Me 30 shtator 2014, ne oren 10.00, ne ambientet e Hotel Tiranes, Res Publica therret gazetare dhe aktiviste te shoqerise civile ne nje tryezë advokimi me teme: “Nxitja e ushtrimi të të drejtës së informimit dhe dekriminalizimi i shpifjes”. Tryeza synon të shtrojë për diskutim së bashku me gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile, të dy çështjeve me rëndësi për lirinë e shprehjes dhe të informimit: nxitjen e ushtrimit të të drejtës së informimit dhe dekriminalizimin e shpifjes.
E drejta e informimit sapo është prekur nga një reformë rrënjësore. Zhvillimet e fundit kanë qenë shumë positive. Pak ditë më parë, më 18 shtator 2014, Kuvendi miratoi ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i cili siguron në duart e gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile një mjet shumë efektiv për të siguruar informacion mbi dokumentat e organeve publike. Ligji i ri sjell shumë risi, afate më të shkurtra, më shumë përgjegjësi për autoritetet, më shumë koordinim të veprimeve dhe më shumë informacion të hedhur online. Ligji që lamë pas ishte joefektiv, por me ligjin e ri duhet nisur një fushatë e re ndërgjegjësimi për të nxitur dëshirën tek të gjithë që të përdorin të drejtat e reja për të bërë qeverinë më transparente dhe për të denoncuar korrupsionin.
Për të ndihmuar gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile që të përdorin me efektivitet ligjin e ri, Res Publica ka përgatitur edhe një Komentar në formën e një libri me vlerë praktike, i cili hedh dritë mbi kuptimin e detajeve të ligjit, për të kuptuar më mirë risitë dhe çfarë duhet patur kujdes.
Megjithë zhvillimet pozitive të mësipërme, situata nuk është e favorshme për lirinë e shprehjes. Shpifja vijon të mbetet ende një vepër penale e parashikuar në Kodin Penal , ndonëse nuk dënohet me burgim. Gjobat penale të parashikuara nga ligji janë tepër të larta dhe të papërshtatshme me nivelin e të ardhurave të gazetarëve. Gjithashtu regjistrimi i këtyre dënimeve në dëshminë e penalitetit është një aspekt i kritikuar nga organizma ndërkombëtarë. Diskutimi në këtë tryezë synon të nxisë pjesëmarrësit për të ngritur debatin publik që të bëjë ligjvënësin të reflektojë përballë argumenteve të vlefshëm.