Në seancën e radhës të planifikuar për gjykimin e VKM për reduktimin e sipërfaqeve të Zonave të Mbrojtura, Parqet Natyrore, pala e administratës shtetërore dështoi përsëri të sillte provat për të mbrojtur këtë vendimarrje të Këshillit të Ministrave. Çështja u ndoq Av. Irena Dule nga qendra Res Publica.
As këtë herë pala e paditur nuk ishte e përgatitur me prova për t‘iu përgjigjur pyetjes së avokatës të palës paditëse lidhur me zhvillimin e konsultimit publik sipas legjislacionit mjedisor dhe as pyetjes lidhur me iniciativën ligjore që në këtë rast është kryer nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në vend të Ministrisë pa një akt delegimi. Pala e paditur paraqiti një listë të gjatë dokumentacioni, por asnjë nga to nuk ishte zbatim i detyrimit të organeve publike për të konsultuar këtë proces me pushtetin lokal, institucionet akademike dhe shkencore, organizatat mjedisore apo komunitetin.
Gjykata e shtyu këtë seancë si një mundësi e fundit për palën shtet që të sjellë përpara gjykatës provat për veprimet e kryera në kuadër të procesit të reduktimit të Parqeve Natyrore të shqipërisë. Pas kësaj, pritet që gjykimi të kalojë në debatin gjyqësor përpara trupës prej 5 gjyqtarësh të caktuar për gjykimin e kësaj çështjeje.