Me 24 dhjetor, nje dite para Krishtlindjeve, nisur nga fakti qe qytetare te pastrehe po nxirren forcerisht nga banesat e tyre pikerisht ne ditet e festave te fundvitit, Shoqata e Qiramarresve ne Banesat Shteterore ish Prone Private, beri edhe nje kerkese te dyte Gjykates Kushtetuese qe te arsyetoje vendimin me te cilin kjo gjykate nderroi mendje krejt papritur. Megjithese kane kaluar dy muaj Gjykata Kushtetuese ende nuk po guxon te publikoje ate cfare duhej te kishte shkruar qe ne muajin Tetor ne vendimin qe hodhi ne rruge mijera familje. Shoqata thekson se mosarsyetimi i vendimit eshte nje shkelje e ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Me poshte vijon teksti i plote i kerkeses.
I nderuar Z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Me 31 tetor 2012 nga ana Juaj, me shkresë zyrtare dhe me anë të mediave u bë publik fakti se lidhur me kërkesën e Shoqatës së Qeramarrësve në Shtëpitë Shtetërore ish Pronë Private për të shfuqizuar Aktin Normativ nr. 3 dt. 01.08.2012 dhe ligjin nr. 82/2012, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur ”Rrëzimin e kërkesës”.
Meqënëse kjo formë publikimi e vendimit nuk ishte në përputhje me formës e përcaktuar nga neni 72 i ligjit nr. 8577 dt. 10.02.2000 ”Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtesuese, neni 13 i Rregullores së gjykatës, dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e cila i ka konsideruar vendimet e paarsyetuara gjithnjë si një shkelje e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, më 09.11.2012 paraqitëm një kërkesë për sqarim. Përgjigja Juaj ishte që vendimi do të publikohej në një kohë më optimale.
Deri më sot, pas dy muajsh nga shpallja e një vendimi pa numër, pa datë, pa protokoll dhe pa arsyetim, që shmangu kërkesën për pezullim të aktit normativ nr. 3/2012, po vijon të cenojë në mënyrë të pakuptueshme aspektin thelbësor të të drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe aspektin procedural të të drejtës për një jetë familjare dhe strehim.
Tashmë ka kaluar cdo kufi i pritjes për arsyetimin e vendimit ”në një kohë më optimale”. Tashmë kanë filluar të zbatohen dëbimet në masë, zgjidhjet e kontratave të qirasë dhe hedhja në rrugë e shumë familjeve, ku një pjesë janë planifikuar të nxirren pikërisht ditën e Krishtlindjeve. Në shumë vende të botës perëndimore ekzistojnë moratoriume që pezullojnë dëbimet në kohë të papërshtatshme dimri, por ne të paktën po kërkojmë të mos përballemi me moratoriumin e arsyetimit të një vendimi që na ka surprizuar të gjithëve.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
mosarsyetimi na cenon drejtpërsëdrejti në aplikimin e të drejtave tona sepse:
- Nuk po arrijmë t’i ofrojmë informacion Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut rreth argumentave pro dhe kundër për rrëzimin e kërkesës sonë, duke lënë këtë gjykatë të pasigurtë në marrjen e masave të përkohshme (Rregulli 39), pranimin e kërkesës për gjykim pilot (Rregulli 61) dhe trajtimin e cështjes me prioritet (Rregulli 41).
- Ka konfunzion nëse kërkojmë nga gjykatat e rretheve gjyqësore pezullimin me rastin e kundërshtimit të veprimeve përmbarimore, sipas nenit 609 të Kodit të Procedurës Civile, pasi jo vetëm qytetarët e pastrehë, por edhe gjykatat janë skeptike të aplikojnë pezullimin, ndërkohë që Akti Normativ e ndalon këtë dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën tonë ku ngrihej edhe kjo kritikë.
- Nuk mund të kërkojmë aplikimin e masave të vecanta për persona vulnerabël, të cilët janë të sëmurë me sëmundje terminale, sëmundje të tjera të rrezikshme për jetën, invalidë, të papunë, persona që trajtohen me ndihmë ekonomike, romë etj., për të cilën ju jeni në dijeni që gëzojnë mbrojtje të vecantë nga neni 8 i Konventës Europianë për të Drejtat e Njeriut.
