Në dt. 25 nëntor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi ndaj gazetarit Elton Qyno masën e sigurisë të “detyrimit për paraqitje pranë oficerit të policisë gjyqesore” në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv në sektorin privat.
Mëngjesin e dt. 25 nëntor, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit hynë në shtëpinë e gazetarit Qyno duke ushtruar kontroll dhe sekuestruar telefonat e tij. Në ndryshim nga çështja e mëparshme ku i njëjti gazetar pësoi sekuestrimin e pajisjeve të tij sepse mbrojti burimet e gazetarit në një rast ku dyshohet se prokurorët ose OPGJ-të rrodhën materiale nga një dosje hetimore, e cila është ende në pritje të vendimmarjes së Gjykatës Kushtetuese, këtë herë kundër gazetarit Elton Qyno u ngrit akuza se ishte paguar nga bandat kriminale për të publikuar lajme, modifikuar apo fshirë lajme në interes të tyre.
Duke qenë e vetëdijshme që do të shkaktohej një tjetër reagim ndërkombëtar si ai i çështjes tjetër ku gazetari Qyno mori një masë pezulluese nga OKB, kësaj here Prokuroria e Posaçme hoqi dorë nga sekuestrimi i pajisjeve të gazetarit dhe ia ktheu ato menjëherë, por duke kërkuar njëkohësisht vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë për detyrim paraqitjeje. Pavarësisht se kjo masë duket e lehtë dhe konkretisht për gazetarin Qyno nuk shkakton ndonjë mundim të madh pasi ai çdo ditë paraqitet në SPAK për të mbuluar çështje të krimit të organizuar, ajo gjithsesi krijonte një efekt diskreditues ndaj tij, si dhe një mesazh ndaj kolegëve të tjerë gazetarë që mbulojnë çështje të tilla.
Kërkesa e Prokurorisë, e pranuar fillimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë, u rrëzua sot nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si një masë tërësisht e papërshtatshme pasi nuk u sollën prova ku gazetari të kishte fshirë ose modifikuar ndonjë shkrim, ndërkohë që shkrimet e përmendura nga ai referojnë fakte të vërteta. Gjyqtari Dhimitër Lara shfuqizoi vendimin e shkallës së parë duke e çliruar gazetarin nga efekti diskreditues në këtë fazë të hetimeve që ai të vijojë misionin e tij, për sa kohë Prokuroria ende nuk e ka qartësuar për vete të saj rolin e këtij gazetari në raportimin e ngjarjeve.
Raportimi mbi krimin e organizuar është një nga llojet më të vështira dhe të rrezikshme të gazetarisë, dhe vetëm përmes një gazetarie të lirë publiku mund të informohet për zhvillimet e botës së nëndheshme kriminale. Rrëzimi i kësaj mase sot është një mesazh qetësimi jo vetëm për gazetarin Qyno, por për gjithë komunitetin e gazetarëve, të cilët duhen mbrojtur nga ndërhyrjet e çdo pushteti, qoftë edhe ai i drejtësisë, që mund të shkaktojnë censurë të panevojshme për një shoqëri demokratike.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin për mediat lidhur me çështjen në fjalë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.