Ekspertiza të pasakta, rrënime objektesh në kundërshtim me ligjin, qytetarë që enden gjykatave e të tjerë nën panikun e shpërnguljes, është e vërteta që fshihet pas planeve të Bashkisë Tiranë për projektin e KombinArt.
Të Martën e 7 korrikut 2020, kryeministri Edi Rama mblodhi në hollin e konferencave një tufë zyrtarësh ku nuk mungonte Erjon Veliaj si Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Pikërisht në këtë ditë, kur nuk kishin kaluar 6 muaj nga tërmeti, kreu i qeverisë kishte vendosur të prezantonte projektin “më ambiciozi të 100 viteve të Tiranës Kryeqytet”.
Bëhej fjalë për zonën e Kombinatit, një lagje periferike në jug-perëndim të Tiranës, rreth 6 kilometra larg nga qendra e qytetit. I pagëzuar më këtë emër nga Kombinati i Tekstileve “Stalin” i ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 50-të, sot kjo zonë është shndërruar në një arenë lufte ku qeverisja socialiste kërkon të lerë vulën e vet të rindërtimit, ndërsa banorët janë organizuar kundër mënyrave abuzive të qeverisë, duke formuar Grupimin për Mbrojtjen e Kombinatit (GMK).
Rrënim dhe shpërngulje
Bashkia e Tiranës nuk kishte kohë për të humbur. Qeveria kishte miratuar zonat e reja zhvillimore dhe ajo që vendorët duhet të bënin ishte prodhimi i dokumentacionit administrativ që do të mundësonin zbatimin e planeve.
Tre muaj pas prezantimit të projektit të shekullit, Bashkia e Tiranës nxori vendimet e para që do i hapnin rrugë ndërtimeve. E filluan me vendime të rrënimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019.
Nisur nga vendimet e marra, duket se mbledhja e datës 28 Shtator 2020 e Këshillit Bashkiak të Tiranës kishte në target vetëm Kombinatin. Në këtë ditë u vendos rrënimi i 19 pallateve në këtë zonë.
Për shembull, për pallatin nr. 157, në bazë të ekspertizës së thelluar të porositur nga Bashkia Tiranë, ishte vlerësuar me shkallë dëmtimit DS4, ndërsa kostoja e përforcimit të objektit e kalonte vlerën 70% të kostos së rindërtimit.
“Pallati jonë nuk kishte pësuar asnjë dëmtim në strukturë, në muret ndarëse apo edhe në kolona. Kishte pak dëmtime në suva dhe ne prisnim që të bënim riparimet e duhura sipas fondit të dëmshpërblimit që do të nxirrte bashkia” – tregon për Res Publica një nga banorët, shtetasi D.B. i cili ka nisur proces gjyqësor kundër Bashkisë Tiranë dhe Institutit të Ndërtimit. Më herët ky shtetas iu drejtua një studioje private ekspertësh, të cilët e vlerësuan pallatin që ishte dëmtuar në shkallën DS2.
Në rastet kur pallati është dëmtuar në shkallën DS2 banorët përfitojnë 250 mijë lekë të reja për familje, ndërsa, nëse shkalla e dëmtimit është DS3, vlera e përfitimit është 500 mijë lekë për familje, që ato ti bëjnë vetë riparimet. Rëndësi ka që për këto shkallë dëmtimi, pallatet nuk duhen shembur, por riparuar.
Por në vend të granteve, banorëve të pallatit 157 i mbërriti lajmi për prishjen e detyruar të godinës dhe largimi i tyre nga banesa.
“Pas asnjë lajmërim zyrtar tek ne vinin punonjës bashkiakë apo edhe policë duke na thënë se duhet të dilnim nga shtëpia. Të frikësuar, qoftë nga tërmeti, por edhe nga forca e shtetit, disa banorë braktisën banesën edhe pse pallati nuk kishte pësuar dëmtime që rrezikonte jetën tonë. Në këto kushte u detyruam t’i drejtohemi gjykatës”- tregon Balla.