- Nuk mund të kërkojmë pavlefshmërinë e titujve ekzekutivë në rastet kur në të njëjtin vit, më 2012, pronarët kanë humbur proceset gjyqësorë për lirim dhe dorëzim sendi, me vendim gjykate të formës së prerë, ose kanë hequr përfundimisht dorë nga e drejta e padisë, ndërkohë që Akti Normativ i mbivendos pushtetit gjyqësor vendimmarrjen administrative të një Enti Kombëtar Banesash, që fundja është një pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe kështu shkelet ndarja dhe balancimi i pushteteve.
- Nuk mund të adresojmë cështjen tek subjektet që kanë të drejtë të kërkojnë kontrollin abstrakt të Aktit Normativ nr.3/2012 në raport me nenin 101 të Kushtetutës, për arsye se ne e kemi ngritur dhe nuk e dimë ende nëse kërkesa jonë është rrëzuar për probleme substance apo për shkak të mungesës së legjitimitetit.
- Nuk dimë se cilat ishin arsyet që detyruan gjykatën tuaj që të vendosë ndryshe nga vendimet nr. 26/2005 dhe 11/2007, kur në këto vendime thuhet qartë se vërtet siguria juridike nuk mund të prevalojë mbi interesin publik, por përfundimi i marrëdhënieve të qirasë pa siguruar strehë nuk mund të justifikohet në asnjë rast me interesin publik, pavarësisht se kjo është në interesin e pronarëve nga ana tjetër. Nëse interesi publik nuk justifikon këtë veprim, atëherë ne duhet të dimë se cili ishte faktori që justifikoi këtë ndryshim qendrimi nga ana Juaj.
- Nuk dimë se cilat ishin provat që gjykata Juaj u bazua për të besuar se kredinë mund ta përfitojnë të gjithë dhe se banesa sociale paska mjaftueshëm për të akomoduar qytetarët e pastrehë.
- Nuk e dimë se cfarë përgjigjeje i keni dhënë argumentit që situata ekonomike nuk mund të jetë argument për të shkelur të drejtat e shtetasve, aq më tepër kur para gjykatës nuk erdhi ndonjë provë për të vërtetuar se sa është kostoja financiare e zgjidhjes për kategorinë tonë dhe sa mundësi reale ka shteti për ta vënë në jetë këtë zgjidhje.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Nuk ka kuptim që të vononi më shumë arsyetimin e vendimit. Herët a vonë do ju duhet të përballeni me moralin e kësaj cështjeje. Në një kohë kur për Krishlindje ne po hidhemi në rrugë se nuk marrim dot as kredi dhe as banesë sociale, Gjykata Kushtetuese po mban ende të paarsyetur vendimin që i erdhi kundra vendimeve të mëparshme.
Megjithëse Enti Kombëtar i Banesave i ka konsideruar rastet e tona sikur ne mund të përfitojmë kredi dhe Ju e keni besuar këtë gjë në bazë të fjalëve të gojës së ministrit Olldashi, ju bëjmë me dije se pjesa dërrmuese e familjeve tona nuk i ka përmbushur kriteret që ka vendosur BKT në fazën e dytë, sipas përcaktimeve në marrëveshjen që kjo bankë ka me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve, marrëveshje e cila nuk është trajtuar në gjykimin kushtetues për shkak të investigimit të cunguar që Ju keni bërë. Norma e miratimit te kredive deri tani është shumë e ulët. Në daljet publike të Ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve Z. Sokol Olldashi është komunikuar se deri tani numri i kredive ka arritur 300, ndërkohë që kjo shifër është shumë e ulët në krahasim shifrën e dërguar në bankë nga EKB që është mbi 3000 familje. Por, deri tani banka po vazhdon të rrëzojë kërkesat e qiramarrësve për marrjen e kredisë, për shkak të (1) moshës së madhe, (2) pamundësisë për të siguruar dorëzanës, (3) faktit që ata nuk janë të lirë nga detyrime të tjera (4) pagës së pamjaftueshme apo të parregullt; (5) paaftësisë paguese të këstit prej 20% që duhet siguruar vetë, sepse jo të gjithë janë të aftë ta sigurojnë atë, si dhe (6) faktit se kredikërkuesit duhet të disponojnë gjithashtu edhe një vlerë kolaterali të paktën sa 140% e vlerës së kredisë së kërkuar. Madje edhe dorëzanësi duhet të paraqitet me një kolateral të tillë.
