Prej kohësh dëgjojmë se Bashkia Tiranë po merr masa për shembjen e detyruar të disa objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Shumë të prekur nga kjo ngjarje besojnë që banesat e tyre janë dëmtuar nga tërmeti, si akt i natyrës (apo Perëndisë), por a është e vërtetë kjo në të gjitha rastet? Kush e thotë këtë gjë? E thonë Akt-Ekspertizat që Bashkia Tiranë ka porositur në disa studio private. Në bazë të tyre tashmë Bashkia po ndërmerr veprime për shembjen e objekteve.
Pyetja që lind është: kush po i prish realisht këto pallate? I prishi vërtet Perëndia me forcën e tërmetit, apo po i prish Bashkia me forcën e ekspertit të porositur? Për këtë pyetje, Res Publica është investuar për më shumë se një vit, duke ndjekur procese gjyqësore për të zubuluar të vërtetën në të vetmin institucion që është krijuar me ligj për të certifikuar të vërtetën – Gjykata.
Njëlloj siç po ngrihet pikëpyetje serioze në gjykatë, edhe ekspertë të pavarur dyshojnë se shumë pallate që janë caktuar për t’u shembur nuk i prishi Perëndia, por po kërkon t’i prishë Bashkia, e cila përmes disa ekspertëve të kontraktuar nga vetë ajo, po kërkon të bindë banorët e prekur se pallatet ua prishi Perëndia.
Shumë të prekur janë skeptikë dhe përballë gjykatës e vërteta po del hapur. Në të gjithë gjyqet e përfunduar doli që ishte Bashkia…
Ekspertizat e dyshimta i hapën rrugë rrënimit të dhjetra pallateve në kryeqytet
Bashkia e Tiranës shpenzoi rreth 10 miliard lekë për hartimin e akt-ekspertizave për të cilat ekspertët e pavarur kanë ngritur dyshimet se në dokumentet e prodhuara ka manipulime të akteve të ekspertizave dhe kosto të fryra.
Akt-ekspertizat mbi të cilën Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur rrënimin e dhjetëra pallateve në vend rezultojnë të jenë pika më problematika e procesit të rindërtimit. Ekspertë të pavarur kanë ngritur dyshime mbi saktësinë e këtyre akteve ndërkohë që dokumentet gjyqësore të proceseve të hapura nga qytetarët flasin për vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, manipulime të akteve të ekspertizave, kosto të fryra, por dhe abuzime me procedurat administrative. Dokumentet e siguruara nga Res Publica, por dhe raportet e ekspertëve tregojnë se në preventivat e ekspertizave ka zëra të panevojshëm që kanë rritur vlerën e riparimit të objekteve të shembura me vendime të Këshillit Bashkiak, me qëllim vendosjen e shembjes së tyre, duke bërë që edhe pas tre vjetësh nga tërmeti i nëntorit 2019 qytetarët të jenë ende rrugëve ose të ngecur mes kontratave të paqarta, mungesës së informacionit dhe betejave gjyqësore me shtetin.
Oponencat teknike që certifikuan rrënimin
Pas ngjarjes tragjike të tërmetit të 26 Nëntorit 2019, kryeministri, duke bërë bilancin e pasojave të shkaktuara, deklaroi se janë – “261 pallate të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshëm, 2137 banesa të dëmtuara rëndë, 851 pallate me dëmtime të mesme ose të lehta, 4618 banesa me dëme të mesme”. Për të rikuperuar pasojat e tërmetit, qeveria miratoi një sërë aktesh ligjore si dhe nisi procesin e rindërtimit, afatet e përfundimit të të cilit nuk dihen.
Ndër aktet e para që qeveria miratoi është ai 16 Dhjetorit 2019, një Akt Normativ që merrte përsipër ligjërimin e procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Akti Normativ i hapte rrugën pushtetit vendor të vendoste për “prishjen e ndërtesave dhe zhvillimin e territorit” ku ndodheshin objektet e dëmtuara.
Sipas Aktit Normativ, “prishja e detyruar” e ndërtesave të dëmtuara bëhet nga autoritet kur: “ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur përbën rrezik për jetën, sipas përfundimeve në akt konstatime apo akt-vlerësime. Nëse riparimi kushton më shumë se ndërtimi nga e para objekti prishet edhe pa pëlqimin e pronarëve”.
Për të saktësuar ndërhyrjet në objektet e dëmtuara nga tërmeti, Bashkia e Tiranës nënshkroi kontrata me Institutin e Ndërtimit për kryerjen e oponencave teknike si dhe kontraktoi disa kompani për të kryer ekspertizat e thelluar të objekteve. Sipas Open Data, Bashkia vendosi në dispozicion një shumë prej 106,125,476 lekësh, duke zhvilluar procedura tenderimi, të cilat janë zhvilluar pa garë, por me negocim të drejtpërdrejtë.
