Sot gjykata vendosi të deklarojë të pafajshëm aktivistin mjedisor Lavdosh Ferunaj, i akuzuar për shpifje nga kompania italiane “Renco Spa”.
Në gusht 2022, Z. Ferunaj pati publikuar në portalin ”telegraf.al” artikullin “TEC-i “pushtues” i Bangladeshit po i afrohet Vlorës – A do e japim Vlorën?”, ku ndër të tjera ngre shqetësimin për lidhjet e mundshme mafioze të kompanisë “Renco Spa”, një ndër shoqëritë e nënkontraktuara për zbatimin dhe ndërtimin e projektit madhor të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në artikull Z. Ferunaj shpreh shqetësimin lidhur me termocentralin (TEC) lundrues nga Bangladeshi që do të vendoset në Gjirin e Vlorës, i cili prodhon energji elektrike përmes djegjes së karburanteve fosile në dëm të mjedisit, ndërkohë që i siguron kompanisë “Renco Spa” fiitime nga qeraja dhe mirëmbajtja e tij.
Artikulli është bazuar tek raporti i realizuar nga organizata prestigjoze “Bankwatch”: “Risky Business – Who Benefits from the Southern Gas Corridor? (Biznes me rrezik – Kush përfiton nga korridori jugor i gazit?”). Siç rezultoi edhe në një ndërhyrjeje të kësaj organizate pranë Gjykatës Kushtetuese në çështjen që ka të bëjë me ndërtimin e HEC Skavica, misioni i saj është të parandalojë ndikimet e dëmshme mjedisore dhe sociale të financimit për zhvillim ndërkombëtar dhe të promovojë zgjidhje alternative dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Në raportin e Bankwatch, përmendet se Renco ka operacione në të gjithë botën duke përfshirë Armeninë, Kazakistanin, Kongon, Nigerinë, Libinë, Angolën, Belgjikën, Zvicrën, Kolumbinë dhe Katarin dhe se sipas një hetimi në Itali, i njohur me emrin “Mafia Capitale”, hidhej dritë mbi rolin e drejtuesit të kompanisë në bashkëpunimin e tij me subjekt tjetër që dyshohej i lidhur me mafian.
Përveç raportit të organizatës “Bankwatch”, më herët se i akuzuari të ngrinte alarmin e tij, në prill 2022 një portal shqiptar, Gijotina.com, publikoi artikullin “Ekskluzive/ KESH merr me qira dy anije nga kompania e akuzuar për korrupsion dhe lidhje me mafian italiane”. Edhe në këtë artikull ekspozohen lidhje të dyshuara të kompanisë në fjalë me mafien italiane.
Pas publikimit të artikullit nga Z. Ferunaj, kompania “Renco Spa” iu drejtua gjykatës duke e akuzuar për shpifje. Duhet përmendur se pala akuzuese nuk pretendoi se ka ngritur ndonje padi apo kërkesë penale ndaj Bankwatch, medias online Gijotina, apo të tjerëve të ngjashëm që kanë prekur këtë temë. Gjithashtu, akuzuesit nuk sollën para gjykatës prova të plota dhe bindëse që i akuzuari të kishte dijeninë për pavërtetësinë e fakteve dhe opinioneve të kumtuara prej tij.
I mbrojtur nga avokati Dorian Matlija nga Res Publica me mbështetje nga National Endowment for Democracy, Z. Ferunaj u shpall i pafajshëm, me argumentimin kryesor se i akuzuari ka vepruar në besim të plotë të përmbajtjes së një raporti prestigjoz, të lajmeve që referojnë hetime konkrete, të faktit që këto burime nuk janë kundërshtuar nga akuzuesit dhe këta të fundit nuk kanë bërë përpjekje as për të kontaktuar me të akuzuarin për ta vënë në dijeni të ndonjë të pavërtete, si dhe ka vepruar me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe jo me ndonjë synim për të cenuar reputacionin e shoqërisë akuzuese.
Aksioni ligjor ndaj aktivistit Ferunaj ngjan më shumë me një padi SLAPP (Strategic Litigation Agaisnt Public Participation – Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike), të cilat, më shumë se fitoren në gjyq, synojnë të frikësojnë, konsumojë kohën dhe mjetet monetare të të akuzuarve, pikërisht sepse ata marrin pjesë aktive në ngritjen e ndërgjegjësimit për debate me interes publik.
Fitorja e sotme e Z. Ferunaj nuk është thjesht një lehtësim personal, por edhe një hap përpara në mbrojtjen e konceptit të shoqërisë demokratike.
Res Publica