Peticion i Shoqërisë Civile – Drejtësi për Tragjedinë e Gërdecit
Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec në 15 mars 2008, shkaktoi vdekjen e 26 personave, mes tyre 2 fëmijë, plagosjen e mbi 300 qytetarëve të tjerë, si dhe shkatërrimin dhe dëmtimin e mbi katër mijë objekteve të zonës.
Kanë kaluar 4 vjet dhe drejtësia është munguesi më i madh i këtij procesi. Nga 30 të akuzuarit si përgjegjës për humbjen e 26 jetëve, mbi 300 plagosjeve, dhe dëmeve të tjera materiale:
- 1 prej tyre mbetet ende i pagjykuar dhe i mbrojtur nga imuniteti parlamentar;
- 10 janë shpallur të pafajshëm;
- 4 të akuzuar për vrasje nuk janë dënuar për këtë akuzë, por kanë marrë nga 10-18 vjet dënim me burgim për vepra penale të tjera si “shkatërrim prone nga pakujdesia” apo “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Qartazi, vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 12 mars 2012 nuk i përgjigjet shkallës së tragjedisë dhe përgjegjësive për Gërdecin dhe lë pa autorë vrasjet që shkaktuan vdekjen e 26 viktimave të pafajshme. Vendimi nuk dha drejtësi, por u karakterizua nga një proces gjyqësor i padrejtë dhe deficitar. Konkretisht:
- Procesi penal shënoi një rekord seancash gjyqësore (211 seanca) në harkun kohor të thuajse 3 viteve, afërsisht tre herë më shumë se mesatarja e proceseve të tjera të ngjashme. 53% e seancave (112/211 seanca) dështuan për mungesë të avokatëve dhe mosformim të trupit gjykues. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
- Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, familjarët e viktimave kërkuan dëmshpërblim vetëm të jetëve të humbura dhe ngritën sipas të gjitha rregullave padinë e tyre civile në procesin penal. Gjyqtarët vendosën të veçonin padinë civile nga procesi penal pa dëgjuar zërin e vetë të dëmtuarve. Me justifikimin se padia civile zvarrit procesin, Gjykata e Lartë shpërfilli padinë civile ndërkohë që shumë prej viktimave lanë pas fëmijë të mitur dhe pa asnjë përkrahje. Procesi penal gjithsesi u zvarrit: 211 seanca në 3 vjet.
- Në përputhje me nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale, familjarët e viktimave kërkuan që gjykata të zbatonte ligjin dhe të zhvillonte seanca në çdo ditë pune dhe jo vetëm dy herë në javë. Pas presionit të vazhdueshëm publik dhe ndërkombëtar, gjykata e shtoi vetëm me 1 ditë më shumë në javë zhvillimin e seancave gjyqësore.
- Prokuroria e Përgjithshme fillimisht u mohoi familjarëve të viktimave të drejtën për t’u informuar lidhur me hetimet, duke iu përgjigjur kërkesave të përsëritura të familjarëve të viktimave vetëm 14 muaj pas tragjedisë, pasi u përball e u detyrua nga gjykata.
Për 3 vjet rresht, familjarët e viktimave kërkuan vazhdimisht një kopje të provave shkresore të disponuara nga vetë Gjykata e Tiranës dhe nga Gjykata e Lartë, për të mbështetur pretendimet e tyre para gjykatës. Asnjë prej kërkesave (4 kërkesa me shkrim) nuk mori qoftë dhe një përgjigje zyrtare.
Të njëjtin fat patën edhe 10 kërkesat e tjera për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës, Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT Nënë Tereza, Bashkisë Vorë, Uzinës së Poliçanit, Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri, etj. Në ato 5 raste kur është dhënë përgjigje, këto kanë qënë gjysmake dhe të pashoqëruara me dokumentacionin autentik siç e kërkon ligji.
