Gjykata Administrative i dha të drejtë aktivistit Menduh Zavalani në gjyqin kundër Policisë së Shtetit për dëmtimet fizike dhe psikologjike të shkaktuara nga punonjësit e policisë natën e shembjes me dhunë të godinës së Teatrit Kombëtar katër vjet më parë.
Prej disa muajsh, para shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Menduh Zavalani ka qenë i angazhuar në mbrojtje të këtij objekti si aktivist dhe profesionist i urbanistikës, duke u pajtuar edhe nga rrjete mediatike të interesuara për të raportuar fakte dhe ngjarje rreth kësaj çështjeje me interes të lartë publik.
Në orët e para të mëngjesit të datës 17.05.2020, Zavalani ka qenë prezent pranë sheshit të Teatrit Kombëtar ku ka pasur grumbullim njerëzish. Gjatë qëndrimit aty, trupa masive policore me maska dhe armatim kreu një mësymje në godinën e Teatrit Kombëtar dhe në dalje të saj rrethoi Zavalanin së bashku me disa aktivistë të tjerë duke e goditur fort në kokë disa herë duke i shkaktuar gjakderdhje.
Zavalani u shoqërua me mjetin e policisë ku ndaj tij u ushtrua dhunë, e më pas u dërgua me ambulancë në Spitalin e Traumës. Pas kontrollit fizik dhe ekzaminimeve, rezultoi se Zavalani kishte shembje në kokë, kraharor e trup, gjë që u konfirmua edhe nga eksperti mjeko-ligjor.
Më datë 22.07.2021, me përfaqësim nga avokatët e qendrës “Res Publica” aktivisti kallëzoi penalisht punonjësit e Policisë së Shtetit duke kërkuar nisjen e hetimit mbi dhunën e ushtruar. Prokuroria e pezulloi procesin sepse nuk arriti të identifikojë autorët konkretë të dhunës policore, por nuk pati mëdyshje se dhuna ishte kryer nga punonjësit e policisë. Avokati i Popullit gjithashtu konstatoi dhunën policore në ditën e shembjes së Teatrit Kombëtar ndaj disa aktivistëve, përfshirë edhe Menduh Zavalanin, ndërkohë që vuri në dukje se aktivisti nuk kishte kryer asnjë veprim që mund të përbënte rrezik për ta.
Përveç ndjekjes penale e cila vijon, avokatët e qendrës “Res Publica” nisën dhe procesin për shpërblimit e dëmit për dhunën e ushtruar. Pas katër vitesh përpjekjeje, gjykata e njohu plotësisht dëmin e shkaktuar në mënyrë të padrejtë ndaj aktivistit nga ana e forcave policore dhe vendosi të urdhërojë Policinë e Shtetit të dëmshpërblejë aktivistin.
Edhe pse me një vonesë të paarsyeshme që vjen si pasojë e efekteve të reformës në drejtësi, kjo mbetet një fitore më shumë për drejtësinë dhe gjykimin e pavarur, duke certifikuar në mënyrë gjyqësore që natën e shembjes së Teatrit Kombëtar janë kryer veprime të paligjshme, të cilat do të duhen tashmë të adresohen edhe nga organet e ndjekjes penale.
Res Publica