Në vitin 2017, Gazetari Artan Rama u padit për shpifje nga një shoqëri ndërtimi pas publikimit të një shkrimi nga gazetari në rrjetin social “Facebook”. Shoqëria kishte fituar një tender për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe nga hulumtimet që kishte kryer gazetari Artan Rama ngriheshin disa pikëpyetje me rëndësi rreth tenderimit. Shoqëria fituese e tenderit e paditi gazetarin për shpifje duke kërkuar një dëmshpërblim prej 15,000,000 lekë për cenimin e imazhit.
I gjendur nën trysninë e një padie të tillë, gazetari Artan Rama kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vënien në dispozicion të një dokumenti zyrtar që provonte vërtetësinë e informacionit që ai kishte marrë nga burime jozyrtare. DPT, që njihet si organ konservator në dhënien e informacionit publik, e refuzoi të drejtën për informacion, gjë që e shtyu gazetarin të ankohet fillimisht pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por pa sukses. Komisioneri nuk mori vendim, por përmes një shkrese të një vartësi njoftoi që ankesa e gazetarit nuk qendronte sepse informacioni i kërkuar ishte konfidencial.
I përfaqësuar nga av. Irena Dule, qendra “Res Publica”, gazetari iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë duke ngritur njëkohësisht disa problematika dhe duke kërkuar adresimin e disa problemeve të rëndësishme nga gjykata.
Së pari, iu kërkua gjykatës të urdhëronte që gazetarit t’i vihej informacioni në dispozicion.
Së dyti, iu kërkua gjykatës të shprehej për pavlefshmërinë absolute të mënyrës së veprimit të Komisionerit, i cili nuk merrte vendime ndaj ankesave, por u kthente përgjigje negative me anë të vartësve të tij. Kjo është një procedurë e parregullt por e reklamuar çdo vit statistikisht si vendimarrje e lartë e zyrës së Komisionerit nga ky i fundit, ndërkohë e kritikuar rregullisht nga qendra “Res Publica” në raportet vjetore për të drejtën e informimit (lexoni në link Raportin për të Drejtën e Informimit 2023).
Së treti, iu kërkua gjykatës të krijonte një praktikë të re ku detyrimet tatimore të maturuara të subjekteve private duhet të jenë transparente për shkak të interesit publik.
Gjykata i dha të drejtë gazetarit në të gjitha kërkimet, duke u bërë rasti i radhës ku gjykata i jep leksion Drejtorisë së Tatimeve se të dhënat personale që mbron nuk mund të përdoren si mburojë kundër interesit për informim publik. Palët, përfshirë Komisionerin për të Drejtën e Informimit, e kundërshtuan vendimin në Apel. Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke i dhënë formë të prerë. Ky vendim ka shtruar tashmë rrugën për praktika më transparente nga Drejtoria e Tatimeve, por më e rëndësishme për mënyrën e trajtimit të ankesave nga zyra e Komisionerit.
Për qendrën “Res Publica” ky është një mision i vogël i përmbushur, jo me advokim dhe rekomandime siç do ishte e udhës, por me proces gjyqësor. Ky mjet, pavarësisht se tashmë është bërë rraskapitës dhe jo efektiv në kuptimin kohor, rezulton i vetmi i suksesshëm me efekt për të përmirësuar praktikat e mbrapshta. Shpresojmë që organet publike të reflektojnë.
Më poshtë është paraqitur një fragment nga rekomandimet e Res Publica në botimin “E drejta e informimit 2023”, ku trajtohet problematika e mungesës së dhënies së vendimeve nga ana e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.