Nga ana tjetër, edhe organet e pushtetit vendor, nuk disponojnë fondet e duhura dhe banesa sociale, gjë që përsëri Ju nuk e keni marrë në konsideratë për shkakt të investigimit të cunguar të kësaj cështjeje. Bashkitë e qyteteve Tiranë, Berat, Shijak, Delvinë, Corovodë, Durrës, Vlorë, Përmet, Pogradec etj na kanë informuar se nuk kanë fonde dhe as banesa të mjaftueshme të gatshme, ndërkohë që numri i aplikuesve është shumë i lartë në raport me numrin e papërfillshëm të banesave sociale aktuale. Në përgjithësi ka shumë pak ose aspak apartamente, prej të cilëve shpesh nuk janë të lirë. Gjithkund vihet re mungesa e fondeve. Nga këto përgjigje demonstrohet qartë që pjesa dërrmuese e organeve të pushtetit lokal nuk janë në gjendje të komodojnë familjet e qiramarrësve që do të mbetemi pa strehë. Nga sa më sipër del qartë që instrumentat e strehimit të mbi 3000 familjeve janë joefektive.
Shumë prej nesh nuk janë realisht në gjendje që të sigurojnë strehim dhe do të mbeten të pastrehë në muajt e dimrit, në prag të festave të fundvitit, dhe Ju nuk na keni dhënë asnjë arsye pse Republika jonë na ktheu krahët.
Ne duam të dimë pse një ndërhyrje e kësaj shkalle në të drejtën e banimit u konsiderua prej Jush “e nevojshme në një shoqëri demokratike” për një “qëllim legjitim” duke iu përgjigjur një “nevoje të ngutshme sociale”, dhe se ajo ishte “në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur”.
Ne nuk ishim asnjëherë kundra faktit që pronarët kanë të drejtë të rimarrin në posedim pronat e tyre. Ne jemi dakord që t’i lëmë këto shtëpi sa më parë, pasi ato janë në shumë raste të rrënuara dhe kërkojnë shumë kosto mirëmbajtjeje. Ajo që kërkojmë është që të lirojmë këto banesa vetëm nëse akomodimi ynë do të jetëefektiv, pra kur shteti të ketë gjetur një formë reale, apo një mënyrë të përshtatshme për të gjithë, ku të përfshihen edhe ata që nuk përfitojnë dot as kredi e as banesë sociale për shkak të shumë arsyeve të renditura më lart. Juve mbase e keni menduar një përgjigje edhe për këtë pjesë, por ne duhet ta dimë atë jo kur gjithcka të ketë përfunduar, por përpara, që edhe ne të dimë se ku do i kalojmë festat e fundvitit.
Edhe në vitin 1997, në një situatë aspak të zakonshme, dy ditë përpara vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, më 27.02.1997 me Vendimin nr. 5, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se duhet vlerësuar drejt fuqia paguese e qiramarrësve në raport me zgjidhjet efektive që ofron ligji.
Në kushtet e sotme, dëbimi në zbatim të Aktit Normativ nr. 3/2012 do të shndërrojë shumë persona në të pastrehë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke iu cenuar atyre në një shkallë ekstreme të drejtat e tyre për banim, që burojnë nga neni 8 i Konventës, në tejkalim të kufijve të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,
Një nga pretendimet pse u miratua Akti Normativ nr.3/2012 ishte meqënëse në Strasburg ishin aplikuar mbi 70 raste ku Shqipëria rrezikonte të paguante një faturë të madhe. Por ama dëmi që mund t’i vijë Shqipërisë nga aplikimet e qiramarrësve do të ishte më i madh sepse numri i aplikantëve është shumë më i madh. Ndërkohë, përvec dëmit të shkaktuar pronarëve për 20 vjet, të cilët do të vijojnë gjyqin në GJEDNJ dhe do e marrin dëmshpërblimin, tashmë rrezikohet t’i mbivendoset edhe dëmi i shkaktuar personave të pastrehë, duke rënduar buxhetin e Republikës sonë.
Në kushtet ku ne ndodhemi, kërkojmë nga ana Juaj që të ndërmerrni një analizë serioze të kësaj situate emergjente dhe të mos vononi më as edhe një minutë arsyetimin e vendimit të cilin e keni publikuar 2 muaj më parë. Kjo situatë është shumë emergjente, dhe nuk mund të justifikohet me asnjë arsye në një shoqëri demokratike dhe në një shtet që aspiron të integrohet në Europë.
Duke shpresuar që ta konsideroni me seriozitet këtë kërkesë të dytë, Ju falenderojmë për mirëkuptimin.
Me respekt,
Kryetar i Shoqatës së Qeramarrësve në Shtëpitë Shtetërore ish Pronë Private
Piro Polo