Familjarët e viktimave i kanë kërkuar Ministrit të Drejtësisë të marrë masat e parashikuara nga ligji lidhur me përjashtimin nga taksat tepër të larta e të papërballueshme të vlerës së padisë, të cilat shkojnë me përafërsi rreth 20.7 milionë lekë. Megjithatë, deri më sot nuk është marrë asnjë përgjigje. Barra e taksës e bën të pamundur vijimin e procesit civil nga ana e familjarëve. Cenimi i të drejtës për një proces të rregull ligjor për shkak të mospagimit të taksës gjyqësore është një shkelje e cilësuar si e papranueshme edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Familjarët e viktimave kanë kërkuar tre herë nisjen e procedurës nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu. Këto kërkesa kanë mbetur pa përgjigje.
Dhjetëra të plagosur i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë nisjen e një procesi gjyqësor ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, por në të dyja rastet Gjykata e Lartë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Të plagosurit i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pranuar ta trajtojë çështjen pa vonesë, por nuk është shprehur ende me një vendim për të qartësuar këtë situatë.
Familjarët e viktimave i knaë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes nxjerrjen e akteve përkatëse për dëmshpërblimin e tyre, por kjo ministri ia ka deleguar përgjegjësinë firmës private Albademil, duke iu shmangur detyrimeve të veta ligjore. Këshilli i Ministrave nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje për ankimin administrativ në fjalë të familjarëve të viktimave, duke shpërfillur të vrarët nga veprimtaria shtetërore e demontimit ushtarak.
Padrejtësia e hasur në çdo hap nga familjarët e viktimave është padrejtësi në kurriz të çdo qytetari shqiptar. Prandaj, nënshkruesit e këtij Peticioni shprehin njëzëri solidaritetin e tyre me familjarët e viktimave dhe të plagosurit e Gërdecit; shprehin njëzëri revoltimin e tyre qytetar ndaj maratonës së padrejtësive të Gërdecit, dhe u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të përmbushin detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi. Konkretisht:
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim që të mundësohet apelimi nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proçes që përfshin interesat e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe të vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi të zgjatur tej mase.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe në përputhje të plotë me sferën e kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave dhe Gjykatën e Tiranës të marrin çdo masë të nevojshme për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.
Shoqëria civile shqiptare e ndjen si detyrim të sajin të kërkojë vendosjen në vend të drejtësisë. Tragjedia e Gërdecit është testi më i rëndësishëm për sa i përket mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe i rrënjëve të thella të fenomenit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, dhe njëkohësisht ai mund të transformohet në pikënisjen për arritjen e një sistemi gjyqësor të besueshëm e funksional, në shërbim të qytetarit e jo të pushtetit. Nëse ky proçes dështon, besimi tek drejtësia dhe demokracia do të jetë i pamundur për t’u rekuperuar.
Nënshkruesit e peticionit:
- Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit, Gërdec
- Qendra Res Publica
- Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros
- Qendra e Studimeve Parlamentare
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit
- Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim
- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA
- Instituti për Studime Publike dhe Ligjore
- Blendi Kajsiu, politolog
- Andrea Stefani, analist
- Lëvizja Mjaft
- Ilir Yzeiri, publicist dhe pedagog
- Shoqata “Asistencë për Komunitetin në Shqipëri”
- Shoqata “Misionarët e të Drejtave Sociale të Kuçovës”
- Art Kontakt
- Lavdosh Fërruni
- Instituti Antonio Gramshi
- Leart Kola, aktivist
- Arlind Qorri, pedagog i shkencave politike
- European Centre
- Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare
- Qendra për Studime të Avancuara
- ARSIS – Organizatë Shoqërore për Përkrahjen e të Rinjve
- Forumi i Mendimit të Lirë
- Sindikata e Minatorëve
- Transparency International Albania
- Tirana Legal Aid Society, TLAS
- Ervin Çuli, dramaturg
Peticioni është ende i hapur. Nëse do ti bashkangjitesh kontakto andi.kananaj@gmail.com
Për më shumë informacion, lutemi konsultoni faqen e internetit të Qendrës Res Publica:http://www.respublicalb.com