Institucionet publike japin me vonesë informacionin, gjë që cenon të drejtën për t’u informuar brenda standardeve
Informimi i publikut për veprimtarinë e institucioneve është detyrim i këtyre të fundit. Si një e drejtë themelore për të cilën flitet shumë, dhënia e informacionit publik është e lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes dhe një instrument në duart e gazetarëve. Në vitin 2014 u miratua ligji i ri për të drejtën e informimit dhe në cdo tryezë Komisioneri për të Drejtën e Informimit shprehet se ky ligj është i 6-ti në botë për nga cilësia. Por a është vërtet kaq i mirë ky ligj, apo kjo është një etiketë e bukur që i vihet të njëjtit shurup mentaliteti që nuk ndryshon shijen aspak?
Në një monitorim lidhur me transparencën e institucioneve publike në periudhën Shtator 2016-Qershor 2017, Qendra Res Publica me mbështetjen e Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë, vuri re se institucionet publike në pjesën më të madhe të rasteve nuk përgjigjen në një kohë të arsyeshme.
Sipas studimit, kohëzgjatja mesatare e kthimit të përgjigjeve është 18 ditë kur kërkues janë gazetarët dhe 21 ditë kur ata janë qytetarët, ndërsa më e gjata shënon 24 ditë për gazetarët dhe 54 ditë për qytetarët (pa përfshirë këtu rastet e refuzimit të dhënies së informacionit, ku situata është edhe më e rëndë). Kohëzgjatja e dhënies së informacionit duket se është ndjeshëm më e gjatë se maksimumi ligjor prej 10 ditësh. Institucionet nuk kanë arsye për ta vonuar atë dhe as arsye për të pritur të plotësohet afati maksimal i vendosur nga ligji, ndërkohë që kjo mund të ndodhë vetëm në raste të veçanta kur institucioni gjendet para një rasti kompleks apo për pamundësi të natyrave të tjera objektive nuk ka mundësi të kthejë përgjigje më herët.
Një dukuri vecanërisht negative vihet re në rastet e refuzimit të informacionit, të cilat përfundojnë në gjykatë. Ndonëse shumë raste zgjidhen nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit përmes ndërmjetësimit (proces që krijon vonesë më vete), ato përbëjnë raste kur përgjithësisht informacioni nuk është “i rrezikshëm” për titullarët e institucioneve. Në rastet kur realisht titullarët nuk dëshirojnë publikimin e një informacioni pikant, gazetarëve u është dashur të shkojnë në gjykatë për të marrë të drejtën. Gjyqi në shkallë të parë zgjat me muaj të tërë dhe pastaj ndaj vendimit të gjykatës institucionet ankohen në Gjykatën Administrative të Apelit, duke vonuar dhënien e informacionit me vite. Gjatë periudhës studimore Res Publica përfaqësoi gazetarët në 7 procese gyqësore, të gjithë të fituar në shkallën e parë dhe të gjithë të ankimuar në shkallën e dytë.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk e zgjidh këtë ngërc sepse në këto raste nuk ka marrë vendim, si dhe gjykatat janë tepër të ngadalta për të dhënë drejtësi shpejt. Ky konfigurim i keq i sistemit i jep hapësirë institucioneve të abuzojnë me të drejtën e informimit duke e vonuar atë deri sa informacioni nuk shërben më për asgjë. Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar shkelje dhënien e informacionit me vonesë duke e etiketuar informacionin si “mall që kalbet”.
Edhe pse mohimi i informacionit mbetet të jetë problemi kryesor me transparencën e institucioneve publike, vonimi i tij nga institucionet sjell të njëjtin rezultat negativ. Ligjvënësi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit duhet të bëjë vërtet përpjekje për ta bërë ligjin funksional dhe jo të dëgjojmë vazhdimisht se ligji ynë është i 6-ti në botë, duke fjetur në vazhdim të qetë mbi dafinat që kalben cdo ditë bashkë me informacionet që nuk lëvrohen kurrë.