Res Publica numëroi 127 ekspertiza të tilla për objektet, pallatet, nga dokumentet e ofruara nga Bashkia pas kërkesës për të drejtë informimi.
Instituti i Ndërtimit referoi se pas kryerjes së oponencave teknike ka dhënë miratimin për shembjen e 78 objekteve. “Bazuar në kërkesat e Bashkisë Tiranë, depozituar pranë Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencave teknike të akt-ekspertizës së thelluar numri i objekteve të dëmtuara nga tërmeti, për të cilat ky i fundit ka dhënë opinion dhe i ka referuar pranë Bashkisë Tiranë për objektet që duhen përforcuar janë 53. Ndërkohë numri i objekteve të dëmtuara nga tërmetit për të cilat IN-ja ka dhënë opinioni për prishje është 78 objekte” – thuhet në përgjigjen zyrtare të Institutit të Ndërtimit.
Këshilli Bashkiak Tiranë, mbështetur në akt ekspertizat e thelluara dhe oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit, i ka vlerësuar këto pallate në nivel dëmtimi DS4, DS5 dhe ka vendosur shembjen e detyruar të 78 objekteve, pjesa dërrmuese e të cilave janë ndërtesa banimi. Deri më tani janë rrënuar 28 pallate, kryesisht në zonën e Kombinatit.
Sipas dokumenteve, në ca raste Bashkia ka dhënë si argument për rrënimin e objektit rrezikshmërinë, e në të tjera raste të tjera se kostoja e riparimit e kalon vlerën e 70 % të rindërtimit.
Res Publica konstatoi se një pjesë e madhe e akt-ekspertizave janë realizuar nga studio projektimi me të njëjtin inxhinier. Dh.P. Edhe pse në Shqipëri rezultojnë 5633 individë që disponojnë licencën profesionale për ushtrimin e veprimtarisë së studimit dhe projektimit në ndërtim, i përzgjedhuri kryesor për kryerjen e akt-ekspertizave është inxhinieri i sipërpërmendur.
Dokumentet e prodhuara nga kompanitë private, të certifikuara nga Instituti i Ndërtimit janë kundërshtuar në dhjetëra procese gjyqësore që qytetarët kanë hapur në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kërkojnë shfuqizimin e akteve mbi të cilat është vendosur shembja e detyruar e objekteve.
Përgjatë proceseve gjyqësore ajo që është zbuluar përbën një skandal në procesin e rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Akt-ekspertizat e thelluara, oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Këshillit Bashkiak të Tiranës, rezultojnë të pasakta në fakte dhe në shifra.
Dyshimet mbi vërtetësinë e akteve të akt-ekspertizave janë hedhur edhe në raportet e publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
KLSH-ë ka ngritur në pikëpyetje kapacitet teknike dhe aftësinë e Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencave teknike. Në disa raporte sektori i Oponencës Teknike, që vlerëson dhe dikton fatin e prishjes ose jo të godinave pas vlerësimit të akt-ekspertizave të thelluara, rezultoi sipas KLSH-së me mungesa në kualifikim dhe eksperiencë. KLSH ka konstatuar se mungesa e një laboratori të akredituar ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi që siguron të ardhurat për vetëfinancim.
Në Gusht 2020, një tjetër auditim i KLSH-së i kryer në Institutin e Ndërtimit zbuloi se ekspertizat dhe oponencat, mbi të cilat është vendosura prishja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 2019 nuk janë hartuar në përputhje me ligjin dhe janë të pa bazuara dhe të gabuara.
“Grupi i auditimit vlerësoi se, në kushtet kur procedurat e ndjekura për vlerësimin e 11 objekteve të Bashkisë Durrës, që kanë pësuar dëme gjatë tërmetit, janë kryer në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, dhe si pasojë edhe dokumentet – produkt i këtyre procedurave (akt ekspertizat, oponencat) nuk janë në përputhje me kriteret ligjore, procesi i vendimmarrjes veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart riskun që njëkohësisht të jetë edhe i gabuar”– thuhet në raport.
Manipulimi me aktet e ekspertizave të thelluara
Res Publica ka zbuluar shumë raste ku akt-ekspertizat nuk pasqyrojnë realitetin. Në mbi 20 procese gjyqësore të hapura në Gjykatën Administrative janë konstatuar problematika në aktet e ekspertizave për të cilat gjykata, në çdo rast kur gjykimi ka përfunduar, ka vendosur shfuqizimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak që urdhëronin prishjen e ndërtesave.
Raportet e inxhinierëve të pavarur të kontraktuar nga ResPublika tregojnë se në dhjetëra raste se shkalla e dëmtimit të objekteve është shumë më e ulë se sa nga ajo që përcaktojnë akt ekspertizat e thelluara dhe oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit. Ekspertët i kanë vlerësuar dëmtimet e pallateve në shkallën DS1, DS2 dhe DS3, që nënkupton rikonstruksionin e tyre dhe jo shembjen, si kanë urdhëruar vendimet e Këshillit Bashkiak.