Pas 10 muajsh procesi gjyqësor,më 7 Mars 2022 gjykata vendosi të shfuqizojë aktet e prodhuara nga Bashkia Tiranë, duke penguar planin e Bashkisë të rrënojë ndërtesën.
Megjithëse pallati sot është ende në këmbë, banorët thonë se ende jetojnë me frikë pasi, sipas tyre, plani i Bashkisë nuk është përballimi i pasojave të shkaktuara nga tërmeti, por hapja e shesheve të reja të ndërtimit.
“Në Kombinat synimi është shfarosja e pallateve të vjetra dhe degdisja, shpërngulja e banorëve në një vend tjetër dhe bërja e pallateve të reja aty.”, tregon një tjetër banor i pallatit.
Rasti i pallatit 157 nuk është rasti i vetëm që banorët e Kombinatit ia kanë dalë të mbrojnë pronën e tyre me vendim gjykate.
Deri në publikimin e këtij shkrimi në Gjykatën Administrative të Tiranës janë ngritur mbi 20 padi ku banorët kërkojnë shfuqizimin e akteve mbi të cilat është vendosur shembja e detyruar e objekteve.
Gjatë hetimeve gjyqësore është vërtetuar se vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës janë bazuar mbi ekspertiza të pasakta, të cilat më pas janë certifikuar në mënyrë të parregullt edhe nga Instituti i Ndërtimit.
Mbështetur në këto akte është pretenduar se këto pallate kanë nivel dëmtimi DS4, ndërsa ekspertët e caktuar nga gjykata i kanë vlerësuar me nivel DS1, DS2 ose në rastin më të keq DS3, që nënkupton rikonstruksion dhe jo shembje.
Sipas dokumenteve gjyqësore, një pjesë e mirë e ekspertizave të porositura nga Bashkia Tiranë, të cilat janë kontestuar në gjykatë, mbajnë firmën e të njëjtit inxhinier, ndërkohë që Bashkia refuzoi dhënien e informacionit për kontratat e nënshkruara me këtë inxhinier apo dhe fakteve të konstatuara nga gjykata.
Dokumentet gjyqësore të proceseve të hapura nga qytetarët flasin për shkelje ligjore e ekpertiza të cilat nuk përkojnë me realitetin. Në prevetivë ka zëra të panevojshëm të cilët kanë rritur vlerën e riparimit në mënyrë fiktive. Këto zëra përfshijnë punime dheu të panevojshme, prishje të suvasë së jashtme aty ku nuk ka fare suva të jashtme, çmimer arbitrare dhe pa asnjë projekt për instalimet elektrike dhe hidraulike, apo deri dhe te sistemimi i gjelbërimit jashtë, që nuk ka kurrfarë lidhjeje me përforcimin e pallatit.
E ndërsa në gjykatë një sërë procesh vijojnë të jenë të hapura, në Kombinat familjet e prekura nga tërmeti jetojnë ende me frikën e ruspave dhe shpërnguljes.
Edmond Çata, ndër të parët që iu drejtua gjykatës, tregon se ekspertiza e kryer në pallatin 146, ku ai banon, kishte parregullsi që nisnin që me sipërfaqen e pallatit dhe numrin e kateve, pasaktësi këto që ulnin në mënyrë fiktive vlerën e rindërtimit dhe rrisnin në mënyrë fiktive vlerën e përforcimit të objektit, duke bërë që të arrihej me sforco raporti 70%, i cili legjitimonte Bashkinë të shembte objektin.
Edmondi ia doli të mbrojë pronën e tij me vendim gjykate, por ai thotë se këto “pasaktësi” që janë konstatuar edhe nga gjykata tashmë nuk duket se janë të rastësishme për rastin e Kombinatit.
