
- Në lidhje me nenin 49
Në nenin 49 parashikohen subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në pikën d të paragrafit 3, parashikohet se të drejtën për të filluar një kontroll mbi pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera normative me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare e kanë edhe organet e bashkësive fetare, partitë politike, organizatat, kur pretendojnë se ligji ose akti normativ cenon veprimtarinë e tyre dhe të drejtat dhe liritë e anëtarëve të tyre.
Kushtëzimi i të drejtës së organizatave për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet kur cënohet veprimtaria dhe të drejtat dhe liritë e anëtarëve të tyre, sjell një kufizim të së drejtës së organizatave që janë pa anëtarësi për t’iu drejtuar GjK. Nga praktika është konstatuar se organizatat e shoqërisë civile, gjatë veprimtarisë së tyre mbrojnë dhe përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme shoqërore. Për këtë arsye duhet të parashikohet se organizatat kanë të drejtë ti drejtohen GJK, jo vetëm kur ligjet shkelin të drejtat e anëtarëve të organizatës, por në të gjitha rastet kur organizata shpreh interes dhe mbron të drejtat e një grupi të caktuar shoqëror, të drejtat e të cilave shkelen nga një ligj apo akt normativ.
Gjithashtu në pikën e, të këtij paragrafi parashikohet se individët kanë të drejtë ti drejtohen GJK kur pretendojnë se u cenohen të drejtat dhe liritë e tyre të parashikuara në Kushtetutë, pasi kanë shteruar të gjitha mjetet juridike për këtë qëllim si dhe kur akti që kundërshtojnë është drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe nuk parashikon nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e tij.
Është i paqartë fakti se çfarë do të konsiderojmë një akt që është i zbatueshëm drejtpërdrejtë dhe nuk parashikon nxjerrjen e akteve nënligjore. Sipas këtij parashikimi, do ti nënshtrohen kontrollit kushtetues vetëm aktet, të cilat nuk parashikojnë nxjerrjen e akteve nënligjore. Po në rastet kur kundërshtohet një ligj, i cili ka cënuar të drejtat dhe liritë e individit, por për zbatimin e tij parashikohet nxjerrja e akteve nënligjore, ky ligj nuk i nënshtrohet shqyrtimit nga GJK.
- Në lidhje me nenin 51 pika a
Në nenin 51/a parashikohen vendimet që merr GjK. Në pikën b të paragrafit 1, GJK kur vendos pranimin tërësisht apo pjesërisht të vendimit vendos shfuqizimin e ligjit ose të aktit normativ.
Një akt që shfuqizohet në rast se pranohet kërkesa mund të jetë edhe një vendim gjyqësor, shprehim mendimin që kjo të përfshihet në këtë pikë.
Gjithashtu sugjerojmë që në rastet kur GJK konstaton që një subjekti i janë cënuar të drejtat dhe liritë, ti jepet një dëmshpërblim pasuror. Në nenin 71/ç është parashikuar që dëmshpërblimi jepet vetëm në rastet kur afatet e procesit janë tejkaluar. Dëmshpërblimi nuk duhet të jepet vetëm në këtë rast, pasi në praktikë janë konstatuar raste që përveç faktit që procesi ka tejkaluar afatet ose jo, individit i janë shkelur të drejta, të cilat nuk rivendosen në vend as nga vendimi i GjK, i cili në këto raste thjesht është një vendim deklarativ.
Res Publica