Res Publica mirëpret vendimin e fundit të Prokurorit të Përgjithshëm për zbulimin e informacionit statistikor për numrin e përgjimeve të autorizuara në vitet 2014, 2013 dhe 2012. Sipas dokumentit, masat e mbikqyrjes operacionale janë autorizuar në lidhje me 689 çështje dhe në lidhje me 3140 individë në vitin 2014, në krahasim me 3112 individë në vitin 2013 dhe 2315 në vitin 2012.
Vendimi vjen pas kërkesës së gazetares investigative Lindita Çela s për tu informuar, pas vënies në lëvizje të Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Kërkesa ishte paraqitur pranë Prokurorit të Përgjithshëm, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Të tre agjencitë nuk pranuan të publikojnë të dhënat e kërkuara, pra numrin e përgjimeve të kryera në vitin 2014, duke u justifikuar se informacioni përbënte sekretet shtetëror.
Në një seancë dëgjimore publike para Komisionerit (e para që nga themelimi i këtij autoritetit të pavarur në nëntor të vitit 2014), të tre organet shtetërore përsëritën argumentet e tyre dhe nuk pranuan të japin informacionin e kërkuar. Znj. Cela, përfaqësuar nga Res Publica, argumentoi se në bazë të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, informacioni i kërkuar ishte i një natyre thjesht statistikore dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet konfidencial. Pas seancës, Komisioneri kërkoi nga të tre institucionet që të rishikojnë klasifikimin e informacionit të kërkuar si një sekret shtetëror. Me vendimin e tij për të riklasifikuar informacionin si jo konfidencial, Prokurori i Përgjithshëm hapi rrugën për zbulimin e tij, duke përmbysur refuzimin e mëparshëm.
Drejtor Ekzekutiv i qendrës Res publica, Dorian Matlija, përshëndeti vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm si “një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm përpara në zhvillimin e praktikës shqiptare në përputhje me standardet më të fundit të së drejtës ndërkombëtare në fushën e aksesit në informacione të klasifikuara dhe në veçanti Parimet Tshwane.” Sipas Z. Matlija, kjo çështje gjithashtu thekson rolin vendimtar që Komisioneri për të Drejtën e Informimit mund të luajë në fuqizimin e gazetarëve, por edhe qytetarëve për të pasur aksesin të shpejtë në informacion, duke i bërë institucionet më transparente dhe më të përgjegjshëm. “Në vend të procedurave të zgjatura dhe të kushtueshme gjyqësore para gjyqtarëve, të cilët për shkak të ngarkesës së punës së tyre, ata nuk mund të njohin medoemos zhvillimet e fundit ndërkombëtare në fushën e të drejtës së informimit, kërkesa e zonjës Çela u dëgjua menjëherë dhe pa kosto para një organi të specializuar kuazi-gjyqësor “, shtoi Z.Matlija.
Megjithatë sfida vazhdon. Të dy autoritetet, Prokurori i Përgjithshëm, si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror nuk pranuan të bëjnë të ditur numrin e masave të mbikqyrjes parandaluese, përkatësisht masat që nuk janë të autorizuar nga një organ i pavarur gjyqësor, duke i qendruar argumentit të tyre lidhur me natyrën konfidenciale të këtij informacioni, ndërsa ende Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk ka nxjerrë vendimin e saj. Znj. Cela ka shprehur synimin e saj për të ndjekur çështjen deri sa ajo të ketë siguruar të gjithë informacionin e kërkuar prej saj. “Është koha të nisim çmontimin e kulturës së sekretit që ende mbizotëron në disa prej xhepave të institucioneve shtetërore”, deklaroi ajo.