“Mbi këto akte u bazuan një sërë vendimesh të Bashkisë Tiranës që i hapin rrugë shesheve të reja të ndërtimit”- thotë Edmondi, sipas të cilit janë mbi 650 familje në Kombinatit të prekura nga tërmeti që jetojnë me frikën që do të zhvendosen në një tjetër lagje, tërësisht periferike.
Të gjendur përballë vendimeve arbitrare të pushtetit por edhe në kushtet e një terri informativ, banorët e prekur nga procesi i rindërtimit kanë krijuar “Grupimi për Kombinatin”.
Edmondi një ndër nismëtarët e këtij grupimi thotë se misioni është informimi dhe sqarimi për banorët dhe bizneset e prekur nga tërmeti, pallatet e të cilëve pritet të merret një vendim, ose është marrë vendimi nga Bashkia Tiranë për shembje.
“Është thuajse e pamundur të kesh informacion të qartë të asaj çfarë po ndodh. Nëse do i referohesh deklaratave apo dhe vendimeve të bashkisë dhe të qeverisë, nuk kupton asgjë. Atë çfarë është thënë para një viti nuk e gjen reale sot. Aktualisht nuk dihet sa pallate janë për t’u shembur, çdo të bëhet me këto banorë apo dhe forma ligjore që do të ndiqet për ato raste kur ndërtesat janë shembur”- shpjegon Edmondi.
Res Publica e pati të pamundur të marrë përgjigje të saktë nga Bashkia e Tiranës sa i përket numrit të ndërtesave që janë shembur, apo dhe mënyrës së trajtimit të banorëve që humbën banesat e tyre, qoftë nga tërmeti, ashtu edhe nga ruspat e bashkisë.
Kërkesat e pafundme të qendrës Res Publica referuar ligjit për të drejtën e informimit janë refuzuar ndërkohë Ministria e Infrastrukturës, konfirmoi se në zonën e Kombinatit janë parashikuar për t’u ndërtuar 16 banesa kolektive, të llojit pallat.
Por ndërtimet që Ministria i quan ndërtesa kolektive, për kryebashkiakun e Tiranës konsiderohen si ndërtimi i një lagjeje të re, e cila do të ndërtohet për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti.
Sipas Erion Veliajt, ky “është projekti më ambicioz i 100 viteve të Tiranës Kryeqytet”. Sipas tij, përmes këtij projekti do t’i jepet zgjidhje jo vetëm strehimit të qytetarëve të prekur nga tërmeti, por edhe familjeve të tjera. “Ky projekt përfshin 1.5 milion metra katrorë ndërtim. Është ndoshta ndërtimi më ambicioz i 100 viteve të Tiranës kryeqytet, ku do të akomodojë 21.534 njerëz”- deklaroi kryebashkiaku.
Gjatë prezantimit të planit për KombinArt, u tha se aty do të ketë 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë, Sheshi i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe Sheshi i Gastronomisë.
Përfituesit e projektit të shekullit
Tre ditë pasi Këshilli Bashkiak vendosi prishjen e detyruar të 19 pallateve në Kombinat, Bashkia e Tiranës nisi procedurat për hapjen e tenderit me objekt “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në zonën e shpallur për zhvillim të detyruar.
Me herët qeveria, më 30 janar të 2020, kishte përcaktuar lagjen periferike të Tiranës si një ndër 9 zonat ku do të ndërtoheshin lagjet e reja për banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Dokumentet e siguruara nga Res Publica tregojnë se më 1 Tetor 2020 Bashkia hapi 16 procedura tenderimi për ndërtimin e 16 objekteve me një vlerë totale investimi prej 6,337,113,514.90 lekësh.
Nëpërmjet procedurës, “Kontratë në bazë të një Marrëveshje Kuadër” Bashkia i linte afat 12 ditor 15 kompanive të përzgjedhura të ofronin propozimin e tyre për ndërtimin e objekteve. Kriter kryesor vlerësues ishte ajo e ofertës më të ulët.
