Si nje prej aktorëve më aktivë në fushën e të drejtës së informimit dhe të konsultimit publik. qendres Res Publica iu kerkuar nga Kuvendi qe te komentoje mbi raportin vjetor te Komisionerit per te Drejten e Informimit. Kjo per arsye se, gjatë vitit 2015 Res Publica ka dorëzuar pranë Komisionerit 97 ankesa, ose rreth 35% të volumit të ankesave gjithsej të trajtuara nga kjo zyrë, si dhe ka dorëzuar 2 ankesa për konsultimin publik. Shumë prej ankesave kanë pasur lidhje me çështje tepër të veçanta që kanë prekur të gjitha pikat e rëndësishme që ligji nr. 119/2014 ka sjellë si risi, duke përfshirë kërkimin e informacionit nga persona privatë që kryejnë funksione publike, kërkimin e informacioneve sekret, informacioneve voluminoze, materialeve audiovizuale, etj. Gjatë vitit 2015 Komisioneri ka zhvilluar gjithsej 2 seanca dëgjimore dhe që të dyja këto seanca kanë qenë për çështje të ngritura nga Res Publica.
Raporti vjetor i Komisionerit ka përmbledhur gjerësisht punën e bërë nga ky institucion per vitin 2015. Me qëllim përmirësimin e punës së këtij institucioni, Res Publica i dergoi Kuvendit komentet e fokusuar në të drejtën e informimit dhe atë të konsultimit publik, te cilat jane si me poshte:
- Trajtimi i ankesave
Në përgjithësi vihet re se autoritetet publike janë më të ndërgjegjësuara për efektet e ligjit të ri nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Nga 202 kërkesa për informacion të bëra nga Res Publica gjatë vitit 2015, në 52% të rasteve autoritetet janë përgjigjur pa pasur nevojë për dorëzimin e një ankese, në krahasim me 29% në vitin 2013.
Për pjesën tjetër, prej 48%, Res Publica ka paraqitur 97 ankime administrative drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, nga të cilat 84 janë dërguar për shkak të mos kthimit të përgjigjies dhe 13 për shkak të kthimit të përgjigjieve të pjesshme. Një fenomen i dukshëm ka qenë përgjigja e autoriteteve, pa u marrë vendim nga Komisioneri, pasi kanë ndjerë presionin e ankimit administrativ. Duhet thënë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka zhvilluar një praktikë të tillë që, pasi merr ankesën, kërkon informacion nga autoriteti për arsyet e mospërgjigjes, si dhe i bën me dije se kjo sjellje mund të ndëshkohet me gjobë. Kjo praktikë i ka bërë autoritetet të reflektojnë dhe ta marrin seriozisht kërkesën për informacion, duke e dhënë atë relativisht shpejt, përpara se Komisioneri të marrë vendim. Kjo ka ndodhur në mbi 70% të rasteve të ankimuara. Në raportin vjetor Komisioneri shprehet se janë zgjidhur me ndërmjetësim 199 ankesa nga një total prej 274 ankesash, ose e thënë ndryshe 72%, shifër kjo tepër e ngjashme me rezultatin e konstatuar nga Res Publica.
Kjo është një praktikë e mirë e ndjekur nga Komisioneri, sidomos në momenetet e para, kur autoritetet publike nuk janë ende të njohura me detyrimet e ligjit nr. 119/2014. Kjo ka bërë që vendimet e Komisionerit të jenë të pakta në numër (gjithsej 50 në vitin 2015, ose në 18% të ankesave).
- Hetimet administrative dhe afatet
Nga ana jonë është konstatuar se në shumë raste Komisioneri ka urdhëruar inspektimin në shumë autoritete publike, çka ka rritur efektivitetin e vendimmarrjes së këtij institucioni.
Në 2 raste Komisioneri ka zhvilluar seanca dëgjimore publike dhe standardi i seancave ka qenë i kënaqshëm dhe me debat efektiv.
Lidhur me afatin e marrjes së vendimit, kemi konstatuar që Komisioneri e ka respektuar gjerësisht afatin ligjor, me përjashtim të vetëm 12 rasteve, për të cilat Res Publica i është drejtuar gjykatës administrative në 6 raste. Kjo shifër është e vogël në raport me masën e madhe të çështjeve të trajtuara, duke dëshmuar se nuk mungon vullneti, por mundësitë praktike, sidomos në rastet e pikut ose periudhave të papërshtatshme të vitit siç është sezoni i verës.
