Me 31 tetor Gjykata Kushtetuese doli me një njoftim publik ku thuhej se rrëzohej kërkesa e shoqatës së qiramarrësve që duhet të lirojnë banesat, pronë e ish-pronarëve. Mirëpo nuk po na dalin fare llogaritë me ligjin. Neni 72 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese flet qartë kur thotë se: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shpallet i arsyetuar….”.
Sikur kjo të duket e paqartë, na vjen në ndihmë edhe neni 13 i Rregullores së gjykatës, i cili thotë: “…Pas çdo shpallje vendimi një kopje dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare. Vendimi pasqyrohet edhe në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës në formën e tij të plotë.“…
Interesant është fakti që vendimi i datës 31 tetor u shpall publikisht me anë të mediave nga vetë Gjykata Kushtetuese, ndërkohë as nuk është i arsyetuar, as nuk është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare dhe as në internet nuk është publikuar në formën e tij të plotë, apo ndonjë formë më gjysmake. Fare, fare…
Madje në internet na del kjo pamje: Menjëherë pas Vendimit nr. 49 dt. 26 korrik 2012 vjen në radhë Vendimi tjetër me nr. 50 dt. 01 nëntor 2012 që është një vendim komplet tjetër. Vendimi i datës 31 tetor, që duhej të ishte në mesin e këtyre të dyve, nuk del askund dhe duket se nuk ka as biletë për t’u ulur në ndonjë radhë midis 49 dhe 50, përveç se t’i vihet një numër skiç 49,5…
Shumë e çuditshme apo jo… dhe këto gjëra ndodhin me rastin e një vendimi që prek interesat e mbi 30 mijë shqiptarëve, 15 mijë qiraxhinj nga njëra anë dhe të paktën 15 mijë pronarë nga ana tjetër. Këto gjëra ndodhin edhe kur Gjykata e Strasburgut kërkon vendimin e zbardhur ta shohë. Çfarë t’i themi Strasburgut? Ec e bindi ata që gjykata jonë ka marrë vendim por nuk e ka arsyetuar akoma… Kam frikë se nuk do na besojnë. Për ta është njëlloj sikur t’i thuash që toka është e sheshtë dhe jo rrumbullake…
Gjithçka mund të jetë, por është shumë e çuditshme të jemi para një vendimi tipik final. Sikur Gjykata Kushtetuese të kishte rrëzuar vetëm kërkesën për pezullimin e aktit dhe të kishte vazhduar shqyrtimin e çështjes atëherë do kishte me shumë kuptim kjo situatë, por jo, flitet për rrëzimin e të gjithë çështjes.
Nuk dua të besoj se Gjykata Kushtetuese na ka thënë nën zë se “Ne po e rrëzojmë një herë dhe pastaj na lini ca kohë të gjejmë ca arsye. Nuk kemi rrugë tjetër. Vetëm po të shkelim nenin 72 të ligjit, dhe nenin 13 të rregullores do arrijmë të japim vendimin pas 6 muajsh dhe njëkohësisht mos pezullojmë aktin…”. Dreq o punë, nuk di ç’të besojë njeriu…
Kjo mënyrë të vepruari na mbush me dyshime që vendimi është marrë pa u studiuar çdo element i kërkesës dhe pa u diskutuar çdo fjali që do duhet të përmbajë vendimi i arsyetuar. Nuk ka faj ligji që nuk e preferon këtë mënyrë shpalljeje.
Përderisa në datën 31 tetor 2012 nuk paska realisht vendim, atëherë jemi përpara faktit që gjithçka mund të ndryshojë deri në miratimin e versionit përfundimtar. Neni 11 i rregullores e thotë shqip që: “Para se të bëhet votimi përfundimtar, gjyqtari ka të drejtë të ndryshojë qëndrim dhe/ose të kërkojë shtyrjen e diskutimit mbi çështjen”.
Gjatë kësaj kohe gjykata do e ketë mundësinë reale të shohë vetë se si pjesa dërrmuese nuk do përfitojnë dot kreditë apo banesat sociale, ndryshe nga pamja optimiste që dha ministri Olldashi në seancë. Ky realitet bën vaki të ndikojë në bindjen e brendshme të gjyqtarëve, të cilët ende nuk kanë votuar për miratimin e versionit përfundimtar të vendimit dhe për këtë kemi për kallauz vetë numrat e vendimeve dhe datat që nuk mbulohen dot me shoshë.
Shpresojmë të jemi thjesht përpara një lapsusi të administratës, e cila nuk e ka sqaruar mirë se çfarë rrëzoi gjykata dhe pse e rrëzoi. Me të drejtë jemi kuriozë. Meqenëse kjo situatë na ka futur në botën e çudirave, do bënim mirë po ta pyesim një herë vetë gjykatën të na e sqarojë. Fundja u bëmë kuriozë se deri ku shkon vrima e lepurit të bardhë.
D. Matlija