Një çështje tjetër u fitua sot nga një banor i Kombinatit kundër Bashkisë Tiranë, me një pallat të shpëtuar nga skema e “Rindërtimit”, duke i çuar në 11 rastet e fitores dhe asnjë humbje. Në të gjitha rastet konstatohet e njëjta skemë abuzive nga palët e paditura, Bashkia Tiranë, Instituti i Ndërtimit dhe Këshilli Bashkiak Tiranë.
Në paralel, para disa ditësh, Gjykata e Posaçme e Apelit i quajti “grup të strukturuar kriminal” drejtorët e arrestuar të kryebashkiakut të Tiranës, veprimet e të cilëve kanë qenë të planifikuara, me një kohëzgjatje të qëndrueshme ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episod të kryerjes së veprave penale dhe me bashkëpunëtorë të njëjtë.
Edhe në rastin e rindërtimit të pallateve pas tërmetit, tashmë është konfirmuar në 11 raste rresht në rrugë gjyqësore, se vendimmarrja e bashkisë ishte abuzive. Vendimet janë marrë nga gjyqtarë të ndryshëm, në procese gjyqësore të nisur nga qyetarë të ndryshëm për pallate të ndryshme, me eskpertë të ndryshëm të caktuar nga gjykata, por një fakt mbetet i njëjtë: skema e abuzimit ka qenë e përsëritur njëlloj në të gjithë rastet. Kështu, përforcohet dyshimi që nuk kemi të bëjmë me gabime të rastësishme të administratës, por me manipulime të vetëdijshme të ekspertizave që u pasuan me vendimet për shembjen e pallateve. Ndryshe, do të ishte e pamundur që çështje të ndryshme të gjykuara nga gjyqtarë të ndryshëm, të orientuar nga ekspertë të ndryshëm gjykate, të dilnin në të njëjtin konkluzion. Ka gjasa që të jemi përballë një afere korruptive, përmes një zinxiri që e ka pikënisjen në Bashkinë Tiranë me ekspertiza të manipuluara, që vijon me Institutin e Ndërtimit që mbyll sytë dhe nuk bën oponencën e duhur ndaj shkeljeve të bashkisë, dhe që përfundon me Këshillin Bashkiak, i cili vë vulën pa e bërë fjalën dysh.
Duke qenë një skemë e përsëritur njëlloj në të gjithë rastet, në dëm të mijëra banorëve, lindin dyshime të ligjshme që mund të jemi përballë vendimmarrjesh administrative nga të njëjtët zyrtarë, me veprime të vetëdijshme, me kohëzgjatje të qendrueshme gjatë vitevee 2020-2024, që kanë vepruar përmes një mekanizmi identik në çdo episod, si dhe me bashkëpunëtorë të njëjtë në shumë raste. Këto elementë, sipas logjikës së GJKKO ditë më herët, mund të cilësohet se shtrihet deri në kufijtë e një grupi të strukturuar kriminal, për të cilin u bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të nisin hetimet për të zbuluar deri në cilin nivel këto skema kanë prekur edhe pallate të tjerë që nuk kanë pasur fatin t’i nënshtrohen rrugës gjyqësore.
Res Publica