Ndërsa është bërë rutinë kundërshtimi në gjykatë i vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e pallateve me pretekstin e dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019, këto ditë po shfaqet një tipologji e re abuzimi nga Bashkia, e cila ka lidhje me rikonstruksionet.
Pallati nr. 3/1 në rrugën “Ali Ndroqi” në Tiranë është një ndër rastet ku është vendosur të rikonstruktohet nga Bashkia me një proces plot parregullsi. Fillimisht, pa pasur asnjë aplikim për rikonstruksion, pa një vendim të Këshillit Bashkiak, pa asnjë oponencë teknike, në gusht 2022 Bashkia Tiranë hapi një tender prej 52,8 milionë lekësh të reja me objekt “Riaftësimi strukturor i ndërtesës nr. 3/1, Rr. “Ali Ndroqi”, i cili u fitua nga bashkimi i dy firmave të ndërtimit. Ky tender u shpall përpara se të kompletohej procedura e akt ekspertizës së pallatit e të certifikohej shkalla e dëmtimit të tij nga Instituti i Ndërtimit, gjë që tregon se Bashkia e kishte ndarë mendjen që në fillim për fatin e ndërtesës. Edhe kur u kompletua akt ekspertiza me oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit në muajin Nëntor 2023, e paraqiste shkallën e dëmtimit të pallatit më të madh seç ishte në të vërtetë, një praktikë e cila është shfaqur rregullisht dhe është rrëzuar po rregullisht nga Gjykata Administrative.
Ndërkohë, pronarëve të ndërtesës, jo vetëm që nuk u ishte marrë asnjë miratim apo të ishte zhvilluar ndonjë konsultim me ta, por ata as nuk ishin njoftuar lidhur me këto zhvillime. Leja e ndërtimit e lëshuar nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në këtë rast mund të thuhet se është e paprecedent, sepse lejet e ndërtimit jepen në emër të pronarit dhe investitorit. Disa ditë më parë, në prag të festave të fundvitit, banorët u përballën me një njoftim të ngjitur në mur, ku bashkia u kërkonte të lironin sa më shpejt banesat. Ky njoftim i gjeti banorët tërësisht të papërgatitur dhe të tronditur, të gjendur përpara një fakti të kryer ku po njoftoheshin se duhej të dilnin në rrugë pa asnjë mundësi strehimi sepse Bashkia kishte tenderuar rikonstruksionin e pallatit pa dijeninë dhe miratimin e tyre, ndërkohë që ligji parashikon se rikonstruksionet bëhen nga vetë pronarët e ndërtesave, me ndihmë nga fondet e bashkisë, por jo nga vetë bashkia. Skenari i njoftimit në fund të vitit, në prag të festave sjell në kujtesë historinë e pallatit nr. 4 në rrugën “Myslym Keta”, ku banorët u gjendën përballë një fakti të kryer, pa banesë në fund të vitit dhe të nxjerrë me forcë nga qindra forca policie që në orën 4 të mëngjesit.
Dyshimet e para në këtë rast lidhen me mundësinë e abuzimit me fondet publike, të cilat do të investohen në një pallat që nuk ka nevojë për rikonstruksion, por dyshimet e banorëve shkojnë edhe më tej, duke mos përjashtuar mundësinë që gjatë punimeve vendimmarrja mund të ndryshojë për të shkuar drejt shembjes së objektit për të liruar truallin.
Banorët iu drejtuan Gjykatës Administrative, e cila sot vendosi në favor të tyre duke urdhëruar që të pezullohet zbatimi i lejes e ndërtimit dhe duke bllokuar çdo lloj punimi derisa të merret një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Si ky rast janë konstatuar edhe disa raste të tjerë në Tiranë. Për avokatët po shfaqet e qartë që kemi të bëjmë me një tipologji të re abuzimi që duhet kundërshtuar në gjykatë dhe rasti i sotëm është i pari që pranohet për këtë lloj padie. Njëlloj si në rastet e shembjes së detyrueshme të pallateve, Gjykata sërisht është në anën e banorëve të cenuar, tashmë prej një marifeti të ri. Gara e armatimeve vazhdon, ku sofistikimet e Bashkisë po marrin përgjigjen e duhur.
Res Publica