REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR
TIRANË
Nr. 10881/2644 Regj. Themeltar Nr. 7153 Vendimi
Data e regjistrimit 11.04.2012 Datë 24.06.2013
VENDIM
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e përberë nga
GJYQTAR – Julian HAXHIU,
me asistencen e sekretares gjyqësore Fioralba ZENELI, sot më datë 24.06.2013, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura cështjen civile me Nr. 10881/2644 Regj. Themeltar, që u përket palëve:
PADITËS: Lëvizja Mjaft, perfaqesuar nga Dorian Matlija,
I PADITUR: Kuvendi i Shqipërisë, përfaqësuar nga Gazmend Bici,
OBJEKTI: Detyrim për dhënie informacioni.
BAZA LIGJORE: Nenet 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, Ligji Nr. 8503/1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare”, Ligji 9643/2006 “Per prokurimin publik”,
Gjykata konstatoi se ceshtja është në juridiksionin gjyqësor dhe në kompetencë të kësaj gjykate, degjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, të cilat kërkuan:
- Paditësi kërkoi pranimin e padisë,
- Pala e paditur kërkoi rrëzimin e padisë,
dhe, pasi shqyrtoi provat dhe e bisedoi cështjen në tërësi,
VËREN:.
Pala paditëse është person juridik i regjistruar pranë Gjykatës se rrethit gjyqsor Tiranë me Vendimin Nr.288 datë 26.01.2006, me objekt veprimtarie rritjen e qytetarisë aktive, forcimi i komuniteteve, përmirësimi i imazhit te vendit etj.
Pala paditëse më datë 05.12.2011 i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë informacion në lidhje me :
Raportin e Auditit të Brendshëm për vitet 2009 dhe 2010.
Projekt buxhetin vjetor të Kuvendit të Shqipërisë të miratuar nga Ministria e Financave për vitet 2009-2010.
Tenderin publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Godinës ekzistuese të Kuvendit.
Tenderin publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare.
Tenderin publik që ka patur si qëllim Mobilimin e Sallës së Seancave Plenare.
Buxheti faktik i Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2009-2011.
Mirëpo pala e paditur nuk i ka kthyer përgjigje palës paditëse për një kohë të gjatë. Pala paditëse pasi ka pritur për një kohë të gjatë përgjigje nga Kuvendi i Shqipërisë, i është drejtuar gjykatës me padi gjyqësore për të detyruar palën e paditur për dhënie informacioni.
Pala paditëse ka pretenduar se pala e paditur nuk ka respektuar ligjin për dhënie informacioni pa asnjë shkak të ligjshëm. Pala paditëse ka kërkuar. Cdo individ apo person juridik ka te drejtë të informohet për aktivitetin e institucioneve shtetëore. Asnjë institucion shtetëror nuk mund të refuzojë të japë informacion përvec rasteve të informacioneve të klasifikuara. Cënimi i kësaj të drejte është një dëmtim i rëndë i besimit publik mbi institucionet.
Pala e paditur ka pretenduar se ajo ka dhënë informacionin e kërkuar nga pala paditëse. Ky informacion është dhënë për cdo pikë që ka kërkuar pala paditëse. Pala paditëse mund të marrë informacion nga për cdo aktivitet të Kuvendit të Shqipërisë. Ky informacion gjendet në mënyrë të plotë në faqen e internetit të Kuvendit për cdo aktivitetet të kryer nga Kuvendi i Shqipërisë. Pala e paditur ka pretenduar se ato kanë sjellë në këtë proces gjyqësor të gjithë informacionin e nevojshëm që ka kërkuar pala paditëse. Mirëpo pala paditëse ka refuzuar këtë informacion pa dhënë asnjë arsye. Ato nuk kanë pranuar asnjë dokument që Kuvendi i Shqipërisë ka paraqitur në seancat gjyqësore.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 42 të saj, parashikon se:
“Kushdo për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.
Ky parashikim kushtetues është në të njëjtën linjë me neni 6 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore:
“Cdo person ka të drejtë që cështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e cdo akuze të natyrës penale që i është drejtuar”.
