Gjykata Kushtetuese më 29 Shkurt 2016 ka marrë një vendim në lidhje me ankesën kushtetuese të ngritur nga Avokati i Popullit kundër nenit 14 të ligjit nr. 9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i cili mohonte të drejtën e gjykatave që të pezullonin vendimet për prishjen e objekteve pa leje. Ky nen u ndryshua në muajin dhjetor 2014. Çështja u mbrojt nga Avokati i Popullit, i cili bashkëpunoi me qendrën Res Publica, e mbështetur nga Civil Rights Defenders.
Gjykata Kushtetuese, në Vendimin nr. 10, datë 29.02.2016, solli disa risi tepër të rëndësishme për grupet vulnerabël, pasi njohu të drejtën e pezullimit të akteve të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) nga gjykatat, përpara se të kryhet prishja e objekteve të kundraligjshëm.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e shkallës së parë nuk kanë asnjë pengesë ligjore që të vendosin pezullimin e akteve të IKMT, kur pala e interesuar e kërkon atë. Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën gjykatave të zakonshme të bëjnë pezullimin e akteve të IKMT në cdo rast kur prej tyre rrezikohet ardhja e një dëmi të rëndë e të pariparueshëm. Në këtë mënyrë, arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese legjitimoi anashkalimin e pengesës absurde të vendosur në fund të vitit 2014 që përcaktonte se aktet e IKMT nuk mund të pezulloheshin nga gjykatat. Ky ligj nuk u shfuqizua, por tashmë do të lexohet ndryshe nga mënyra si donte ta lexonte dhe zbatonte Qeveria.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një përgjigje e merituar ndaj qendrimit të Qeverisë, e cila kërkoi që të mos njihej e drejta e pezullimit të akteve të IKMT nga gjykatat e zakonshme, me idenë që kush cenohet nga prishja e objekteve u mjafton dëmshpërblimi, pavarësisht se dihet që kjo kërkon një pritje disa vjeçare. Kjo është e papranueshme dhe Gjykata Kushtetuese u tregua e qartë që gjykatave të zakonshme nuk mund t’i hiqet e drejta për të pezulluar aktet administrative. Kjo është një prerogativë e pushtetit gjyqësor që mbrohet nga Kushtetuta.
Rëndësi paraqer edhe mendimi i pakicës, i gjyqtarit kushtetues Z. Vladimir Kristo, i cili ngriti shqetësimin e arsyeshëm që procedura e pezullimit të vendimeve të IKMT nga gjykata mund të kërkojë kohë. Për rrjedhojë, ka premisa reale që IKMT të ndërmarrë veprime arbitrare duke ndërhyrë me shpejtësi në ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve, duke shmangur gjykatën ose, e thënë ndryshe, duke i mohuar de facto të drejtën e ankimit efektiv individit. Sipas gjyqtarit Kristo, ligjvënësi, pavarësisht situatës shqetësuese të ndërtimeve në territorin e Shqipërisë, duhet të tregojë vetëpërmbajtje.
Në përfundim, qendra Res Publica, falenderon Avokatin e Popullit për sipërmarrjen e kësaj cështjeje të vështirë dhe strategjike, dhe shpreh besimin se më në fund është hapur një dritare juridike që vendimet e IKMT do të mund të pezullohen nga gjykatat, ashtu sic ndodh në cdo vend demokratik. Tashmë duhet të pasurohet praktika gjyqësore, duke inkurajuar qytetarët që preken nga vendimet e prishjes së objekteve që të kërkojnë sipas rastit pezullimin e vendimeve deri sa gjykatat të shprehen me vendim përfundimtar.
Qendra Res Publica i bën thirrje IKMT-së që të tregojë vetëpërmbajtje dhe të mos veprojë menjëherë me prishjen e objekteve, por të lërë gjykatat të thonë fjalën e tyre. Në cdo rast IKMT ka afat deri 30 ditë për prishjen e objekteve dhe ky afat është i mjaftueshëm që të pritet me qetësi vendimi i gjykatës për pezullimin ose jo të prishjes së objektit (gjë që në praktikë zgjat jo më shumë se 7 – 8 ditë).
Ne e dimë që fadromat janë mjete më të shpejtë se gjykatat, por në një shoqëri demokratike gara mes shtetit dhe individit bëhet përmes përplasjes së argumentave përpara gjykatës dhe jo përmes përplasjes së pabarabartë të individit të thjeshtë përkundrejt supremacisë motorike e policore të shtetit.
Qendra Res Publica
Ju falenderoj per perkushtimin tuaj ne respektimin e drejtesise dhe te drejtave themelore te njeriut. Nje falenderim tevecante per Avokatin e popullit, i cili ka qene realisht ne lartesine e detyres se besuar. Suksese.