Nisi dje debati gjyqësor për çështjen e pakësimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Padia është e ngritur nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kundër Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, ku marrin pjesë si palë të treta Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Paditësit, përmes avokatëve të qendrës Res Publica dhe studios ligjore “Meçi”, parashtruan gjithë argumentet e shkeljeve që janë bërë për të pakësuar zonën e Nartës me impakt të rëndë në mjedisin e zonës. Ndër shkeljet kryesore përmendim ato të konventave kombëtare të mbrojtjes së mjedisit, ligji për zonat e mbrojtura, ligji për mbrojtjen e biodiversitetit, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ligji për vlerësimin strategjik mjedisor, çdo plan kombëtar, vendor e strategji kombëtare që dikton këtë fushë, me pasojë në cenimin e integritetit të kësaj zone me rëndësi ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e organeve shtetërore dhe avokaturës së shtetit nuk patën asnjë mundësi përgjigjeje të vlefshme për shkeljet dhe mbi të gjitha pranuan hapur që një prej sipërfaqeve të hequra nuk është bërë se ajo nuk ka vlerë, por sepse atje qeveria ka vendosur të ndërtojë një aeroport që do t’i shërbejë turizmit, pavarësisht shkallës së cenimit të zonës. Ndërtimi i aeroportit ka disa alternativa të tjera të cilat nuk e cenojnë mjedisin, por nuk ka asnjë argument se pse u zgjodh pikërisht kjo zonë.
Pas dështimit të adresimit të pyetjeve të trupit gjykues, organet shtetërore të paditura kërkuan kohë për të sjellë informacione shtesë me shkrim. Në seancën e rradhës në 10 korrik do të dëgjohen edhe ekspertët biologë të florës e faunës dhe eksperti i hartave. Res Publica nuk do t’i ndalojë betejat për mbrojtjen e mjedisit.