Shoqata e Familjarëve të Viktimave të shpërthimit të Gërdecit shpreh indinjatën e të gjithë të dëmtuarve të Gërdecit për provën e rradhës që shtetasit shqiptarë nuk janë të barabartë. Kur ata janë të varfër e pa mbështetje vriten, plagosen, rrënohen ekonomikisht dhe më pas dënohen e masakrohen nga shteti. Ndërsa të veshurit me pushtet gjejnë gjithmonë një varkë shpëtimi t’i bëjnë bisht drejtësisë. Prova e gjallë është Fatmir Mediu i cili një herë shpëtoi nga imuniteti, pastaj shpëtoi nga vendimi i padrejtë i Gjykatës së Lartë të cilin Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, dhe sot shpëtoi nga amnistia.
Ne jemi të indinjuar sepse e dinim se çfarë do ndodhte dhe e ngritëm zërin që përpara se Kuvendi ta miratonte amnistinë. Bëmë thirrje që të mos prekej hetimi apo gjykimi i ngjarjes së Gërdecit dhe thirrjen tonë e dëgjuan edhe ndërkombëtarët, të cilët edhe më parë e kishin ngritur shqetësimin e tyre në raportet e publikuara. Por këto thirrje nuk u dëgjuan dhe ja ku jemi sot në këtë situatë ku një ministër sfidon drejtësinë përsëri.
Duke qenë se drejtësia shqiptare dështoi në këtë aspekt, ne do të detyrohemi që me kërkesat tona të drejta t’i drejtohemi Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Drejtësia shqiptare i ka patur të gjitha shanset dhe kohën e mjaftueshme, nga viti 2009 kur çështja filloi e deri tani, ta gjykonte çështjen, pa pritur që të vinte koha për këtë amnisti. Gjithashtu, dhe në raste të tjera kur amnistia është përdorur për të mbyllur çështje të ngjashme, GJEDNJ i ka konsideruar këto raste si shkelje, duke theksuar se hetimi dhe gjykimi penal duhet të garantohen në çdo rast kur kërkohen nga të dëmtuarit.
Megjithatë shtetasi Fatmir Mediu ka ende akuza të cilave nuk u ka bërë akoma bisht, dhe që janë pezulluar për shkak të imunitetit parlamentar. Sot imuniteti nuk është më pengesë, ndaj presim nga Prokurori i Përgjithshëm të rinisë ndjekjen e çështjes. I kemi kërkuar kryeprokurores Ina Rama që të niste procedimin penal që në datë 26 tetor 2012, ditën që imuniteti zyrtarisht u hoq si pengesë për të proceduar penalisht deputetët dhe ministrat. E kuptojmë që Znj. Ina Rama mund të mos ketë qenë shumë e fokusuar në këtë çështje që kur diskutohej fundi i mandatit të saj. Por sot, me ardhjen e kryeprokurorit të ri Z. Adriatik Llalla, duke i uruar atij suksese në detyrën e re, i kujtojmë se suksesi i tij varet së pari nga këto çështje kaq të rëndësishme, si zbardhja e ngjarjes së Gërdecit. Për këtë arsye presim prej tij që pa humbur kohë, të rinisë procedimin penal ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Lartë meqënëse tashmë nuk ka as edhe një pengesë të vetme për të proceduar.
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të shpërthimit të Gërdecit shprehet e vendosur për të vazhduar kërkimin e të gjithë rrugëve ligjore për të zbardhur ngjarjen dhe vënë para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë, pavarësisht pushtetit që ata mund të kenë.
Kryetari
Feruzan Durdaj