Në kuadër të një studimi për shkaqet e pandëshkueshmërisë së gjyqtarëve nga KLD, qendra Res Publica, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka analizuar veprimtarinë e KLD-së për vitin 2015.
Një nga problemet shqetësuese që është konstatuar edhe nga vetë KLD gjatë mbledhjeve të saj, është pa mundësia e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve që janë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, pasi kështu shprehet neni 149 i Kodit Zgjedhor.
Qëllimi i dispozitës së mësipërme është mbrojtja e gjyqtarit nga çdo lloj ndikimi i jashtëm, por, në rastet kur kjo “mbrojtje” kthehet në një mundësi abuzimi, kjo dispozitë e humbet qëllimin e saj. Sipas KLD-së, gjyqtarja E.P. ka zbardhur me vonesë 40% të vendimeve, një shkelje e rëndë kjo sipas ligjit, që pasohet me masa disiplinore. Por, për shkak të imunitetit të saj, KLD nuk ka mundur të marrë asnjë masë. (shih procesverbalin)
Afati i mandatit të anëtarit të Kolegjit Zgjedhor është 4 vjet, brenda së cilës gjyqtarët që janë anëtarë të këtij kolegji, kanë imunitet ndaj procedimeve disiplinore. Afati maksimal për të proceduar për një shkelje të kryer nga gjyqtari është 5 vjet nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në këtë mënyrë, krijohen premisa që gjyqtari të mos përgjigjet për shkeljet e kryera për një pjesë të mirë të kohës, pavarësisht sa e rëndë mund të jetë shkelja.
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë ka informuar periodikisht faktin se që nga viti 2012 e deri aktualisht gjyqtarja E.P. përbën një rast të përsëritur. Sipas tij, në një periudhë disa vjeçare gjyqtarja ka dhënë 644 vendime gjyqësore për çështjet civile dhe masa sigurimi personal nga të cilat 293 vendime civile janë arsyetuar dhe dorëzuar përtej afatit ligjor. Arsyetimi me vonesë sjell pasojën që palët nuk mund të ankohen sepse nuk dinë përmbajtjen e vendimit, pavarësisht se mund të kalojnë afatet e ankimit.
Kjo është paraqitur si një çështje shqetësuese jo vetëm në opinionin e KLD-së, por edhe tonin. Në lidhje me sa më sipër, një nga sfidat që Reforma në Drejtësi duhet të zgjidhë është edhe rishikimi i imunitetit që kanë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, duke përfshirë në mënyrë specifike rastet dhe mënyrën e procedimit të tyre, në një mënyrë të përshtatshme, për të mos i lënë ata tërësisht të lirë të cenojnë të drejtat kushtetuese të palëve në proces.
Res Publica