Pasi Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë standardet e saj në lidhje me mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, gazetari Elton Qyno i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me mbështetjen e Res Publica, duke i kërkuar jo vetëm shfuqizimin përfundimtar e të gjithë vendimeve të gjykatës që kanë miratuar sekuestrimin e materialeve personale dhe të punës të gazetarit, por edhe kërkon pezullimin urgjent të çdo veprimi mbi këto materiale. Në këtë mënyrë, kërkohet që të merren masat për të zbatuar vendimin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në OKB deri tani të shpërfillur nga SPAK.
Në ankesën e tij, një material prej 76 faqesh shoqëruar me një numër shumë të madh provash që hedhin dritë mbi brutalitetin e veprimeve të SPAK, gazetari parashtron se të gjitha veprimet e kryera nga SPAK janë në shkelje të të gjitha standardeve ndërkombëtare të zbatueshme për këtë çështje, siç përcakton Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Gjithashtu, në ankesë theksohet që përveç shkeljes së lirisë së shprehjes si gazetar, është cenuar edhe jeta e tij private e familjare.
Në këtë ankesë kushtetuese ngrihet gjithashtu alarmi se tre prokurorët që dyshohen se kanë përgjegjësi penale për rrjedhjen e informacioneve sekrete janë të njëjtët që kanë urdhëruar sekuestrimin e pajisjeve të gazetarit. Përveçse në konflikt të hapur të interesit, ata po injorojnë vendimet e një gjykate ndërkombëtare si Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB.
Gjykata Kushtetuese vendosi ta shqyrtojë çështjen e gazetarit Elton Qyno në seancë gjyqësore dhe ta trajtojë me përparësi për shkak të rëndësisë qe ka shpejtësia e gjykimit të saj. Gjykata ka lënë një afat për paraqitjen e argumenteve shtesë nga të dy palët nëse ka të tilla, dhe do të caktojë së shpejti një datë seance.