Në datën 10 dhjetor dhe ditët në vijim, gazetari Elton Qyno nga televizioni “Ora News” publikoi biseda mes anëtarëve të një grupi kriminal të cilin e kishte prej disa kohësh nën hetim. Këto komunikime, të inkriptuara në platformën “Sky”, përkonin me dosjen hetimore të grupit kriminal, gjë që ngriti dyshime nga ana e SPAK se informacioni kishte rrjedhur pikërisht nga kjo dosje.
Zbulimi i sekretit hetimor përbën një vepër penale, dhe subjektet të cilat mbahen përgjegjëse dhe hetohen për këtë janë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore (pra hetuesit). Gazetarët mbajnë përgjegjësi penale vetëm kur injorojnë paralajmërimin nga prokuroria për të mos e zbuluar sekretin hetimor. Në datën 13 dhjetor, SPAK i kërkoi gazetarit që të firmosë një deklaratë që do t’i ndalonte publikimet lidhur me sekretin hetimor në fjalë, dhe kështu ndodhi, pra nga ana e tij nuk ka asnjë shkelje.
Ndërkohë, SPAK e mbajti të izoluar gazetarin dhe i bëri presion që të zbulonte burimet e tij të informacionit – të dyshuar ishin vetë prokurorët e SPAK. Pasi Qyno e refuzoi këtë kërkesë (burimet e gazetarëve janë konfidenciale), me kërkesë të prokurorisë gjykata vendosi që gazetarit t’i bëhej kontroll fizik, kontroll banese dhe t’i sekuestroheshin të dhënat kompjuterike në shtëpi dhe në punë.
Gjatë kontrollit fizik u gjet vetëm çelësi i makinës, kështu që u bë edhe kontrolli i makinës – pa vendim gjykate – ku u sekuestrua një USB me muzikë. Më pas, i erdhi radha kontrollit të banesës me prezencën e gazetarit por jo të avokatit, duke terrorizuar dy fëmijët dhe bashkëshorten e tij. Gjatë kontrollit të banesës mbërriti një avokat i sjellë prej miqve të tij gazetarë, i cili kërkoi të ishte pjesë e procedurës, dhe pas shumë debateve u pranua. Nga banesa u sekuestrua kompjuteri (i cili përdoret nga e gjithë familja, përfshirë nga fëmijët për detyrat e shkollës e për lojëra), disa USB, CD dhe dokumente të ndryshme. Më pas, kontrolli i radhës ishte në vendin e punës, pra në televizionin “Ora News”, ku u sekuestrua kompjuteri i punës së gazetarit, disa USB dhe CD. Kjo u realizua pa praninë e avokatit të Ora News, duke marrë parasysh që kompjuteri i përket televizionit.
Së fundi, pa një urdhër gjykate, gazetarit iu sekuestruan dy telefonat celularë që i kishte lënë në një bar-kafe përballë SPAK përpara se të hynte në zyrat e tyre (ku nuk lejohen këto pajisje). Ndërkohë, kontrollet kishin vazhduar edhe në ambientet e tualetit, ku ishin shkatërruar në mënyrë brutale disa pjesë të tualetit.
Tani le të kthehemi pas në vitin 2021, tek rasti i gazetarit të portalit “Lapsi.al”, ku një urdhër i ngjashëm për sekuestrim u dha nga SPAK për të zbuluar se nga kishte dalë lista e patronazhistëve. Dy gazetarë të portalit, Armand Shkullaku dhe Andi Bushati, me mbrojtjen e avokatëve të qendrës “Res Publica” kërkuan nga Gjykata e Strasburgut pezullimin e sekuestrimit. Kjo gjykatë e dha urdhërin e pezullimit në kohë rekord prej dy ditësh, rast i paprecedent. I pakënaqur me këtë vendim, SPAK u ankua pranë Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit mori vendimin e pazakontë për të njehsuar praktikën gjyqësore me standardet ndërkombëtare. Në 23 dhjetor 2021 Gjykata e Lartë urdhëroi të gjithë gjykatat e niveleve më të ulëta që sekuestrimi i materialeve të gazetarëve profesionistë mund të lejohet vetëm me disa kushte të përmbledhura më poshtë:
- Sekuestrimi mund të kryhet vetëm pasi të jetë shteruar kërkimi i provave nga të gjithë burimet e tjera të mundshme.
- Si fillim, duhet të hetohen personat nga ka dalë informacioni, dhe nëse kjo dështon mund të hetohet gazetari.
- Në rastin e mësipërm, duhet saktësuar paraprakisht se cilat të dhëna duhet të sekuestrohen, pra jo të sekuestrohet kompjuteri por të bëhet një kopje e të dhënës specifike me urdhër të gjykatës.
- Në këtë rast, duhet treguar kujdes maksimal që të shmanget sa më shumë zbulimi i burimit të informacionit.
Asnjë nga këto kushte nuk u zbatua në rastin gazetarit Elton Qyno, ku jo vetëm iu sekuestruan pa të drejtë të gjithë pajisjet personale, por kështu mund t’i zbulohen të gjithë burimet dhe sekretet profesionale, përfshirë edhe ato të çështjeve të tjera që ka ndjekur. E gjithë kjo procedurë ku u përfshinë sekuestrime pa urdhër gjykate, është realizuar pa kujdesin minimal që të paktën pajisjet e materialet të vuloseshin që të mos hapeshin pa praninë e personit dhe avokatit të tij.
Avokatët e qendrës “Res Publica” kanë bërë sot një ankim për sekuestrimin dhe pritet që gjykata ta marrë çështjen në hetim. Në vijim, do të pergatisim edhe një kërkesë që Këshilli i Lartë Gjyqësor të nisi procedurat e shkarkimit të gjyqtares që ka marrë vendimet, pasi ka shkelur hapur kërkesat e diktuara nga Gjykata e Lartë dhe gjithë standardet ndërkombëtare. Kjo ka dëmtuar rëndë jo vetem gazetarin Elton Qyno por të gjithë gazetarinë në Shqipëri, pasi një mënyrë e tillë të vepruari bën që burimet potenciale të hezitojnë të bashkëpunojnë me gazetarët në të ardhmen.
Megjithatë, duhet të themi që ka ende shpresë dhe Res Publica po përpiqet t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje. Nëse rrëzohet urdhëri i sekuestrimit, do të ndalohet kopjimi dhe përdorimi i të dhënave të gazetarit Qyno. Gjithashtu, ndëshkimi i gjyqtares do të krijohet një model më të përshtatshëm për çështje të tjera në të ardhmen.