Seanca gjyqësore e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit dështoi për mosparaqitje pa asnjë njoftim të avokatëve të Z. Mediu dhe gjyqtares. Pas një pritje prej rreth 2 orësh, prokurorët, familjarët dhe 5 ekspertët e thirrur në gjykim u larguan pasi gjykata nuk dha asnjë shenjë jete.
Nisur nga zvarritjet e shumta të këtij procesi, sidomos gjatë vitit 2024, familja Durdaj përmes avokatëve të Res Publica paraqiti një kërkesë zyrtare drejtuar Zv. Kryetarit të Gjykatës së Posaçme, ku kërkojnë që gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka, të mos i ngarkohen çështje të tjera gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që procesi të përshpejtohet. Ky ka qenë ndër proceset penale më të ngadalta: në 16 muaj që nga nisja e tij janë zhvilluar vetëm 35 seanca, mesatarisht 2 në muaj, në kufirin maksimal që parashikon ligji. Duke qenë se arsyeja e dhënë nga gjykata ka qenë ngarkesa e lartë, kjo mund të zgjidhet duke ulur ngarkesën e gjyqtares.
Kjo praktikë është ndjekur edhe në gjykimin e 29 të pandehurve të tjerë të tragjedisë së Gërdecit, ku treshes së gjyqtarëve të asaj kohe nuk iu dhanë ngarkesa të tjera gjyqesh për të ecur më shpejt, e megjithatë procesi zgjati dy vjet e gjysmë. Nëse kjo kërkesë e arsyeshme nuk merret parasysh, nuk është habi që procesi penal i Z. Mediu të zgjasë katërfishin e kohës në dëm të interesave të drejtësisë, të familjarëve të viktimave dhe të plagosurve, si dhe interesave të vetë të pandehurit.
Më poshtë gjeni kërkesën e dërguar pranë GJKKO nga familja Durdaj përmes avokatëve të Res Publica.