Qendra “Res Publica” realizoi me sukses trajnimin dy-ditor me temë: “Siguria fizike dhe kibernetike e gazetarëve” në Golem, me mbështetje nga National Endowment for Democracy. Trajnimi erdhi në një kohë kur gazetarëve u mungon informacioni lidhur me këto çështje, si dhe pas rastit të cënimit të konfidencialitetit të burimeve të gazetarit Elton Qyno.
Gazetarët u njohën me trajtimin e rasteve të fundit të gjykatave vendase dhe të Gjykatës Evropiane lidhur me lirinë e shprehjes dhe leksionet e nxjerra prej tyre, standardet e Gjykatës Evropiane dhe Këshillit të Evropës për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, llojet e ndryshme të sulmeve kibernetike dhe menyrat e parandalimit dhe mbrojtjes prej tyre, si dhe mbrojtjen dhe sigurinë në redaksitë e lajmeve.
Temat u trajtuan nga Av. Dorian Matlija, Theodoros Alexanditis, Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Dr. Irena Dule nga qendra “Res Publica”, gazetarja Lindita Çela nga OCCRP dhe Denis Jukni, Ekspert IT. Në fund të trajnimit, gazetarëve iu shpërndanë VPN falas për të mbrojtur aktivitetin e tyre në internet.