Qendra Res Publica me mbështetjen e South East European Media Observatory dhe të partnerit Instituti Shqiptar i Medias, në datën 30.09.2014 organizoi tryezën me temë diskutimi: “Nxitja e ushtrimi të të drejtës së informimit dhe dekriminalizimi i shpifjes”. Në këtë takim morën pjesë gazetarë, juristë, përfaqësues të organiztave të ndryshme të shoqërisë civile, të cilët diskutuan rreth problemeve që kishte ligji i mëparshëm për të drejtën e informimit, risitë që ka ligji i ri për të drejtën e informimit, i cili është miratuar nga parlamenti dhe pritet të hyjë në fuqi. Gjithashtu u diskutua rreth problemeve që hasin gazetarët kur publikojnë lajme apo opinione, të cilat përmbajnë fakte për funksionarët publikë dhe riskut me të cilin ata përballe nëse kallzohen penalisht për shpifje. Cili është impakti që ka vepra penale e shpifjes, a ekziston domosdoshmëria që shpifja të përbëjë vepër penale, apo është e mjaftueshme përdorimi i padisë civile, kur pretendohet se është cënuar reputacioni, dinjiteti, personaliteti i një funksionari public, ishin disa nga pikpyetjet që u ngritën në takim.
Për të sqaruar cilat ishin shkaqet dhe arsyet për miratimin e një ligji të ri “Për të drejtën e informimit” në takim ishte i pranishëm Z. Genti Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, i cili ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e ligjit të ri. Z.Ibrahimi shpjegoi në parim disa nga avantazhet e ligjit në parim dhe theksoi se përgatitja e një komentari që në momentin e hyrjes në fuqi të një ligji merr rëndësi të veçantë për të fiksuar që në fillim piketat e zbatimit të tij.
Një interpretim i detajuar i ligjit të ri për të drejtën e informimit, u prezantua nga Z. Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Res Publica.
Një panoramë të përgjithshme mbi standartet ndërkombëtare dhe arsyet e dekriminalizimit të shpifjes u prezantuan nga Z.Theodoros Alexandridis, Ekspert për jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në fund të këtij takimi Res Publica prezantoi Komentarin e ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, kopje të të cilit iu shpërndanë pjesmarrësve në takim.
Mirëpresim kërkesa nga çdo person i interesuar për tu pajisur me një kopje të këtij komentari.
Res Publica