Përgjegjësia ligjore për mosdhënien e informacionit publik i takon vetëm koordinatorëve të së drejtës për informim, ndërsa pengesa reale vjen nga titullarët
Qendra Res Publica monitoroi nivelin e transparencës të institucioneve publike për periudhën Shtator 2016 – Qershor 2017, me mbështetjen e Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë. Qëllimi i këtij studimi ishte vlerësimi se si institucionet publike zbatojnë ligjin për të drejtën e informimit.
Një detaj i rëndësishëm i konstatuar gjatë monitorimit, ishte përmirësimi i menjëhershëm i transparencës së disa ministrive, në momentin e ndryshimit të titullarit. Më konkretisht u vu re se transparenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme u përmirësua ndjeshëm ndërmjet muajve Shkurt – Mars 2016, kohë kur Sajmir Tahiri u zëvendësua nga Fatmir Xhafa. Po kështu ndodhi edhe kur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ministrja e re Olta Xhacka zëvendësoi Blendi Klosin, në Ministrinë e Ekonomisë ndikoi ministrja e re Milva Ekonomi, si dhe në Ministrinë e Integrimit Evropian largimi i Klajda Gjoshës dhe ardhja në këtë detyrë e zëvendëses së saj Eralda Cani u pasua me rritjen e indeksit të transparencës së kësaj ministrie. Këto fakte sugjerojnë se titullari i një autoriteti publik ka rëndësi parësore për transparencën, më vendimtare se rëndësia e koordinatorit për të drejtën e informimit, ndërkohë që ky i fundit, një funksionar i thjeshtë, është i vetmi përgjegjës para ligjit në rast të shkeljes së tij.
Ngarkimi nga ligji me përgjegjësi ligjore vetëm të koordinatorit, është edhe një prej arsyeve që referohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit si pengesë për vënien e gjobave ndaj tyre, pasi shpesh herë nga hetimet administrative të Komisionerit ka rezultuar se koordinatori ka bërë përpjekjet e tij, por kanë qenë strukturat e tjera mbajtëse të informacionit që nuk kanë bashkëpunuar, dhe këto të fundit nuk janë subjekt i ndwshkimeve administrative.
Duket se ligjvënësi nuk ka vlerësuar siç duhet natyrën e detyrës së koordinatorit dhe kufizimet e kompetencave të tij, të cilat limitohen vetëm në koordinimin dhe transmetimin e kërkesave për informacion nga qytetari te struktura përkatëse e institucionit. Këto të fundit, të cilat janë burimi real i informacionit dhe mund të (pa)mundësojnë dhënien e tij, me ose pa urdhër verbal të titullarit, do të duhej të mbanin përgjegjësi direkte për mos respektimin e ligjit. Koordinatori nuk ka asnjë mundësi praktike dhe as lidhje varësie me këto struktura për t’i detyruar ato të japin informacionin në rast të mos veprimit të tyre. I vetmi që e ka këtë mundësi është titullari i institucionit, nën varësinë e të cilit janë këto struktura, ndaj ky i fundit, në rast se nuk evidentohen të tjerë përgjegjës poshtë tij, duhet të jetë përgjegjësi kryesor në rast të dështimit të institucionit në bërjen e transparencës dhe informimit publik.
Shpresojmë që dështimi në praktikë i aplikimit të sanksioneve për koordinatorët në rastet eventuale dhe mungesa e rritjes së përgjegjshmërisë në respektimin e informimit publik, të vlejë për të propozuar nisma ligjore me qëllim përmirësimin e ligjit në këtë aspekt, sipas parimit kush pengon transparencën, duhet të ketë edhe përgjegjësi personale para ligjit.
Comments 1