Në raportet e pavarura evidentohet se në preventivat e hartuar nga studio të ndryshme projektimi ka zëra të panevojshëm, të cilët kanë rritur vlerën e riparimit duke kaluar kurifin 70%. Këto zëra kanë qenë kryesisht në: punime dheu; prishje të suvasë së jashtme; instalime të ndryshme apo dhe gjelbërimi e sistemimi i jashtëm.
“Kemi konstatuar punime dheu në të gjitha preventivat e hartuara, edhe pse në asnjë nga themelet nuk ka pasur probleme cedimi apo krisje. Të gjitha rastet kanë probleme me lagështirën dhe me amortizimin, pra që duhej mirëmbajtur objekti dhe jo të përfshiheshin në zërin e rikonstruksionit” shpjegoi për Res Publica një prej ekspertëve të pavarur.
Në shumicën e akt-ekspertizave mbi të cilat janë bazuar vendimet e Këshillit Bashkiak është konstatuar se në preventiv është vendosur prishje e suvasë së jashtme të objekteve, kur dihet se pjesa më e madhe e pallateve, si shumica e ndërtimeve të para viteve 95 janë të pa suvatuara nga jashtë.
“Kemi në preventiv suvatim me grafiato si dhe veshje fasade me polisterol kompakt jeshil. Të dyja zërat bien në kundërshtim me njëri-tjetrin sepse nëse vëmë suva me grafiato, nuk mund të vendoset polisterol mbishtresë, pa llogaritur këtu se çmimin i polisterolit në preventiv është vendosur 3 fish më i lartë se tregu” – shpjegojnë ekspertët.
Sa i përket instalimeve elektrike dhe hidraulike janë vendosur me një çmim të pa bazuar në ansjë projekt, thjesht është vendosur një shifër arbitrare.
Bashkia e Tiranës refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve që Res Publica ngriti mbi gjetjet e ekspertëve apo edhe vendimet e Gjykatës Administrative të Tiranës, në të cilat vihen në pikëpyetje vërtetësia e akt-ekspertizave mbi të cilën është vendosur rrënimi i pallateve në kryeqytet.
Av. Irena Dule, një nga avokatët që ka ndjekur disa çështje gjyqësore të nisura nga banorët në Gjykatën Administrative, tregon se në proceset gjyqësore është vërtetuar se ekspertizat e hartuar nga Bashkia Tiranë referojnë disa fakte krejtësisht të pavërtetë.
“Në qoftë se ekspertizat e thelluara dhe oponenca teknike e Institutit të Ndërtimit rekomandonin prishjen e objekteve si të dëmtuara nga tërmeti, ekspertizat para gjykatës treguan që pallatet nuk ishin të dëmtuar dhe nuk duhet të prisheshin për këtë shkak”- sqaron avokatja Dule.
Rasti më flagrant i akteve të ekspertizave të thelluara është ai i kryer për Pallatin nr. 4 në Rrugën “Myslym Keta” i cili u rrënua nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, pa pritur zhvillimin e një procesi gjyqësor.
Instituti i Ndërtimit nxorri dy akt konstatimesh, një më 6 Dhjetor 2019, dhe një të dytë 16 ditë më vonë. Në të dy akt konstatimet është përcaktuar se për këtë pallat dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti janë të mesme dhe me përshkrimin “plasaritje në suva”.
Edhe pse akt konstatimet nuk flasin për dëmtim në nivel të lartë në shkallën DS4 dhe DS5, siç edhe e kërkon ligji, për këtë pallat është kryer një ekspertizë e thelluar në Gusht të vitit 2020.
Mbi këtë konstatim Këshilli Bashkiak më 1 Mars të 2021 vendosi prishjen e detyruar të pallatit Nr 4 në rrugën “Myslym Keta . Por në akt-ekspertizat e kryera nga vetë banorët nga ekspertë të licencuar ka rezultuar se pallati ka dëmtime të lehta në masën DS2.
Dokumentet zyrtare tregojnë se rastet kur ekspertizat e thelluara kanë pasur fryrje artificiale të zërave të punimeve përkojnë me objektet të ndërtuara para viteve 90-të dhe që përkojnë me zonat e reja të ndërtimit të shpallura nga Bashkia e Tiranës.
Në një hulumtim të më mëparshëm ResPublika zbuloi se pas prezantimeve në salla konferencash, deklaratave në emër të zhvillimit dhe përballimit të pasojave të tërmetit, fshihen procedura të shkelura ligjore, kontrata të majme për një dorë të vogël përfituesish, rrënime objektesh të kontestuara nga gjykata dhe banorë që jetojnë me panikun e shpërnguljes. Dhe të gjitha këto në emër të rindërtimit.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.