Në gjyqin e hapur nga 11 shoqata mjedisore për rishikimin nga ana e Këshillit të Ministrave të kufijve të parqeve kombëtare të Divjakës, Butrintit, Shebenikut, Dajtit dhe Lurës, ekspertët biologë dhanë opinionin e tyre shkencor dhe iu përgjigjën pyetjeve të gjykatës lidhur me reduktimin e parqeve kombëtare.
Sipas dëshmitarëve ekspertë të thirrur nga gjykata, të gjithë sipërfaqet e hequra kanë vlera të larta të biodiversitetit, janë habitate të rëndësishme të specieve të rrezikuara dhe heqja e tyre cenon jo vetëm këto sipërfaqe por edhe integritetin e vetë parqeve. Në të njëjtën linjë ishin edhe dëshmitarët ekspertë të vetë organizatave paditëse, duke konsoliduar qëndrimin shkencor që nuk është konsideruar nga qeveria.
Theksojmë që ligji për zonat e mbrojtura ka caktuar kritere shkencore për shpalljen e zonave të mbrojtura; kritere të cilët nuk varen as nga interesat politike e as nga ato të zhvillimit ekonomik. Gjyqi është në vijim dhe presim që gjykata të marrë në konsideratë mendimin e ekspertëve.