Ndërkohë, gjykatat detyrohen edhe nga neni 44 i Kushtetutës, sipas të cilit:
“Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
Për sa më sipër, vendimi objekt shqyrtimi do të trajtohet nga gjykata si cdo akt administrativ. Në nenin 325 të Kodit të Procedurës Civile parashikohet, ndër të tjera, se:
“Padia, sipas nenit 324 të këtij Kodi, mund të ngrihet kur paditësi argumenton se akti administrativ është i paligjshëm dhe se atij i cënohen interesat dhe të drejtat e tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, individualisht ose në mënyrë kolektive…”
Në nenin 3 të Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se
E drejta e informimit
Çdo person ka te drejte te kërkojë informacion për dokumentet zyrtare, qe kane te bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe te personave qe ushtrojnë funksione shtetërore, pa qene i detyruar te shpjegoje motivet.
Autoriteti publik është i detyruar te japë çdo informacion ne lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.
Çdo informacion për një dokument zyrtar, qe i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër qe e kërkon atë, me përjashtim te rastit kur ky informacion përbën te dhëna vetjake te vete personit, te cilit i është dhënë informacioni.
Në nenin 4 të Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se
Nëse informacioni i kërkuar për një dokument zyrtar kufizohet me ligj, autoriteti publik i lëshon kërkuesit një deklarate me shkrim, ne te cilën tregohen arsyet e mosdhënies se informacionit dhe rregullat ne baze te te cilave ai mund ta kërkojë atë.
Në nenin 7 të Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se
Format e dhënies se informacionit
Kërkuesit i vihet ne dispozicion një kopje e plote e dokumentit zyrtar, për te cilin kërkon te informohet. Autoriteti publik, me kërkesë te personit te interesuar ose duke sugjeruar vete, mund t’i ofroje kërkuesit forma te tjera te dhënies se informacionit, përfshi formën verbale. Ne çdo rast te tille, kërkuesi jep me shkrim pëlqimin për formën e ofruar.
Në nenin 10 të Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se
Afati për mospranimin e kërkesës
Autoriteti publik vendos për mospranimin e plote ose te pjesshëm te kërkesës brenda 15 ditëve nga depozitimi i saj. Ne rastin e mospranimit te kërkesës, përgjigjja negative, e plote ose e pjesshme, jepet e arsyetuar, me shkrim nga autoriteti publik.
Në nenin 16 të Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se
Ankimi ne gjykate
Çdo person ka te drejte te ankohet ne gjykate kur çmon se i janë shkelur te drejtat e parashikuara nga ky ligj. Për procedurat e ankimit ndiqen dispozitat e Kodit te Procedurës Civile, qe rregullojnë gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Me anë të Shkresave për informacion më datë 05.12.2011 pala paditëse i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë informacion në lidhje me :
– Raportin e Auditit të Brendshëm për vitet 2009 dhe 2010.
– Projekt buxhetin vjetor të Kuvendit të Shqipërisë të miratuar nga Ministria e Financave për vitet 2009-2010.
– Tenderin publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Godinës ekzistuese të Kuvendit.
– Tenderin publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare.
– Tenderin publik që ka patur si qëllim Mobilimin e Sallës së Seancave Plenare.
– Buxheti faktik i Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2009-2011.
Gjatë këtij hetimi gjyqësor gjykata ka konstatuar se pala e paditur Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar ti japë informacion palës paditëse në lidhje me disa aspekte financiare të Kuvendit të Shqipërisë. Pala paditëse është një person juridik që ka objekt veprimtarie rritjen e qytetarisë aktive, forcimi i komuniteteve, përmirësimi i imazhit te vendit etj. Qendra Lëvizja Mjaft aktualisht po zbaton një projekt i cili në themel të tij ka informimin e qytetarëve mbi aktivitetin parlamentar të deputetëve shqiptar. Si nga Statuti i palës paditëse ashtu edhe nga projekti që po zbaton Qendra Lëvizja Mjaft, ky subjekt legjitimohet të kërkojë një informacion të tillë pasi plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet për të marrë informacion në interes të publikut.
Pala e paditur ka patur detyrimin ligjor që të japë informacion të plotë me të gjitha dokumentat e kërkuara nga pala paditëse. Çdo person ka te drejte te kërkojë informacion për dokumentet zyrtare, qe kane te bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe te personave qe ushtrojnë funksione shtetërore, pa qene i detyruar te shpjegoje motivet. Institucionet shtetërore janë të detyruara te japin çdo informacion ne lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe. Kjo është një e drejtë thelbësore e cdo individi për tu njohur me aktivitetin e institucioneve dhe enteve shtetërore. Nuk mund të refuzohet asnje kërkesë për informacion pa dhënë asnjë shpjegim apo arsye ligjore.
