Në vendimin e 14 Nëntorit 2023, për çështjen Nika k. Shqipërisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNj) në Strasburg gjeti njëzëri se ka pasur dy shkelje të nenit 2 (e drejta për jetën dhe për hetimin për humbjen e jetës) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Çështja në fjalë që nga autoritetet shqiptare është zvarritur prej 12 vjetësh, lidhet me një ankim pranë GJEDNj nga familjarët e Aleks Nikës, një nga katër protestuesit e vrarë me plumb në kokë në vitin 2011 gjatë protestës përpara Kryeministrisë. Në përgjigje të ankimit nga bashkëshortja dhe dy vajzat e të ndjerit Nika, GJEDNj konstatoi një varg shkeljesh për sa i përket përgjegjësive të shtetit shqiptar dhe të organeve të drejtësisë në Shqipëri në lidhje me hetimin ndaj dosjes së 21 janarit.
GJEDNj konstatoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili nuk zbardh sekuencën apo natyrën e urdhrave të dhënë për të shtënat mbi protestuesit. Gjatë hetimit kishte pasur gjithashtu edhe një sërë mangësish të tjera, duke përfshirë fshirjen e videoregjistrimeve të incidentit nga kamerat e sigurisë së ministrisë dhe mos-ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë. Këto mangësi ngritën dyshime nga GJEDNj se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim padrejtësisht.
GJEDNj ka pranuar si të drejta të gjithë argumentat e paraqitura nga qendra “Res Publica” e cila në këtë proces ndërhyri si palë e tretë. Trupi gjykues gjeti të meta në kuadrin ligjor që rregullonte në atë kohë përdorimin e armëve të zjarrit në kontekstin e tubimeve masive, i cili ka qenë një nga argumentet kryesore të sjellë nga Res Publica. Gjithashtu, sipas GJEDNj ka pasur defekte serioze në menaxhimin e protestës dhe planin e masave të asaj dite, ku vërehen mangësi në koordinimin mes Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, mjeteve të përdorura përpara armëve të zjarrit dhe më pas në mënyrën se si janë përdorur këto armë. Res Publica i theksoi këto argumente për shkak se një nga mënyrat që ka përdorur mbrojtja e të pandehurve në këtë rast ishte pikërisht fakti që ligji u lejonte gardistëve të përdornin armët nëse sulmohej një institucion i rëndësisë së veçantë. Sipas GJEDNJ dhe jurisprudencës së saj të konsoliduar, përdorimi i armëve të zjarrit justifikohet vetëm ndaj personave që rrezikojnë në mënyrë të dukshme dhe iminente jetën e dikujt tjetër dhe jo kur rrezikojnë pasuri materiale siç është edhe një godinë kryeministrie.
Trupa gjyqësore vendosi se sipas nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së A. Nikës dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.
Ky vendim qartësoi përfundimisht se hetimi për vrasjen e Aleks Nikës ka qenë i mangët dhe duhet riparë me përgjegjësi mundësia për ta zbardhur plotësisht ngjarjen, përmes çdo metode hetimi. Gjithashtu vendimi qartësoi se asnjë nuk duhet plagosur ose vrarë sepse po sulmon thjesht një godinë. Vendimi mund të konsiderohet edhe si një vulë përmbyllëse e debatit nëse hetimi i kohës ishte një sulm politik, siç e ka etiketuar kryeministri i asaj kohe, apo jo. GJEDNJ la të kuptohet se domosdoshmëria e hetimit dhe gjykimit të fajtorëve është vetëm juridike dhe aspak politike.