Në 11 shtator u zhvillua seanca e parë e procesit gjyqësor të ngritur nga qendra “Res Publica” dhe shoqata “Impetus” ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit lidhur me udhëzimin e tyre për menaxhimin e ujërave të ndotura që derdhen në det, lumenj e liqene. Ky udhëzim ka dhënë një zgjidhje të kundraligjshme dhe jo efikase ndaj problemit të ujërave të ndotura, duke detyruar sipërmarrësit e vegjël dhe të mëdhenj të blejnë impiante të trajtimit të ujërave. Në të kundërt, ata do të përballen me gjoba të rënda deri në mbyllje të aktivitetit.
Gjatë seancës së dt. 11 shtator, palët e paditura pranuan dështimin e qeverisë lokale dhe ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve në menaxhimin e ujërave të ndotura, duke e dhënë si argument të vlefshëm për nxjerrjen e udhëzimit që sipas tyre ka siguruar një zgjidhje të shpejtë të problemit. Nga ana tjetër, për këtë dështim paditësit mbajnë përgjegjëse bashkitë dhe ujësjellës kanalizimet përkatëse, të cilat, në vend të marrin masa të kryejnë funksionin e tyre në këtë drejtim duke rritur investimet dhe ulur keqmenaxhimin e parave publike, ua faturojnë dështimin e tyre sipërmarrësve.
Përfaqësuesja e qendrës “Res Publica”, Av. Irena Dule, thotë se: “Investigime të mëparshme tregojnë se si ky sektor ka dështuar të kryejë detyrimin ligjor të trajtimit të ujërave të ndotura duke shpërdoruar fonde publike, si rasti i impiantit të Tiranës. Sikur të mos mjaftojë vetëm kaq, ministritë injorojnë çdo koncept të hierarkisë dhe ndërtimit të shtetit dhe këtë detyrim ia delegojnë konsumatorit, edhe pse ky i fundit paguan ujësjellës kanalizimet për këtë shërbim “.
Ndërkohë, nga raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, shkaktarët kryesorë të ndotjes së ujërave të deteve, lumenjve dhe liqeneve janë shkarkimet e industrisë dhe fabrikave si dhe kanalizimet e ujësjellës kanalizimeve, pra udhëzimi në fjalë në fakt nuk e ka adresuar problemin.
Për të mësuar më shumë mbi çështjen e menaxhimit të ujërave të ndotura lexoni artikullin e publikuar nga Res Publica në muajin korrik, “Kur Qeveria s’ka ç’ti bëjë gomerëve të Bashkisë për trajtimin e ujërave të ndotur dhe i bie samarëve të sipërmarrësve të rregullt”.
Res Publica