Aranita Brahaj, Drejtoresha e “Open Data Albania”, organizatë e cila merret edhe me përpunimin e publikimin e procedurave të tenderimit të institucioneve shqiptare, thotë se këto lloj kontratash ngrënë shumë flamuj të kuq:
“Autoriti kontraktues përmes Procedurave të Kufizuara ose Negocimit pa Shpallje, i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre, duke shmangur sërish garën e hapur mes operatorëve. Të dyja këto procedura kufizojnë konkurrencën mes operatorëve dhe nuk lejojnë zhvillimin e garës së hapur, duke lënë vend për dyshime për korrupsion”- thotë Brahaj.
Megjithëse bëhej fjalë për projekte komplekse, Res Publica zbuloi se Bashkisë i është dashur vetëm 3 muaj kohë për të vendosur për fituesit e të nënshkruajë kontratat, të cilat refuzoi t’i bëjë publike.
Megjithëse ndërtimet janë kategorizuar në programin e rindërtimit, projektet përkojnë me planet e bashkisë të miratuara shumë kohë përpara tërmetit, në prill 2017, në atë që quhet masterplani “Tirana 2030”.
Plani parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej 573 hektarësh ku 5 qendrat e reja të vendosura në 5 km nga qendra do të jenë qytete të mirëfillta brenda qytetit.
Kontratat e lidhura me kompanitë e përzgjedhura në procesin e rindërtimit në Kombinat përkojnë me këtë masterplan, por që në Korrik të 2020 u pagëzua edhe me një emër arti.
Nga ana tjetër, vetë Bashkia e Tiranës thotë se në procesin e tenderimit nuk është përfshirë asnjë projekt i quajtur “KombinArt.
“Në lidhje me kërkesën e parashtruar për informacion, për projektin KombinArt, ju informojmë se Drejtoria e Prokurimeve nuk ka një projekt me këtë emërtim në planin e prokurimeve për buxhetin e vitit 2022”- thuhet në përgjigjenqë Res Publica mori nga koordinatorja për të drejtën e informimit.
Bashkia saktëson se projektet e ndërtimit në Kombinat janë bazuar në planet vendore dhe një studim të realizuar për llogari të tyre nga kompani që u përzgjodhën me “Procedurë të Kufizuar”.
Në nëntor të vitit 2021 Bashkia nënshkroi me “Atelier 4” shpk – “Kejsi 05” shpk – “Seed Consulting” shpk, një kontratë për realizimin e projektit të zonës zhvillimore në Kombinat.
Sipas dokumenteve të tenderit, zona që do të merrej në studim ndodhet në pjesën jug- perëndimore të qytetit të Tiranës përkatësish rreth 6 km larg qendrës së Tiranës, me një sipërfaqe rreth 145 Ha, e përcaktuar si zonë e re zhvillimore sipas Planit të Detyruar Vendor.
Por Bashkia e Tiranës refuzoi të bëjë publike projektin mbi Kombinatin dhe detajet e tij, me argumentin se nuk është prokuruar ende prej tyre.
“Detaje të projektit nuk mund t’ju vihet në dispozicion pasi ende nuk është prokuruar nga Autoriteti Kontraktor”- shpjegoi zyra e informimit, sipas të cilës projekti është hartuar bazuar në planet vendore.
Ajo që zyra e bashkisë referoi ishte një link, ku flitet pikërisht për realizimin e atyre projekteve të cilët banorët e Kombinatit thonë se po ndodh shpërngulja e tyre në emër të Rindërtimit. Vullneti i tyre për t’u organizuar dhe adresuar problemin në rrugë gjyqësore, deri tani rezulton e vetmja forcë që po kundërshton Bashkinë në mënyrë efektive, për ta detyruar atë që të sillet në mënyrë të përgjegjshme, me pahir.
L.C.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.