Gjykata Kushtetuese ka pranuar organizatat mjedisore, Shoqatën Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendrën “Eco Albania”, si palë të treta në gjykimin kushtetues të nisur nga një e pesta e deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e ndryshimeve të ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”.
Kujtojmë se organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve shkencore dhe akademike të vendit i kanë kundërshtuar këto ndryshime duke ngritur shqetësimin e mospërputhshmërisë me Direktivat e Bashkimit Europian dhe kërkesat e konventave. Drafti i ri heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura, cenon habitatet e çmuara, hap rrugën për zhvillime të paqëndrueshme, rrit ndikimet negative në zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura dhe dëmton rëndë larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.
Gjykata Kushtetuese ka thirrur organizatat dhe palët e tjera të interesuara për të paraqitur parashtrimet e tyre në seancën plenare publike, e cila do të zhvillohet më 3 qershor 2025, në orën 10:00. Organizatat mjedisore do të mbrohen nga avokatët e qendrës “Res Publica” dhe studios ligjore “Meçi”.
Përfshirja e organizatave të tilla në një gjykim kushtetues në këtë fazë nuk është e zakonshme dhe përbën një hap të rëndësishëm për shoqërinë civile, duke rritur transparencën dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje. Kjo tregon një vëmendje të shtuar ndaj çështjeve mjedisore dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit në vend.