Trashëgimtarët e viktimave të 21 janarit, në dhjetëmujorin e ngjarjeve në bulevardin para godinës kryeministrore ku u vranë katër persona, i drejtohen Gjykatës së Tiranës që t’u mundësojë eksesin në dosjen hetimore, të shohin veprimet e fundit dhe të japin ndihmesën për zbardhjen sa më parë të ekzekutimeve të Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtos. Gazeta “Shqip” ka siguruar një kopje të kërkesës që është firmosur nga të afërmit e Dedës dhe Veizit, e cila do të gjykohet në muajin dhjetor në Gjykatën e Tiranës dhe ka si objekt “kërkesën për marrje informacioni dhe vënie në dispozicion të dosjes hetimore lidhur me vrasjet në demonstratën përpara Kryeministrisë më 21 janar 2011”. Kërkues është Zabit Deda, vëllai i Hekuran Dedës dhe Çaush Veizi, vëllai i Ziver Veizit, të cilët i drejtohen gjykatës nëpërmjet avokatëve Dorian Matlija, Andi Kananaj dhe Theodoros Alexandridis. “Në cilësinë e avokatëve mbrojtës të familjarëve të të ndjerit Hekuran Deda dhe familjarëve të të ndjerit Ziver Veizi, të dy viktima të vrasjeve në demonstratën e 21 janarit 2011 në Tiranë, në emër të tyre i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme fillimisht në muajin mars 2011 dhe më pas më tetor 2011 për të marrë informacion dhe për të pasur në dispozicion dosjen hetimore të përgatitur nga prokurorët e çështjes. Më në fund, më 08.11.2011 kemi marrë një përgjigje nga drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Tiranë, i cili refuzonte plotësimin e kërkesës. Ndër arsyet që justifikonin refuzimin, shkresa nr. 1570 D prot., renditeshin disa probleme lidhur me bazën ligjore, sekretin hetimor, tagrat e trashëgimtarëve të personit të dëmtuar nga vepra penale etj.”, pohojnë avokatët e trashëgimtarëve të viktimave të 21 janarit. Sipas tyre, sinteza e kërkesës konsistonte në rëndësinë e veçantë të ngjarjes dhe prokuroria nuk duhet t’i lërë në terr të dëmtuarit dhe familjarët. “E kemi mirëkuptuar vazhdimisht ngarkesën e punës së këtij institucioni dhe se kemi preferuar të qëndrojmë në pritje për afro 10 muaj që nga koha kur 4 persona humbën jetën në mes të Tiranës. Gjatë kësaj kohe dhe deri sot nuk kemi pasur as më të voglën ndihmë apo mirëkuptim për të marrë informacionet e nevojshme për mbrojtjen e interesave të ligjshme të të dëmtuarve nga kjo ngjarje e rëndë. Kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë se kjo çështje është një çështje e një rëndësie të veçantë dhe prokuroria nuk duhet që t’i lërë në terr të dëmtuarit dhe familjarët e tyre. Rëndësia e hetimeve është determinuese në fazën e gjykimit dhe ne duam të jemi pjesë e kësaj faze për të ofruar ndihmën tonë, si dhe ligji na përcakton si pjesë drejtpërdrejt e interesuar në realizimin e drejtësisë në këtë çështje”, i shkruajnë trashëgimtarët e Veizit dhe Dedës Gjykatës së Tiranës. Ata insistojnë për të pasur aksesin e nevojshëm te dosja në fjalë, duke u mbështetur në nenin 2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi besojnë se rasti në fjalë është tejet i rëndësishëm. “Ne insistojmë që të jemi pjesë e procesit jo vetëm si palë civile, por në radhë të parë si mbartës të së drejtës që garantohet kjo konventë për të qenë në thelb pjesë e procesit penal. Familjarët e viktimave kanë të drejtën që të kërkojnë një gjykim të drejtë dhe ezaurues, edhe pse nuk kanë të drejta aktive e dinamike në pozicionin procedural për të kërkuar dënimin e palës së akuzuar. E drejta për të kërkuar procedimin e fajtorit, bazohet në radhë të parë në të drejtën për kërkimin e një hetimi të plotë, duke përfshirë kryerjen e një sërë veprimesh procedimi si marrje provash dhe kryerje ekspertimesh, për të çuar në fund te një konkluzion sa më i plotë në interes të vendosjes së drejtësisë”, vijojnë trashëgimtarët, nëpërmjet avokatëve Matlija, Kananaj dhe Alexandridis. Këta të fundit kanë renditur edhe disa raste gjykimesh në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ku konstatimet e rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut në këtë drejtim nuk kanë munguar. GJEDNJ, përveç rasteve të huaja, është duke shqyrtuar edhe rastin Çeka kundër Shqipërisë, ku gjykata e ka pranuar për shqyrtim çështjen për mosrealizimin e një procesi të drejtë me arsyen bazë se familjarët e viktimës nuk u vunë në kushtet për të qenë pjesë e procesit. Rasti në fjalë ka treguar se problemi i mospasjes akses në dosje është konsideruar shkelje e Konventës së të Drejtave të Njeriut, dhe është në konsideratën e vazhdueshme të kësaj gjykate. “Duket qartë se Konventa e të Drejtave të Njeriut, në vlerësim të parimeve të Kartës së OKB-së, ka kërkuar qartë që sa më sipër të jetë roli i familjarëve të viktimave në të gjitha shkallët e hetimit dhe gjykimit”, pohojnë avokatët.