Sot, më 13 tetor 2013 u zhvillua në ambientet e Hotel “Mondial” në Tiranë, trajnimi për gazetarët dhe profesionistët e medias, me temë: “Liria e shprehjes, nga teoria në praktikë”. Me pjesëmarrje të mbi 30 prej emrave më të njohur të gazetarisë investigative shqiptare, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës dhe ekspertë të fushës, vendas dhe të huaj, u prezantuan konceptet që duhen të kenë parasysh gazetarët dhe profesionistët e medias në raport me lirinë e shprehjes.
Organizuar nga Res Publica dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy, trajnimi ofroi një gamë të gjerë konceptesh, të thjeshtuara për t’u kuptuar më mirë nga gazetarët dhe profesionistët e medias.
Trajnimi u cel me një prezantim të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, Dr. Altin Shegani, i cili bëri një hyrje në konceptet bazë të lirisë së shprehjes dhe rëndësisë që ajo ka në një shoqëri demokratike. Më pas u trajtua një material i përgatitur nga Yllka Lamce (Kandidate për doktoraturë), i cili hodhi dritë mbi konceptet e lirisë së shprehjes sic përcaktohen në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, material i cili u prezantua nga Av. Andi Kananaj. Një tjetër pedagog i Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, Dr. Ervin Pupe, prezantoi disa koncepte interesante lidhur me përgjegjësinë civile të gazetarëve dhe profesionistëve të medias, në rastet kur ata mund të tejkalojnë kufijtë e mbrojtjes nga ligji. Trajnimi pati edhe një të ftuar të huaj, ekspertin e jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Av. Theodoros Alexandridis, i cili solli një rezume të interpretimit të detajuar të Nenit 10 të Konventës, i cili mbron lirinë e shprehjes.
Në pjesën e dytë, Av. Theodoros Alexandridis solli në vëmendje të gazetarëve dhe profesionistëve të medias një material praktik, një udhëzues për cfarë i lejohet një gazetari dhe cfarë nuk i lejohet të kryejë. Cdo udhëzues u shoqërua me raste konkrete nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut. Av. Dorian Matlija dhe Av. Edvin Kukunja, me asistencën edhe të studentes praktikante Arbesa Kurti, sollën një rezume të cështjeve që ka ndjekur Res Publica në mbrojtje të interesave të gazetarëve në gjykatat shqiptare. Rastet u shoqëruan edhe me disa konkluzione të cilat iu shtruan debatit mes pjesëmarrësve për të kuptuar nivelin e përfitimit të koncepteve të trajtuara në këtë trajnim.
Në përfundim, pjesëmarrësve iu shpërnda edhe një certifikatë për pjesëmarrjen në trajnim, të nënshkruar nga titullarët akademikë të pranishëm. Rëndësi të madhe pati debati i ndezur, i cili doli përtej parashikimeve të organizatorëve, duke qenë një indikator i vlefshëm për interesin e gazetarëve rreth koncepteve të trajtuara dhe për përthithjen e suksesshme të tyre.
Gjatë trajnimit nuk munguan lehtësirat e prezantimit elektronik, aksesi në internet, vënia në dispozicion i materialeve të zgjeruara për cdo pjesëmarrës, etj.
Duke falenderuar pjesëmarrësit dhe ekspertët, Res Publica shprehet optimiste që aktivitete të tjerë do të jenë të mirëpritur nga gazetarët, profesionistët e medias dhe përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve, të cilët gjatë trajnimit, por edhe në pushim hodhën ide të ndryshme, të cilat Res Publica do t’i përpunojë në nisma konkrete në një ardhme të afërt.
D. Matlija