Në një vështrim të përgjithshëm konstatohet që kohëzgjatja e lëvrimit të informacionit është mesatarisht më e shkurtër, 15 ditë pas kërkesës fillestare për 52% të rasteve dhe 9 ditë pas ankimit te Komisioneri për 42% të rasteve, ndërkohë që për 6% të rasteve situata është më problematike nëse çështja përfundon në gjykatën administrative. Megjithë afatet më të shkurtra, ende ligji nuk po përdoret me efikasitet të plotë, pasi nëpunësit e administratës publike ende nuk janë ndërgjegjësuar në raport me detyrimet që parashikon ligji i ri dhe nuk kanë ndjerë peshën e sanksioneve të parashikuara në këtë ligj. Kështu, tendenca e disa gazetarëve/individëve për të kërkuar informacion në rrugë informale, mbetet ende e justifikueshme, pasi informacioni është mall që “kalbet” shpejt.
- Programet e transparencës. Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve. Caktimi i koordinatorëve për të drejtën e informimit.
Programi i transparencës
Një vlerësim pozitiv nga ana jonë bëhet në vecanti për faktin që modeli i programit të transparencës është miratuar shpejt nga Komisioneri dhe është i një cilësie të mirë, krahasuar me modele të ngjashme të përdorura në vende të tjerë të zhvilluar.
Megjithatë, në fund të vitit 2015, nga monitorimi i kryer nga Res Publica u konstatua se pothuajse gjysma e autoriteteve nuk kishin fare një program transparence dhe një pjesë tjetër e madhe e kanë paraqitur atë si një rubrikë në faqen e tyre të internetit, por pa futur asnjë informacion në të.
Më pak se 1/3 e autoriteteve ka përmbushur pak ose disi programin e transparencës dhe vetëm 1 autoritet e ka përmbushur atë kënaqshëm, i cili është vetë Komisioneri për të Drejtën e Informimit, si autoriteti që kujdeset për këtë ligj.
Nga monitorimi ynë ka rezultuar se situata, ndonëse shumë problematike, paraqitet relativisht më pak e keqe në rastin e institucioneve të krijuara me ligj të veçantë, agjencive dhe enteve publike. Disa institucione kushtetuese gjithashtu kanë një paraqitje minimaliste, ndërkohë që disa të tjerë nuk kanë përmbushur asgjë. Ministritë janë edhe më keq se kaq. Më poshtë në renditje ndodhen bashkitë.
Më keq paraqiten drejtoritë e rëndësishme.Njëlloj keq situata është edhe në rastin e universiteteve dhe shoqërive shtetërore, të cilat nuk kanë fare një program.
Situata më e rëndë është në gjykata. Asnjë prej 18 gjykatave të monitoruara nga Res Publica nuk ka marrë mundimin të implementojë programin e transparencës.
Kjo situatë konstatohet edhe nga Komisioneri në raportin e tij, duke u shprehur se ka institucione që nuk kanë hartuar programet e transparencës. Edhe ato institucione që kanë hartuar dhe miratuar këto programe nuk i kanë të plota. Regjistrat e kërkesave dhe përgjigjeve janë të pa azhurnuar dhe ende ka institucione që nuk kanë caktuar koordinatorët e të drejtës për informim.
Ligji i ri ka sjellë shumë risi, për të cilat do të kishte një pritshmëri të natyrshme që të mos kuptoheshin nga të gjithë autoritetet plotësisht. Për këto arsye, Komisioneri e ka parë të arsyeshme që të mbajë një qendrim edukues ndaj autoriteteve që nuk kanë përmbushur kërkesat e ligjit, duke mos aplikuar gjobat që në momentet e para, por duke u dërguar autoriteteve vazhdimisht shkresa për kujtesë dhe sqarime të nevojshme.
Duke iu referuar vendimeve të Komisionerit, vihet re se në një rast është aplikuar gjobë për mungesën e programit të transparencës me Vendimin nr. 49, datë 06.11.2015.
Koordinatorët për të drejtën e informimit
Më shumë se gjysma e autoriteteve publike të monitoruara nga Res Publica nuk kanë caktuar një koordinator për të drejtën e informimit. Në afro 30% të rasteve, edhe nëse është caktuar një koordinator, nuk janë publikuar të dhënat e kontaktit të tij. Ligji ka përcaktuar një afat për caktimin e koordinatorëve dhe ky afat tashmë ka kaluar. Mirëpo, ligji nuk parashikon në asnjë rast se çfarë ndodh nëse autoritetet publike nuk binden dhe nuk caktojnë asnjë koordinator. Për më keq, ligji është i paqartë se ndaj kujt jepet gjoba për refuzimin e dhënies së informacionit ose shkelje të tjera të ligjit, nëse autoriteti nuk ka caktuar një koordinator. Kjo mangësi e ligjit e ka penguar Komisionerin që të jetë më efektiv në dhënien e sanksioneve.
Në fund të vitit 2015, caktimi i koordinatorëve ishte ende në proces. Situata është duke u zhvilluar me ritme më të ngadalta nga sa ka parashikuar ligji, por zhvillimi nuk është ndalur.
Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve
Gjysma e autoriteteve të monitoruara nga Res Publica nuk kanë publikuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve. Një e katërta e tyre ka publikuar regjistër pa asnjë informacion, pra tërësisht jofunksional. Pjesa tjetër, në disa raste ka publikuar regjistrin ku jepen informacione vetëm mbi kërkesat. Në më pak raste jepet informacion edhe nëse është dhënë përgjigje ose jo. Vetëm 2% e autoriteteve kanë publikuar një regjistër të plotë të kërkesave dhe përgjigjeve, ndërkohë që ¾ e autoriteteve nuk kanë përmbushur as standardet më minimale të kësaj kërkese të ligjit.
Në këtë pikë, Komisioneri u ka kujtuar, në çdo rast ankese, autoriteteve publike që të përmbushin kërkesat e ligjit. Megjithatë, aplikimi i sanksioneve ka qenë i zbehtë për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të autoriteteve me detyrimet që i ngarkohen nga ligji i ri. Për këtë arsye, Komisioneri ka gjetur mbështetjen e donatorëve, kryesisht Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, për të edukuar autoritetet publike pa përdorur shpesh sanksionet administrative.
- Jurisprudenca e Komisionerit
Res Publica ka dërguar te Komisioneri edhe disa ankesa në formë testi (litigimi strategjik), për të mundësuar çeljen e praktikave të reja. Është konstatuar se Komisioneri i ka trajtuar mjaft mirë këto ankesa, duke respektuar standardet e vendosura nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga këto raste vlen të theksohen dy vendime që kanë pasur lidhje me dokumenta që janë pretenduar se kanë qenë të klasifikuara, ku Komisioneri ka vendosur në favor të Res Publica si kërkuese, në respekt të parimeve të Tshwane dhe jurisprudencës së GJEDNJ. Në përgjithësi vendimet janë karakterizuar nga një ushtrim korrekt i balancës së proporcionalitetit.
- Sanksionet
Komisioneri fillimisht nuk ka aplikuar gjoba në rastet e refuzimit të dhënies së informacionit. Nga praktika e testuar nga Res Publica, rezulton se Komisioneri ka vënë gjobë vetëm në një rast, e cila nuk është ankimuar në gjykatë dhe është vënë në zbatim nga autoriteti publik. Filozofia e punës së këtij institucioni gjatë vitit 2015 ka qenë që në momentet e para të zbatimit të ligjit të ri nevojitet një fazë edukimi për autoritetet, dhe se vendosja e gjobave mund të shtohet gradualisht, pasi autoritetet të jenë në dijeni të detyrimeve ligjore dhe refuzimi të mos ndodhë për shkak të mosnjohjes së ligjit, por për shkak të mungesës së vullnetit.
- Njoftimi dhe Konsultimi Publik
Njoftimi dhe Konsultimi publik është pjesë e veprimtarinë së punës së Komisionerit, sipas parashikimeve të ligjit nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Gjatë vitit 2015 dhe fillimit të vitit 2016 Komisioneri ka trajtuar 2 ankesa nga Res Publica.
Ashtu siç shprehet edhe Komisioneri, konstatohet se nga ana e autoriteteve publike nuk zbatohet procedura e parashikuar në këtë ligj për të njoftuar dhe konsultuar publikun dhe palët e interesuara projektaktet e hartuara, përpara miratimit të tyre. Në kuptim të nenit 21 të këtij ligji, kjo situatë bën të vështirë procedurën e shqyrtimit të ankesave nga ana e Zyrës së Komisionerit.
Një problem i patrajtuar në raport është ai që lidhet me mos caktimin e koordinatorëve për të njoftimin dhe konsultimin publik. Mungesa e tyre shkakton mostrajtimin me seriozitet të kërkesave për konsultim punlik nga ana e autoriteteve dhe gjithashtu pengon Komisionerin që të zbatojë sanksionet administrative.
Ligji për konsultimin publik ka hyrë në fuqi në mesin e vitit 2015 dhe vetëm në 7 Tetor 2015 është miratuar akti nënligjor (VKM nr. 802/2015) i cili është botuar në Fletoren Zyrtare më 14 Tetor 2015. Faqja zyrtare e internetit për njoftimin dhe konsultimin publik nuk ëshë ende operative.