Në Ligjin Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare” parashikohet se nëse informacioni i kërkuar për një dokument zyrtar kufizohet me ligj, autoriteti publik i lëshon kërkuesit një deklarate me shkrim, ne te cilën tregohen arsyet e mosdhënies se informacionit dhe rregullat ne baze te te cilave ai mund ta kërkojë atë. Në rastin konkret pala e paditur nuk ka dhënë asnjë sqarim në lidhje me këtë refuzim për dhënie informacioni.
Gjykata konstaton se praktika e krijuar për këto kërkesa për informacion nga pala e paditur është një praktikë në kundërshtim të plotë me frymën dhe gërmën e Ligjit Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare”. Ky informacion duhet të jepet brenda afateve ligjore për subjektet e interesuara. Për cdo rast duhet të kthehet një përgjigje me shkrim që të informojë subjektin e interesuar për informacionin e kërkuar ose arsyen e refuzimit. Cdo cënim i këtyre rregullave shkon në drejtim të kundërt me transparencën dhe informimin për aktivitetin e institucioneve shtetërore.
Pala e paditur ka arritur të sjellë disa akte shkresore të kërkuara nga pala paditëse. Mirëpo këto dokumenta janë paraqitur në seancë gjyqësore dhe jo duke ia dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë palës paditësen në kohën që ky informacion kërkohet. Qëllimi i kërkimit të cdo informacioni nga institucionet shtetërore nuk është një proces që të përfundojë në padi gjyqësore. Ky duhet të jetë një proces efektiv, i shpejtë dhe transparent. Cdo vonesë e dhënies së këtij informacioni do të humbte qëllimin e kërkuar të informacionit por të hidhte hije jo transparente në aktivitetin e e institucioneve shtetëtore. Me të drejtë pala paditëse i është drejtuar gjykatës pasi në rastin konkret asaj i janë shkelur te drejtat e parashikuara nga Ligji Nr.8503 datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentat zyrtare”.
Meqenëse pala e paditur ka sjellë para gjykatës informacion në lidhje me Raportin e Auditit të Brendshëm për vitet 2009 dhe 2010, me Projekt buxhetin vjetor të Kuvendit të Shqipërisë të miratuar nga Ministria e Financave për vitet 2009-2010, me Buxhetin faktik të Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2009-2011, gjykata procedurialisht e pranon këtë pjesë të informacionit duke konsideruar që ky informacion tashmë është dhënë. Për pasojë kjo pjese e padisë duhet të rrëzohet sepse ky detyrim është përmbushur nga pala e paditur.
Mirëpo pavarësisht se pala e paditur i ka sjellë këto dokumenta zyrtare në seancë gjyqësore, gjykata ka bindjen se institucionet shtetërore nuk duhet të sjellin informacion për këto cështje pasi ato bëhën objekt konfliktesh gjyqësore. Nuk është ky qëllimi i ligjit për informacion dhe nuk është kjo mënyra e qasjes se institucioneve shtetërore me kërkesa për dhënie informacioni.
Sa me siper, gjykata krijoi bindjen se kërkesa padia e paditësit Qendra Lëvizja Mjaft është pjesërisht e mbështetur në ligj dhe ne prova dhe, si rrjedhojë e kësaj mbështetjeje të plotë, ajo duhet pranuar pjesërisht.
PËR KETO ARSYE
Gjykata, mbështetur në nenet 126, 306 të Kodit të Procedurës Civile,
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë.
– Detyrimin e palës së paditur ti japë palës paditëse një kopje të njësuar me origjinalin të dosjes së plotë të Tenderimit publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Godinës ekzistuese të Kuvendit.
– Detyrimin e palës së paditur ti japë palës paditëse një kopje të njësuar me origjinalin të dosjes së plotë të Tenderimit publik që ka patur si qëllim Rikonstruksionin e Sallës së Seancave Plenare.
– Detyrimin e palës së paditur ti japë palës paditëse një kopje të njësuar me origjinalin të dosjes së plotë të Tenderimit publik që ka patur si qëllim Mobilimin e Sallës së Seancave Plenare.
Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkesë padisë.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi. Per palen ne mungese ky afat fillon nga data e marrjes dijeni per kete vendim gjyqesor.
U shpall në Tiranë, më 24 Qershor 2013.
Sekretare Gjyqtar
Fioralba ZENELI Julian HAXHIU
Shpenzimet gjyqësore
Taksa mbi aktet 12 000 lekë
Totali 12 000 lekë