- Rekomandime
Res Publica, përmes studimit të bërë gjatë vitit 2015, ka konstatuar një sërë problemesh dhe shfrytëzon këtë mundësi për të sugjeruar disa zgjidhje që ndikojnë në funksionimin më të mirë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit, si më poshtë:
Rekomandime për ndryshime në ligjin nr. 119/2014 (Kuvendi)
- Të ndryshohet neni 18, duke përfshirë mundësinë e gjobitjes së titullarit të autoritet publik, nëse ai nuk ka caktuar koordinatorin për të drejtën e informimit. Kjo vlen edhe në rastin e njoftimit dhe konsultimit publik të rregulluar me ligjin nr. 146/2014. Aktuliasht ligji parashikon se për refuzimin e dhënies së informacionit dhe për shumë shkelje të tjera gjobitet koordinatori për të drejtën e informimit pranë çdo autoriteti. Meqënëse ende shumë autoritete nuk kanë caktuar koordinatorët, këtë përgjegjësi ligjore duhet ta mbajnë titullarët e autoriteteve publike, përsa kohë ata nuk kanë caktuar një koordinator. Në këtë mënyrë zbatohet parimi i njohur i përgjegjësisë kaskadë
- Të shtohet një dispozitë në ligj për të mundësuar ekzekutimin me forcë të vendimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Ligji nuk përmban asnjë dispozitë për të njohur vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit si titull ekzekutiv. Aktualisht një parashikim i tillë vlen vetëm për gjobën e vendosur nga Komisioneri, e cila trajtohet sipas ligjit për kundravajtjet administrative. Ky i fundit i përcakton këto vendime si tituj ekzekutivë. E njëjta gjë duhet parashikuar edhe për vendimet që detyrojnë autoritetet të lëvrojnë informacionin e kërkuar, duke e shoqëruar edhe me një afat të detyrueshëm dhe të shpejtë për ekzekutimin, dhe në rast të kundërt të parashikohet sanksion administrativ shtesë ndaj titullarit të autoritetit publik dhe/ose koordinatorit.
- Të përcaktohen qartë kompetencat e Avokatit të Popullit. Neni 24 i ligjit shprehet se kompetencat e Avokatit të Popullit nuk ndryshojnë, por mbetet e paqartë se cili do të jetë roli konkret i këtij institucioni kushtetues në raport me të drejtën e informimit, duke shmangur mundësinë për përplasjen e kompetencave. Zgjidhja duhet të jepet me ligj dhe jo me marrëveshje administrative ndërmjet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Avokatit të Popullit, siç ka sugjeruar Kuvendi me rezolutën e datës 16.04.2015.
Rekomandime në lidhje me aktet nënligjore dhe buxhetin (Ministria e Financave)
- Të nxirret Udhëzimi për përcaktimin e tarifave për koston e dhënies së informacionit. Rezulton se ende nuk është miratuar Udhëzimi i Ministrit të Financave për caktimin e kostove për dhënien e infotmacionit. Për një funksionim më të saktë të ligjit dhe për shmangur mundësitë e abuzimit nga autoritetet publike, nevojitet që të miratohet sa më shpejt ky udhëzim.
- Të fuqizohen kapacitetet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit duke alokuar një buxhet më të përshtatshëm. Komisioneri për të Drejtën e Informimit është njëkohësisht edhe Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, cilësi që e ka pasur përpara hyrjes në fuqi në ligjit të ri për të drejtën e informimit. Aktualisht stafi që zyra e Komisionerit ka dedikuar për të drejtën e informimit është në numër të vogël dhe e ka të vështirë të përballojë fluksin në rritje të ankesave. Kjo duket edhe nga koha e reagimit, e cila nuk përfshin vetëm marrjen e një vendimi, por duhet të përballojë edhe inspektimet në vend, komunikimet shkresore, monitorimet etj.
Rekomandime për marrje masash operacionale (Komisioneri për të Drejtën e Informimit)
- Të nisë një zbatim më masiv i gjobave për shkeljet e ligjit, sidomos në rastet e refuzimit të informacionit dhe mungesës së programit të transparences. Aktualisht Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka aplikuar pak gjoba, ndërkohë që numri i rasteve të trajtuar prej tij është shumë i madh, si dhe numri i autoriteteve që nuk kanë implementuar prograin e transparencës ëshë shumë i madh. Pas përfundimit të natyrshëm të fazës së parë, të njohjes së ligjit dhe edukimit të autoriteteve publike, Komisioneri për të Drejtën e Informimit duhet të nisë gradualisht aplikimin më të shpeshtë të gjobave, sidomos në rastet e përsëritësve.
- Të vazhdojë trajnimi i zyrtarëve përkatës që trajtojnë kërkesat për informim. Në vitin e parë të zbatimit të ligjit të ri vihet re se shumë autoritete publike ende nuk kanë kuptuar konceptet bazë të ligjit. Në shumë raste, Komisioneri për të Drejtën e Informimit e ka parë të arsyeshme që të përsërisë në çdo shkresë edhe përkufizimet më bazike të ligjit të ri. Gjatë vitit 2015 janë zhvilluar trajnime, por vihet re se kategori të caktuara të autoriteteve publike nevojiten të përfshihen në trajnimet e planifikuara në të ardhmen, ku veçojmë gjykatat, bashkitë dhe shoqëritë shtetërore.
Res Publica – Mars 2016